3 milionë USD, grant nga kinezët
Ka mbërritur edhe në Shqipëri era e re e kontrollit me rreze X të kamionëve dhe kontenierëve për të bllokuar hyrje-daljet e mallrave të rrezikshme dhe klandestinëve. Përveç skanerit, kryefjala e ditës në Portin e Durrësit ka qenë siguria kombëtare, rrjedhojë e përdorimit të këtyre pajisjeve moderne. Pajisja është një dhuratë me vlerë 3 milionë USD e Republikës Popullore të Kinës, e bërë realitet nga kompania kineze "Nuctech", që njihet si kompani lider në kontinentin aziatik për prodhimin e montimin e këtyre pajisjeve. E para pajisje skaneri e këtij lloji në vendin tonë është instaluar dje në Portin Detar të Durrësit. Kreu i qeverisë, Sali Berisha, i pranishëm në ceremoni, shprehu rëndësinë e kësaj ere të re që nis në shërbimin doganor shqiptar dhe rëndësinë e pajisjes të të gjitha pikave doganore me skanerë të këtij lloji. "Skaneri është një mjet i mrekullueshëm që rrit transparencën dhe lehtëson shërbimin ndaj biznesit, duke i dhënë doganave një dimension të ri", tha Kryeministri. Me vendosjen e skanerit, pritet forcimi i sigurisë kombëtare dhe luftës kundër trafikimit të paligjshëm të mallrave, drogës, armëve konvencionale dhe ADM, materialeve radioaktive dhe lëndëve të tjera me përdorim të dyfishtë. Kështu, të gjitha automjetet dhe kontenierët që kalojnë nga porti më i madh në vend do t‘i nënshtrohen kontrollit të pajisjes së fjalës së fundit, e cila çliron subjektet nga dëmtimi. Përveç Kryeministrit, në ceremoni morën pjesë ambasadori kinez, Wang Junling, zv.ministri i Financave, Florion Mima, dhe përfaqësues të institucioneve të huaja dhe vendase. Një falënderim përpos qeverisë së Kinës, Berisha i ka rezervuar Doganave dhe Tatimeve Shqiptare, që sipas tij i kanë mundësuar vendit "një buxhet suplementar" falë arritjeve në kryerjen e detyrave që kanë. Ceremonia në Durrës ka vazhduar me nënshkrimin e protokollit të dorëzimit të granteve kineze për Shqipërinë dhe përurimin e skanerit. Ndërkaq, ambasadori kinez në Tiranë tha se përtej problemit të varfërisë që Kina ka me një pjesë të popullsisë së vet, gjithnjë ka gjetur mundësinë për të ndihmuar me grante pa kushte politike Shqipërinë, duke vlerësuar miqësinë tradicionale që ekziston midis dy vendeve.