Rikthehen artizanët në Butrint
Butrintit po i fshihet edhe gjurma e fundit e dimrit, që kaloi me pasoja shkatërrimi mbi tregun e prodhimeve artizanale. Ky pavijon i prodhimeve artizanale dhe suvenireve në Butrint, pas shkatërrimit të ndodhur muaj më parë, ka nisur të rindërtohet. Puna për ngritjen e tij me lëndë druri dhe me struktura më të qëndrueshme brenda javës së ardhshme pritet të përfundojë, ndërkohë që paralelisht vazhdon trajnimi i atyre që realizojnë prodhimet turistike artizanale. Drejtori i fondacionit "Butrinti", Rumpert Smith thotë për "Shqip" se ishte e domosdoshme kjo sipërmarrje e re, pasi ky treg është si nyje lidhëse e parkut të Butrintit me komunitetin përreth e më gjerë. Pa tregun e suvenireve, qyteti antik i Butrintit nuk do të ishte në performancën e vet të plotë turistike. Shembja që ndodhi me të muaj më parë e bëri të papërdorshëm, por afrimi i sezonit të ri turistik ka nxitur punën për ribërjen e tij. Për ringritjen e tij është duke u punuar prej disa javësh, që rrugicës hyrëse për në sitin arkeologjik të mos i mungojë njësia e tregtimit të prodhimeve artizanale, ku rrallë ndodh të mos e ndalin hapin ata që vizitojnë Butrintin. "Jemi duke vazhduar ndërtimin me lëndë druri suedeze të një dyqani të ri brenda zonës arkeologjike, për të shitur prodhimet artizanale të komunitetit të zonës përreth", thotë drejtori Smith. Panoramës së punës strukturuese ai i shton edhe punën që ndërkohë është duke u bërë për të trajnuar edhe realizuesit e prodhimeve që do të shiten në të. Përveç banorëve të fshatit Shëndëlli, 1 km larg Butrintit, i banuar nga veriorë, janë duke u trajnuar edhe disa mjeshtër nga Xarra, Ksamili e deri nga Gjirokastra, që edhe ata të bëhen kontribuues në zhvillimin e këtij elementi turistik, të pranishëm në qytetin antik. Në pesë vitet e funksionimit të tregut artizanal në Butrint, turistëve u janë ofruar gurët e dekoruar me mozaikë, që paraqesin simbolet e kafshëve dhe shpendëve të Butrintit. Shumë të pëlqyera e të tërhequra kanë qenë punimet e leshit, si çorape me motive shqiptare, çanta leshi, punime në grep e qilima, të gjitha me certifikatën e Parkut Kombëtar të Butrintit, që ua krijon fshatarëve prodhues mundësinë e tregtimit të tyre. Pjetër Përkeqi thotë se tregu do të bëhet më i mirë se më parë. Familjarisht ai realizon shitjen e prodhimeve artizanale të kthyera në suvenire interesante, që realizojnë fshatarët.