E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 vite në NATO, Topi: Politika të na “çojë” në BE

Me rastin e kësaj dite, presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka përshëndetur shqiptarët me anë të një mesazhi.

“Kjo ngjarje historike ka zënë vend nderi në kujtesën tonë shtetërore e kombëtare, si kurorëzim i aspiratave dhe përpjekjeve të gjata kombëtare, si rikthim i natyrshëm i shqiptarëve në familjen atlantike dhe si një hap me rëndësi për forcimin e paqes, stabilitetit dhe demokracisë në rajonin e Evropës Juglindore. Prej anëtarësimit bilanci i progresit rajonal, i stabilitetit demokratik dhe zgjerimit të bashkëpunimit shumëplanësh midis shteteve dhe qytetarëve tanë, është pozitiv dhe inkurajues për të ardhmen”, shkruan kreu i Shtetit.

Sipas tij, merita kryesore e arritjes së këtij suksesi u takon ushtarakëve shqiptarë, “të cilët me aftësi profesionale, arritën ta shndërrojnë sistemin e vjetër të mbrojtjes në një model të ri modern, në standardet e njëjta me vendet e tjera anëtare të organizatës”.

 Presidenti Topi thekson se anëtarësimi në NATO i ka dhënë Ushtrisë shqiptare një dimension dhe prestigj të ri si dhe një motivim më të madh për të vazhduar përpjekjet e modernizimit të saj. “Merita dhe vlerësimi u përket edhe institucioneve politike e kushtetuese të përfshira në procesin e anëtarësimit, vendimmarrjes politike konsensuale për reformat në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe në një plan më të gjerë, të gjithë shoqërisë shqiptare, që ka qenë e është mbështetëse e fuqishme e vlerave dhe parimeve demokratike mbi të cilat është krijuar dhe funksion NATO-ja”, thuhet më tej.

Në mesazhin e Presidentit të Shqipërisë, kujtohet edhe mbështetja e madhe e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe vendeve të tjera pjesë e Aleancës së Atlantikut Verior. “Shpresat dhe pritjet e mëdha për një demokraci funksionale të bazuar në forcimin e institucioneve të pavarura kushtetuese, dhe një politikë me sjellje e vizion evropian, janë sfidat tona kryesore që burojnë nga qenia e jonë pjesë e familjes atlantike dhe një nxitje konkrete për të pasur të njëjtin bilanc pozitiv edhe në përpjekjet tona shtetërore e shoqërore për marrjen e ftesës së statusit të vendit kandidat në Bashkimin Evropian”, shkruhet më tej.

Në mbyllje, Topi thotë se Shqipëria e meritoi NATO-n, ndërsa qytetarët shqiptarë e meritojnë BE-në. “Përballë këtij vullneti unanim euroatlantik është përgjegjësi direkte e institucioneve politike për ta bërë këtë aspiratë një realitet të prekshëm, të merituar, të qëndrueshëm dhe afatgjatë”, përfundon mesazhi i Presidentit të vendit. /S.Lleshi/Start/

                                                                                             2012-04-04 10:18
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›