E Shtunë, 31 Tetor 2026

3 vjet nga ndarja me “Artistin e Popullit” Kadri Roshi

Është konsideruar legjenda e skenës dhe ekranit shqiptar. Kadri Roshi, kolosi i filmit dhe teatrit shqiptar, ndërroi jetë tre vjet më parë, më 6 shkurt të vitit 2007 në Tiranë. I gjithë komuniteti i artistëve shqiptarë, tre vite më parë, u përkul me nderim para trupit të pajetë të Kadri Roshit, kolegut dhe profesorit të tyre, gjatë homazheve të zhvilluara në Teatrin Kombëtar në Tiranë. Aktorë të brezit të tij, por edhe të brezit më të ri, regjisorë, operatorë, njerëz të njohur të artit dhe të kulturës, nga spektri politik, miq dhe dashamirës, i dhanë lamtumirën e fundit njeriut, i cili u dallua gjatë të gjithë jetës për pasionin, përkushtimin dhe dashurinë për profesionin e tij. Shumë fotografi nga rolet e tij më të spikatura shoqëronin këtë ceremoni. Të vendosura në hollin e Teatrit Kombëtar, shumë pak larg skenës ku Kadri Roshi interpretoi për herë të parë në vitin e largët 1945, ishin shoqërueset më fisnike të ceremonisë, ku për herë të parë nuk u dëgjua zëri dhe fjala e goditur e aktorit të madh. Në vitin 1995 është nderuar me Çmimin e Karrierës në Festivalin e Filmit Artistik, në vitin 1997 me Çmimin e Madh të Nderit. Ai është "Nderi i Kombit" nga viti 1999. Emri i Kadri Roshit është një kolos për filmin dhe teatrin shqiptar, ku ai la figura të spikatura që nuk do të harrohen kurrë. Kadri Roshi lindi më 4 janar 1924, në Mallakastër. Përfundoi studimet e larta në Pragë në vitin 1951. E filloi karrierën si aktor në Teatrin Popullor në moshën 21-vjeçare duke qenë edhe ndër krijuesit e teatrit. Ai numëron rreth 180 role në skenë dhe kinematografi, të cilat përbëjnë një jetë të madhe artistike, ku ndërthuren vështirësitë e një jete prej jetimi, çiraku, portieri kinemaje dhe deri tek aktori origjinal me portretin e njeriut të fisëm. Në një nga ditët e shëndetit të përkeqësuar, ai do rrëfente se me interpretimin në filmin e regjisorit Viktor Gjika, "Njeriu me top", kishte realizuar rolin e karrierës: "Plaku Mere është kurora e roleve të mi. Atë e kam ndërtuar vetë nga e para, si kam ditur". Kur aktori i njohur në vjeshtën e vitit 2004 kaloi një gjendje të rënduar shëndetësore nga shtrati i pavionit në spitalin ushtarak do të deklaronte se nuk shpresonte të ngjitej më në skenë. Kur gjendja e tij nuk jepte asnjë shenjë përmirësimi, Ministria e Shëndetësisë mori përsipër kurimin e aktorit në një nga klinikat e Ankarasë, në Turqi. I lindur në Ballsh(Mallakastër) në vitin 1924, në historinë e kinemasë janë 30 role që mbajnë firmën e tij, ndërsa në teatër rreth 100, nga cilët mjafton të kujtojmë interpretimet tek "Halili dhe Hajria", "Revizori", "Familja e peshkatarit", "Arturo Ui", "Kohë e çmendur", "Dhelpra dhe rrushtë", ku roli i paharruar i Ezopit, përkrah aktores Luiza Xhuvani, është nga të fundmit në skenën e teatrit. Nuk mund të mohosh faktin se portretin e tij e fiksoi në kujtesën e publikut më tepër se teatri, kinemaja, nga arkivi i së cilës do të shfaqen disa fragmente të zgjedhur, role ku Roshi duket se interpreton me lëkurën e vet më shumë se sa me atë të personazhit. Kujtojmë filmat "Lulëkuqe mbi mure". Për interpretimin në rolin e kujdestarit ai është vlerësuar në Festivalin e Dytë të Filmit Shqiptar në vitin 1977, me çmimin special të aktorit më të mirë, bashkë me Timo Fllokon e Agim Qirjaqin. Këtë çmim e merr sërish më 1981 për rolin e mësuesit patriot në filmin "Liri a vdekje", dhe dy vjet më pas, për interpretimin tek "Era e ngrohtë e thellësive". Me protagonizmin tek "Gjeneral gramafoni", "Këshilltarët", "Njeriu me top", mund të thuhet se mesi i viteve ‘80-të prek zenitin e karrierës së aktorit. Jo më kot aktorja e njohur Tinka Kurti, shprehet se "është e vështirë që djepi të rrisë një njeri tjetër si Kadri Roshi", ndërsa Reshat Arbana e cilëson atë si "Sokrati i skenës shqiptare". Nën një shi zvarranik, heshturazi, qindra njerëz 3 vjet më parë përcollen në banesën e fundit Sokratin e skenës shqiptare .

Jetëshkrimi

Skena e teatrit kombëtar dhe shesh xhirimet ishin e vetmja shkollë e vetja që prej vitit 1945. Për rolin e kujdestarit në filmin “Lulëkuqe mbi mure”, në vitin 1977 ai merr çmimin special të aktorit më të mirë. Interpretimet e viteve ’80 në filmat “Gjeneral gramafoni”, “Këshilltarët”, “Njeriu me top” etj., cilësohen si kulmi i suksesit të tij
Në 1995-ën, ai merr Kupën e Karrierës në Festivalin e Dhjetë të Filmit Shqiptar për interpretimin në një nga rolet e tij të fundit të karrierës tek filmi “Kolonel bunker”.
Ai është nderuar me titullin “Artist i popullit” dhe “Nderi i kombit”, që prej viti 1998-të
Kadri Roshi, i cili i dhuroi publikut kënaqësinë e interpretimit të mbi 100 roleve, sot mbetet një baba i teatrit shqiptar. Jeta dhe veprimtaria skenike e filmike e Kadri Roshit është ngjitur në zenitin e kohës. Pikërisht në skenën e teatrit ai trokiti 60 vjet më parë dhe shpreh dashurinë ndaj saj. “Dyshemenë e asaj skene e kam larë me leckë, nga pasioni, dashuria për artin, edhe gjumin dua ta bëj në skenë”.

Kënd Muzeor kushtuar izraelitëve, në Muzeun Kombëtar

Ambasada Izraelite në Shqipëri në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar dhe Shoqatën Shqipëri-Izrael përuron një kënd muzeor kushtuar kontributit dhënë nga shqiptarët për popullin hebre gjatë Luftës së Dytë Botërore. Aktiviteti zhvillohet ditën e hënë në orën 14 në pavionet e MHK. Ndërkohë që gjashtë milion prej tyre u shfarosën gjatë Holokaustit nazist. Aq më tepër janë ata të ndjeshëm ndaj njerëzve që i ndihmuan të shpëtojnë nga përndjekjet e nazizmit. Dhe Shqipëria mund të krenohet si vendi ku asnjë hebre nuk ra në duart e nazistëve. Mijëra hebrenj shkuan nga vende të tjera në Shqipëri për t’u shpëtuar ndjekjeve të nazistëve. Ata u fshehën nga shqiptarët pa dallim feje, nga myslimanët dhe të krishterët dhe Shqipëria u bë vendi i vetëm në Evropë që e shpëtoi të gjithë popullsinë hebraike. Shqiptarët dhe Shqipëria nuk caktuan kurrë kuota për numrin e hebrenjve që do të pranonin. Kushdo që arriti të hyjë në tokën shqiptare gjeti strehë, fshehje dhe shpëtim. Një listë prej 2.265 emrash të hebrenjve të ardhur në Shqipëri para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore gjendet qysh prej muajit gusht të vitit 2005 në Memorial Museum of Holocaust.

8 Shkurt 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›