Ambasadorët, draft në zyrën e Topit për zgjidhjen e krizës
Kreu i shtetit zhvillon takime me ambasadorët e BE-së dhe atë të SHBA-ve
Eljona Ballhysa
Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ka pasur një axhendë të ngjeshur takimesh gjatë ditës së djeshme. Ai është takuar fillimisht me përfaqësuesit e Brukselit, ambasadorët Lohan e Montobio, e më pas me përfaqësuesin e Uashingtonit, ambasadorin Withers, nga të cilët ka marrë mbështetjen maksimale për rolin e negociatorit për zgjidhjen e krizës politike në vend. Gjatë takimeve me Trupin Diplomatik kreu i shtetit ka diskutuar për situatën politike në vend dhe rrugët për të dalë nga kriza politike, si dhe përcaktimin e modaliteteve për mbajtjen e tryezës së dialogut mes dy krerëve të dy partive politike në vend. Madje, në tryezën e tij është paraqitur edhe një draft me pikat kryesore për zgjidhjen e krizës politike në vend. Në këto takime kreu i shtetit ka marrë mbështetjen e ndërkombëtarëve për të moderuar dialogun mes Ramës e Berishës. Kjo bëhet e ditur edhe në njoftimin zyrtar për shtyp të Presidencës. “Presidenti Topi takoi përfaqësuesit diplomatikë të Komisionit Europian dhe të Mbretërisë së Spanjës, si dhe të Shteteve të Bashkuara në vendin tonë. Këto takime, në të cilat u inkurajua roli kyç i Presidentit si moderator, u organizuan në kuadrin e vazhdimit të konsultimeve të kreut të shtetit me përfaqësuesit e komunitetit ndërkombëtar nën frymën e rekomandimeve të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës dhe qëndrimeve të Bashkimit Europian mbi situatën aktuale politike në Shqipëri. Gjatë takimeve u diskutua mbi rëndësinë dhe nevojën e mbajtjes së tryezës së dialogut mes kryeministrit Sali Berisha dhe kryetarit të opozitës, Edi Rama, nën moderimin e presidentit Topi, në përpjekje për t’i kontribuar normalizimit të klimës politike dhe rivendosjes së dialogut parlamentar”, - shkruhet në njoftimin zyrtar të Presidencës.
Takimet
Rreth orës 12:30 të ditës së djeshme, drejt zyrës së Presidentit kanë rendur dy përfaqësuesit e lartë të Brukselit, ambasadori i KE-së, Lohan dhe ambasadori i Spanjës, që mban presidencën e radhës së BE-së, Montobio. Vetëm një javë më parë dy diplomatët zhvilluan një takim me kryeministrin Sali Berisha në zyrën e tij në Kryeministri. Fill pas këtij takimi Berisha ndryshoi qëndrim përsa i përket tryezës së drejtuar nga Topi. Berisha u shpreh për mediat se ai pranon të ulet në një tryezë diskutimi të drejtuar nga kreu i shtetit, ndërsa theksoi se është shumë e rëndësishme që paraprakisht të përcaktohet suksesi i kësaj tryeze. Ndërkaq, Berisha hoqi dorë nga parakushtet për kreun e shtetit, të cilit pak ditë më parë i kërkonte që të bindte Ramën të hiqte dorë nga kërkesa për hapjen e kutive.
Në zyrën e kreut të shtetit ishte dje edhe ambasadori i SHBA-ve, John Withers. Në të njëjtën ditë kur Lohan e Montobio ishin në zyrën e Berishës, Withers zgjodhi të ishte në zyrën kreut të PS-së, Edi Rama. Pas takimit me ambasadorin Withers, Rama filloi një varg takimesh me gazetarët në rrethe të ndryshme të vendit, ku mori përsipër të shpjegonte hapat që do të marrë PS-ja. Ai tha se PS-ja nuk do të përgjumet nga negociatat dhe në rast se tryeza e presidentit dështon, PS-ja do t’u rikthehet protestave. Në këto takime Rama e ka cilësuar vendimtare kërkesën për hapjen e kutive dhe hetimin e zgjedhjeve.
Presioni
Presioni ndërkombëtar bëri të mundur që palët të mund të ulen në një tryezë bisedimesh. Megjithëse ky projekt kishte disa muaj që qarkullonte nga zyrat e Presidencës, kjo u bë e mundur vetëm pas ndërhyrjes së ndërkombëtarëve, të cilët u vendosën kufij qëndrimeve të politikanëve, konkretisht Berishës dhe Ramës.
Këto takime zhvillohen pas miratimit të Rezolutës së Asamblesë Parlamentare të
KiE-së dhe në një moment kur politikanët shqiptarë në vend që të ndryshonin qëndrim, vazhduan të mbanin të njëjtin qëndrim duke i mëshuar fort kushteve të tyre në kundërshtim me sugjerimet e ndërkombëtarëve. Fill pas kësaj është radha e trupit më të rëndësishëm diplomatik që ndodhet në Shqipëri. Ambasadorët më të rëndësishëm kanë marrë nismën për të luajtur rolin e negociatorit mes Partisë Demokratike në qeveri dhe asaj Socialiste në opozitë. Ajo që kërkohet nga këta dy parti është ulja pa vendosur kushte paraprake në një tryezë bisedimi nën kryesimin e Presidentit të Republikës, Bamir Topi. Pikërisht kjo kërkohet edhe në Rezolutën e KiE-së. Në këtë rezolutë maxhorancës i kërkohet ngritja sa më parë e komisionit hetimor parlamentar për zgjedhjet e 28 qershorit, opozitës i kërkohet t’i japë fund bojkotit dhe të futet në Parlament, ndërsa presidentit Topi i kërkohet të qëndrojë mbi palët dhe të organizojë një tryezë bisedimi për t’i hapur rrugën dialogut institucional në mënyrë që t’i jepet fund krizës në vend.
9 Shkurt 2010