30-vjetori i GJK/ Rama: Aktorë të tretë e thërrasin në ring, ushtrojnë presione politike

Kryeministri Edi Rama në fjalën e tij në 30-vjetorin e krijimit të Gjykatës Kushtetuese ka deklaruar se nuk ndodhet në pozitë të thjeshtë përballë pushtetit gjyqësorë dhe diplomatëve të huaj, që sipas tij kur bëhet fjalë për vendimet e gjykatave nuk ndihen të huaj.
“GJK përkujton sot 30-vjetorin e themelimit të saj. E vlerësoj këtë ftesë ndaj dhe erdha, por ju kërkoj ndjesë që nuk do qëndroj dot gjatë për një arsye që kryetarja e di. Më keni vënë përballë një dileme jo të thjeshtë të një sfide disi të veccantë. Ndonëse sebepi është festiv, ushtrimi është delikat. Kreu i pushtetit ekzekutiv përpara një plateje juristësh dhe gjykatësish pra pushteti gjyqësor, pa harruar veshët dhe sytë e diplomatëve të huaj, që kur vjen fjala te drejtësia nuk ndihen të huaj në territoret e saj, madje kanë luksin që kur të duan mund ta ndajnë me publikun gëzimin dhe hidhërimin për vendimet e gjykatave që për mua e autoritetet e këtij shteti nuk është hiç e këshillueshme, le më pastaj e imitueshme. Një fjalim përgëzues e linear si e kërkon rasti e si e këshillon tradita mbetet në kufijtë e të pamundurës për mua. Një fjalim kritik mbetet po aq i pakëshillueshëm sa i imitimi i diplomateve kur emocionohen publikisht për vendimet e gjykatave. Kështu që dhe këtij kurthi joshës do mundohem t’i shmangem në kufijtë e të mundurës. Ngjarja është më domethënëse se kaq. Në sytë e mi çka kremtohet sot janë vetë fillimet e kushtetutshmërisë, të mbjelljes së idesë së saj si garanci e lirive individuale. Pas një periudhe tejet të gjatë ndrydhje totalitare, Shqipëria u pajis me GJK ende para se ti jepte vetes një kushtetutë, formalisht të kodifikuar,si themel i shtetit të ri. Falë GJK ne kemi sot një traditë të re, dinamike të ndarjes së pushteteve. GjK është një ngrehinë me dritë dhe hije, më shkëlqime deri të lavdishme, dhe me njolla të pajustifikueshme në ndonjë rast”, tha Rama.
Duke u ndalur te depozitimi në GJK nga opozita i vendimit të qeverisë për konfiskimin e ndërtimeve pa leje, kryeministri e konsideroi si mavijosje politike. Sipas Ramës, opozita i arratiset përgjegjësive dhe shtrëngon GJK me presione politike.
“Aktorët të tretë ju arratisën përgjegjësive të tyre pa gjetur rrugë të ndërmjetme për tu marrë vesh, por duke thirrur në ring GJK. Që shtrëngohet në debate nga presioni politik dhe vendime që ndonjëherë janë drobitëse duke mos arritur dot ekuilibrin e artë të arsyes së pastër të GJK. Nuk shmang dot një eveniment të ri të ditëve të fundit, unik në tërësinë e veprimtarisë publike dhe politike në këto 30-vite, që nuk është e varfër me shfaqje unikale devijimesh, goditja në GJK nga parti politike, e një vendimi qeverie. Në zbatim të një ligji të kaluar në Kuvend për të ndëshkuar abuzimet me lejet e ndërtimit nga ndërtues që në papërmbajtësinë e tyre e kanë bërë të pamundur mosndëshkimin përfundimtar. Që një vendim qeverie të çohet në GJK është një akt që të lë pa fjalë, por që një vullnet politik të ngrihet kundër një vendimi qeverie për të marrë në mbrojte shkelje të ligjit të mishëruara në metra katrore, ky është një kulminacion i ri që e ilustron më së miri atë që po përpiqesha të thosha. Si mund të vetëdijesohemi që të gjithë, se jo çdo konflikt io natyrës politike duhet të zgjidhet nga GJK? DHE nga ana tjetër si mundet të evitojmë që duke ju adresuar GJK që në vende normale zgjidhen në rrugë të tjera, të mos e vëmë GJK në pozitën që të mos tejzgjasë majisjen politike?”, tha Rama.
/rtsh.al/