31 mars 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare dhe dëgjon raportin e ILDKP-së
Nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli, Kuvendi u mblodh në seancë plenare, ditën e hënë, më 31 mars 2008, ora 18:00 për të dëgjuar raportin e kreut të Inspektoriatit të Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive, Fatmira Laska si dhe për të miratuar projektligjin Për aderimin e Republikës së Shqipërisë në konventën Për ekspozitat ndërkombëtare e nënshkruar në Paris më 22 nëntor 1928, dhe shtuar nga protokollet e datave 10.05.1948, 16.11.1966 dhe 30.11.1972, si dhe shtesat e datave 24.06.1982, e 31.05.1988 dhe projektligjin Për rezervat materiale kombëtare.
Ftesa në samitin e Bukureshtit për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ngjarja e Gërdecit, kartat e identitetit, si dhe probleme të zonave zgjedhore ishin çështjet kryesore, që u prekën nga deputetët gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës.
Opozita kërkoi që seanca të vijojë me ngjarjen e Gërdecit, pavarësisht mbajtjes së Samitit të Bukureshtit, dhe përsëriti kërkesën për të pasur një seancë të veçantë me Kryeministrin Sali Berisha. Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputetja Valentina Leskaj u shpreh se Kryeministri Berisha duhet të bëjë një raport në lidhje me ngjarjen.
Kryetarja Topalli, duke iu përgjigjur insistimit të Grupit Parlamentar Socialist për të vazhduar seancat vetëm me debatet mbi ngjarjen e Gërdecit, ndër të tjera u shpreh :
"Ne do ta marrim ftesën për në NATO. Kjo është ngjarja më e madhe historike, është vetëm sukses i reformave të mëdha, vetëm për shkak të përkushtimit të madh. Dhe atë ditë që doli gazeta, pikërisht pasdite, Shtëpia e Bardhë, me vetë Presidentin e SHBA-së, reagoi në mënyrën më të jashtëzakonshme, duke vlerësar gjithë shqiptarët, pa përjashtim, për reformat, guximin, për ecjen përpara dhe për marrjen e sukseseve të tjera," deklaroi Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli.
Seanca vijoi me dëgjimin e raportit të kryeinspektores së ILDKP-së, Fatmira Laska.
Zonja Laska, paraqiti shifra të detajuara për rastet e konfliktit të interesave,
si dhe vuri theksin në masat e marra nga institucioni për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike.
Më tej, zonja Laska u shpreh se edhe në vitin 2007, Inspektorati i Lartë vendosi masën administrative gjobë për 175 zyrtarë, të cilët nuk e plotësuan në afat deklaratën e interesave private, pavarësisht përpjekjeve të institucionit, duke konsumuar të gjitha mënyrat e komunikimit.
Inspektori i Përgjithshëm paraqiti gjithashtu edhe statistika për kontrollin e plotë, faza përfundimtare e hetimit administrativ që kryen ILDKP, si dhe shifra të seminareve trajnuese, që janë zhvilluar me zyrtarë të lartë të administratës publike, por edhe me përfaqësues të pushtetit vendor, të cilët u zgjodhën për herë të parë në zgjedhjet lokale të 18 shkurtit.
Kuvendi vendosi të shtyjë votimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.
Seanca i mbylli punimet rreth orës 20:35, ndërkohë që Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e enjte, 4 prill 2008, ora 10:00.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.