19 mars 2008 - Kuvendi zhvillon debat lidhur me tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec dhe masat që po merren për normalizimin e situatës.
Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e mërkurë, më 19 mars 2008, ora 17:00, nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli, ku Kryeministri Sali Berisha informoi lidhur me tragjedinë e ndodhur në fshatin Gërdec si dhe masat që po merren për normalizimin e situatës.
Në fillim të seancës, deputetët mbajtën një minutë heshtje në kujtim të viktimave të kësaj tragjedie.
Në fjalën e tij përpara deputetëve, Kryeministri bëri një paraqitje të shkurtër të situatës pas shpërthimit dhe masave që u ndërmorën për të vënë situatën nën kontroll, duke theksuar se të gjitha hallkat e shtetit u vunë në gatishmëri të menjëhershme, që në momentet e para që ndodhi shpërthimi.
Duke vënë theksin në angazhimin e vendeve fqinje për të ndihmuar Shqipërinë në këto momente të vështira dhe të dhimbshme, z. Berisha tha se i është kushtuar vëmendje maksimale të plagosurve, por edhe qytetarëve të traumatizuar dhe se operacionet e kërkim-shpëtimit kanë filluar që herët në mëngjes.
"Është bërë përpjekje për të informuar në mënyrë transparente qytetarët shqiptarë. Deklaratat e bëra u përcollën nga mediat, të cilat kanë bërë një punë të shkëlqyer," tha ndër të tjera Kryeministri Berisha.
Ndërkohë, z. Berisha paraqiti një bilanc të dëmeve të shkaktuara nga kjo tragjedi dhe vuri në dukje se banorët kanë qenë gjithmonë në qendër të vëmendjes dhe të kujdesit që në momentet e para pas shpërthimit dhe se do të vazhdojnë të jenë edhe në ditët në vijim.
Në fund të fjalës së tij, Kryeministri Berisha iu drejtua deputetëve:
"Sot para ligjit janë vendosur direkt përgjegjësit kryesorë të sipërmarrjeve. Para ligjit janë vendosur persona që në tërësinë e tyre dinë çdo gjë. E ftoj Prokuroren e Përgjithshme të hetojë në çdo drejtim dhe te gjithësecili të nxjerrë çdo përgjegjësi..
Kjo është e para fatkeqësi, për të cilën ka nisur një hetim i fuqishëm, sepse fatmirësisht prokurorët nuk janë të kapur, nuk janë politikë, por ka një prokurori, e cila do të zbardhë çështjen.
Ju ftoj për çdo gjë, të krijoni që nga ky moment, kur të doni, çdo komision për të bërë çdo hetim, pa asnjë lloj kufizimi. Mos harroni një gjë: se kjo e vërtetë do të dalë, nuk duhet të ketë kush frikë prej saj. Askush nuk duhet të ketë frikë prej saj."
Nga ana e tij, Ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu duke folur si qytetar dhe si politikan u shprehu solidaritetin dhe ndjesën e tij të gjithë qytetarëve të prekur nga kjo tragjedi.
Z. Mediu nënvizoi se i gjithë dokumentacioni, lidhur me fabrikën e çmontimit të armëve, në Gërdec, i është vënë dispozicion autoriteteve më të larta, duke shprehur bindjen se vetëm transparenca do të hedhë dritë mbi ngjarjen dhe do të nxjerrë përgjegjësit e saj.
"Ngjarja e Gërdecit kërkon një vlerësim të saktë për të gjetur rrugëzgjidhje sa më të shpejta dhe sa më të përshtatshme, për të shmangur në të ardhmen pasoja të tilla. E vërteta për këtë ngjarje nuk mund të fshihet, as të deformohet.
Nuk mund të jem, as unë dhe as ndonjë tjetër si unë, në cilësinë time politike, që do të ketë veridiktin e të vërtetës. Do të jetë drejtësia, ajo, që do të gjykojë dhe vendosë insititucionalisht, ligjërisht mbi ngjarjen dhe përgjegjësitë.
Që në këtë moment, duke e konsideruar veten pa asnjë lloj imuniteti të çfarëdo lloji, jam i gatshëm të jap shpjegimet e mia përpara organeve komptetete në lidhje me detyrën time si Ministër i Mbrojtjes," deklaroi ndër të tjera para deputetëve Ministri i Mbrojtjes, Mediu.
Seanca vijoi me diskutime mbi këtë çështje nga përfaqësues të grupeve të ndryshme parlamentare.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, deputeti Gramoz Ruçi u shpreh se ngjarja e rëndë, e ndodhur më 15 mars, në fshatin Gërdec, është një tragjedi që ka lënduar të gjithë qytetarët shqiptarë. Z. Ruçi përsëriti edhe njëherë kërkesën e opozitës për dorëheqjen e Kryeministrin dhe u shpreh se kjo ngjarje nuk mund t'i faturohet një gabimi njerëzor. Sipas z. Ruçi, largimi i Kryeministrit do t'i hapte rrugë drejtësisë për zbardhjen e kësaj ngjarjeje të rëndë.
Në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, kreu i këtij grupi Astrit Patozi, pasi shprehu dhimbjen dhe solidaritetin me qytetarët e prekur nga tragjedia e Gërdecit, ftoi opozitën, që të mos e përdorë atë si një instrument politik.
Z. Patozi, ndër të tjera, nënvizoi se fatkeqësitë mund të ndodhin, pavarësisht shkaqeve të tyre. Por, sipas tij, diferenca midis Qeverive qëndron në mënyrë e përballimit të këtyre fatkeqësive, duke nënvizuar se të gjitha strukturat shtetërore kanë qenë në gatishmëri për të përballuar me sukses pasojat e ngjarjes së Gërdecit.Kjo gatishmëri do të vijojë të jetë e tillë deri në momentin e stabilizimit të situatës që të ndikojmë sa më shumë në minimizimin e pasojave tek banorët e prekur nga kjo ngjarjë e rëndë.
Seanca plenare i mbylli punimet në orën 00:00, ndërkohë që punimet e kësaj seance do të rifillojnë , ditën e enjte, më 20 mars 2008, në ora 10:00.
Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit
Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.