E Shtunë, 31 Tetor 2026

20 mars 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare

 
Kuvendi u mblodh ditën e enjte, më 20 mars 2008, ora 10:00, për të vijuar punimet e seancës plenare, që filloi të mërkurën, më 19 mars 2008, ora 17:00, me informimin e Kryeministrin lidhur me tragjedinë e Gërdecit dhe u ndërpre rreth mesnatës.

Seanca rifilloi punimet me rendin e ditës si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare, datë 13.03.2008.
2. Projektligji Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 8934, datë 5.9.2002, Për mbrojtjen e mjedisit, të ndryshuar.
3. Projektligji Për përcaktimin e formës dhe strukturës së formulës së privatizimit të shoqërisë anonime Operatori i sistemit të shpërndarjes.
4. Projektvendim Për një ndryshim në vendimin nr. 101, date 17.05.2007 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore të ndryshuar.

Për votim:
1. Projektligji Për ratifikimin e ndryshimit të marrëveshjes së rishitjes së aksioneve të INSIG Sh.a. ndërmjet Ministrisë së Financave që vepron në emër të shtetit shqiptar, Korporatës Financiare Ndërkombëtare (IFC) dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim.
2. Projektligji Për një ndryshim në ligjin nr. 9649, datë 27.11.2006 Për përcaktimin e formës dhe të formulës së privatizimit të INSIG Sh.a..
3. Projektvendim Për miratimin e raportit të Këshillit Kombëtar të Radio-Televizionit.


Gjatë diskutimeve për çështje jashtë rendit të ditës, deputetët u përqendruan sërish në ngjarjen e ndodhur në fshatin Gërdec.

Në fund të diskutimeve jashtë rendit të ditës, Opozita braktisi sallën, pasi kërkoi që Parlamenti të vazhdojë me procedurat normale, vetëm pas zbardhjes së ngjarjes së Gërdecit.

Këtij qëndrimi të opozitës Kretarja e Kuvendit Jozefina Topalli, iu përgjigj:
Në fakt është vendim i Konferencës që e keni marrë ju zotërinj, por ju nuk i qëndroni fjalës suaj dhe kjo nuk është normale. Unë gjykoj se ngjarja që ka ndodhur është shumë e rëndë, por kjo nuk do të thotë që shteti të ndalet dhe të mos funksionojë më asgjë, të mos miratohen ligjet, të mos funksionojnë ministritë. Ju keni qenë vetë ministra dhe Kryeministra dhe e kuptoni sesa e rëndë është kjo që ju sillni sot. Ju doni që Parlamenti të mos funksionojë, por kjo nuk shkon. Parlamenti duhet të jetë më i gjallë dhe më funksionues se kurrë. Ajo çfarë ndodhi na ka bërë të gjithëve të mendojmë shumë se çfarë duhet të ndryshojmë te ligjet? Cilat janë ato ligje që na kanë sjellë këtu? Ku duhet të ndërhyjmë? Çfarë duhet të reformojmë?
Ky, dhe jo ikja apo kërkesa për të mos funksionuar asgjë, është seriozitet e marrje e përgjegjësive.

Seanca plenare vijoi me miratimin e projektligjeve të parashikuara në rendin e ditës.

Deputetët e pranishëm vendosën të shtyjnë votimin e projektvendimit Për një ndryshim në vendimin nr. 101, date 17.05.2007 të Kuvendit të Republikës së Shqipërisë Për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Parlamentar për Reformën Zgjedhore të ndryshuar, duke argumentuar që ky projektvendim duhet të miratohet bashkë me opozitën.

Seanca i mbylli punimet rreth orës 12:15.

Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit

Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›