E Diel, 1 Nëntor 2026

27 mars 2008 - Kuvendi mblidhet në seancë plenare

Nën drejtimin e Kryetares Jozefina Topalli, Kuvendi u mblodh në seancë plenare ditën e enjte, më 27 mars 2008, ora 10:00.

Ngjarja e Gërdecit dhe përgjegjësitë për këtë ngjarje ishte tema kryesore e debatit, që u zhvillua gjatë diskutimeve jashtë rendit të ditës.


Kryeministri Sali Berisha, ftoi opozitën që të mos e shfrytëzojë ngjarjen e rëndë të Gërdecit për përfitime politike. Kryeministri theksoi se po tentohet të prishet imazhi i vendit dhe të pengohet rruga drejt integrimit në NATO.
Z. Berisha nënvizoi se Qeveria mbetet e angazhuar për të bërë transparencën maksimale mbi këtë ngjarje dhe për të bërë të mundur që familjet e prekura nga kjo tragjedi, ti rikthehen sa më shpejt normalitetit.


Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Valentina Leskaj, në emër të opozitës, kërkoi që seanca plenare të mos vazhdonte me rendin e ditës, por të përqendrohej në çështjen e Gërdecit. Duke u nisur nga artikulli i New York Times, deputetja Leskaj kërkoi një seancë të veçantë, ku Kryeministri të japë shpjegime, lidhur me pretendimet që ngrihet në këtë artikull.

Në përgjigje të këmbënguljes së opozitës për të mos vijuar me rendin e ditës së seancës, Kryetarja e Kuvendit, Topalli tha se Parlamenti nuk mund të ndërpresë punimet.

Është bërë një mbledhje të Konferencës së Kryetarëve në të cilën me konsensus kemi rënë dakord për kalendarin dhe për programin tremujor. Në bazë të rendit të ditës është parashikuar vetëm një orë, ajo që është bërë për çdo seancë. Meqenëse Kryetarja e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste kërkoi që të diskutohej më gjatë, janë bërë mbi 2 orë që ne diskutojmë për një temë.
Unë do të vazhdoj me votimin kalendarit, sepse Parlamenti nuk mund të bëjë pushim. Ne smund të bëjmë pushim.
Në qoftë se nuk votohet kalendari kjo do të thotë që Parlamenti nuk funksionon dhe këtë së pari nuk mund tia lejoj vetes dhe askujt tjetër. Keni sjellë një kërkesë me shkrim që debati të jetë 2 orë dhe më shumë se 2 orë nuk mund të shkohet. Keni të drejtë që të vazhdoni ditën e ardhshme. Përsëri mund ta shtyjmë, bëni mocion, bëni çfarë të dëshironi ju. Por jashtë rregullave dhe  një deformim total të kalendarit nuk mund ta lejoj, tha Kryetarja Topalli.

Seanca plenare vijoi punimet me miratimin e Programit të Punës të Kuvendit për periudhën 27 mars - 26 maj 2008,  me miratimin e Kalendarit Trejavor  të Punimeve të Kuvendit për periudhën 27 mars - 21 prill 2008, me miratimin e projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Malit të Zi, për bashkëpunimin policor ndërkufitar, me miratimin e projektligjit Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve dhe të Protokollit të saj për qarkullimin në zonat kufitare.
Gjithashtu, Kuvendi miratoi dekretin nr.5673, datë 21.3.2008, Për shkarkim ministri (pas dhënies së dorëheqjes së Ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu), dekretin nr. 5674, datë 21.3.2008, Për shkarkim zëvendeskryeministri (shkarkimin e z. Gazmend Oketa) dhe  dekretin nr.5675, datë 21.3.2008, Për emërim ministri (për emërimin e z. Gazmend Oketa në postin e Ministrit të Mbrojtjes).

Seanca i mbylli punimet rreth orës 13:20, ndërkohë që Kuvendi do të mblidhet sërish në seancë plenare ditën e hënë, më 31 mars 2008, ora 17:00.

Sektori i Marrëdhënieve me Mediat i Kuvendit

Tel/Fax: +355 4 23 74 18/ Tel: +355 4 26 48 95; e-mail: zyraeshtypit@parlament.al;
pressoffice@parlament.al; info@parlament.al.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›