E Shtunë, 31 Tetor 2026

32 gushti i opozitës

11-08-2012 / Nga Qemal Sakajeva

Sipas kalendarit, asnjë muaj i vitit nuk ka 32 ditë. Por, në të folmen e përditshme, për diçka që nuk ka fare vullnet, thuhet, “po, do të kryhet më 32 gusht”. Sjellja kundërthënëse e opozitës, për disa çështje thuajse jetike për vendin, ka krijuar një model të panjohur, në gjithë vitet e tranzicionit, i cili rrezikshmërinë nuk e paraqet vetëm si precedent dhe kohëzgjatje saç është mandati ndërmjet dy zgjedhjeve të përgjithshme, por absurdi është aq i stërpërsëritur sa nuk ka gjasa të përshtatet më në politikë, pasi do të braktiset pas një humbje të mundshme, në zgjedhjet e pritshme. Kundërthënia e opozitës, ose politika sëprapthi, nëse e fusim në standardin e një “formule gjuhësore”, merr këtë trajtë: “Jemi për po, por jo!”.
E fundit fare, qe beteja parlamentare e 6 gushtit: opozita, me një zë të vetëm, tha  se është  për kufizimin e imunitetit, por ajo do t’i thotë po… më 32 gusht! Të linte pamend ndërtimi i mospranimit edhe me arsyetimin,  pse qe lënë data 6 gusht. Ndërsa shumica i mëshoi qëllimit që, heqja e imunitetit - ose pika 8 e kushteve - përbënte një gjë  themelore, që do të ndikonte mjaft në qëndrimin e Bashkimit Europian për dhënien Shqipërisë të statusit të vendit kandidat. Të gjitha dihen, edhe nga transmetimi, i gjatë dhe i drejtpërdrejt, i disa kanaleve televizive, por skena  me dy palë vendosur krejt në pole përballë statusit, ta hiqte trurin. Shumica përshkallëzoi me durim  mënyrën e thënies së pikëpamjes: fillimisht i drejtoi opozitës thirrjen për votim të përbashkët; shpeshtësia e përsëritjes e shndërroi atë në gati si një lutje, për hir të një çështje madhore; kur u pa se thirrja e lutja nuk pinë ujë, ato u kthyen në  kritikë ndaj opozitës, e cila po shkon kundër interesave të shqiptarëve dhe rënia ndesh me kërkesën e ndërkombëtarëve; dhe, më në fund, shumica e akuzoi opozitën ashpër, se po e dëmtonte Shqipërinë dhe, për këtë ajo nuk do t’i shpëtojë përgjegjësisë, duke u ndëshkuar me votë. Opozita parakaloi në foltore tmerrësisht gjakftohtë, sidomos pa as dhembshurinë më të vogël ndaj shqiptarëve, pasi për të statusi vërtetë është i rëndësishëm, por ai të mos merret kur opozita nuk është  në pushtet. Domethënë, jemi për po, por jo.
E kapluar nga fobia e ndodhjes së gjërave madhore bash jashtë kohës së saj pushtetore - opozita ishte për  heqjen e vizave, por kjo të mos ndodhte nën këtë qeverisje. Në krye dhe brenda saj buis një kurajë e pabesueshme sa që, me lehtësi adoleshence, i  kundërvihet të dy palëve njëherësh - shqiptarëve me interesa të drejtpërdrejta, thuajse familje për familje, dhe ndaj Bashkimit Europian, që kërkon, nxit dhe mbështet përmbushjen e kushteve brenda afatit të caktuar.
Asisoj qe edhe për paraqitjen në Pragë, të kërkesës për marrjen e statusit të vendit kandidat. Tërsëllima e opozitës, se hapi po hidhej me  nxitim, shumë i parakohshëm dhe për kapital politik të brendshëm, qe në po këtë still: jemi për po, por jo. Nuk është parë një opozitë që, godet çapitjet për integrim të vendit, vetëm e vetëm se ajo llogari politike dëmtuese bëhet për ngjitjen në pushtet. Vonimi qëllimisht i Shqipërisë  drejt Europës, për t’u përputhur me vonesën e ardhjes së opozitës në pushtet, përbën një strategji politike tejet të papranueshme. Gjatë tre viteve, jemi dëshmitarë të  zbatimit të  strategjisë së  bllokimit,  për marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE, një llogari e atillë që, mosmarrja e statusit të mbërrijë në kohën e zgjedhjeve të ardhshme. Por, në sytë  e shqiptarëve vjen e qartë pamja: shumica përpiqet t’i përmbushë kushtet, opozita luan bllokuesin me kushtëzime, nëpërmjet një variacioni  mënyrash, duke thënë se, jemi për po, por jo.
Kundërshtimi për  pranimin e Shqipërisë në NATO ka qenë një spektakël politik, edhe i guximshëm në synimin  e vet. Por humbja e opozitës më 2009, paska qenë e merituar, përveçse me votë, edhe si një ndëshkim pasthënës se, ajo nuk duhet të ishte në pushtet, kur Shqipërisë i aviteshin ngjarje të paimangjinueshme, siç qenë anëtarësimi në Aleancën e Atlantikut Verior, heqja e vizave dhe statusi i vendit kandidat për në BE. Opozita nuk humbi thjesht zgjedhjet 2009, por gjatë katër vjetëve me pas, humbi mundësinë e jashtëzakonshme, të krijonte kapital të pamatë me politikë, për t’u bërë pjesëmarrëse, dhe  jo thjeshtë  pjesëmarrëse: ajo, duke mos përshtatur një politikë, të fortë dhe ndërtuese, humbi tri raste raste që i nuk vijnë më në histori, të bëhej, as më pak e as më shumë, por gjysma e madhe kontributore në tri hapat gjigandë të Shqipërisë, në prag të 100-vjetorit të shpalljes së pavarësisë, anëtarësimi në NATO, heqja e vizave, marrja e statusit të vendit kandidat.
Perëndimi euro-atlantik ka dy shembuj të mëdhenj brenda për brenda shqiptar: nëse do të kishte marrë parasysh qëllimin e vërtetë të politikës së përhershme bllokuese të opozitës, as Shqipëria nuk do të ishte pranuar  në NATO, as shqiptarëve nuk do t’u ishin hequr  vizat. Kësaj sjelljeje politike, BE ia vlen t’i japë edhe mësimin e tretë, që ajo të pushojë së kthyeri në precedent për forca të tjera politike në të ardhmen. Brukseli  ka brenda vetvetes dy shembuj shumë të dallueshëm ballkanikë. Së pari, rasti i Maqedonisë, të cilës  iu dha statusi i vendit kandidat në kulmin luftës. Të gjithë e kuptuan, atëherë, më pas dhe sot e kësaj dite se, ajo qe mbështetje për zgjidhjen që duhet të vinte në raportin e dy popujve bazë atje, maqedonasve dhe shqiptarëve. Statusi i vendit kandidat në përkrahje të properëndimorëve serbë, ra si një frut i pjekur në shportën politike të qeverisë së radikalëve me nam në Beograd. Edhe Shqipërisë ia vlen t’i jepet përgjigje pozitive në tetor, për t’i thënë çdo politike bllokuese se, bllokimi i gjatë, i llojllojshëm, vonuese dhe dëmtuese, nuk është sjellje europiane, ndaj duhet kapërcyer përmbi të, që ajo të përjetojë dështim  dhe forca politike të reformohet.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›