E Shtunë, 31 Tetor 2026

Heqja e imunitetit, debati, analizat dhe analistët

11-08-2012 / Nga Eden Babani

Nuk ka dyshim se mos-heqja e imunitetit parlamentarëve, zyrtarëve të lartë dhe gjyqtarëve ka qenë, është dhe do të mbetet Thembra e Akilit e Edi Ramës për mbijetesë në pozitën e uzurpatorit të PS-së. Rasti nuk është i barabartë, ta zëmë, me zgjedhjen e Presidentit, kur bëri çmos ta pengonte, por në fund, tek e pa s’e s’i doli, bëri sikur e uroi Kreun e ri të Shtetit në ceremoninë e zhvilluar në Presidencë me rastin e investiturës. Ishte tualeti i radhës, rast ceremonial, që të shtronte një cipë kremi demokratik mbi fytyrën e vet politike. Kurse heqja ose mos-heqja e imunitetit ka të tjera motive që e mbajnë mbërthyer me thonj e me dhëmbë pas jo-së.
Si një ndër anëtarët më të fuqishëm të klubit të miliarderëve, interesat e Ramës janë pazgjidhshmërisht të lidhura me ato të anëtarëve të tjerë të klubit. Por, sipas do ligjesh të pashkruara, mbi të cilat funksionojnë organizma të tilla okulte, janë pikërisht ata, anëtarët e klubit, që të ngrenë në majë të Himalajeve, në Everest, ose të zhytin në fund të thellësive të Paqësorit, në gropat e Marianës. Ngjitje-zbritja ndikohet nga interesat e klubit, shpesh herë kredhur në afera mafioze. Në këtë kuptim, ka vite që Ramës ia kanë shkulur thonjtë bash ata që e mbajnë dhe, si maçokut pa thonj, të cilin e përzënë prej shtëpie ngase nuk është në gjendje të gjuajë për minj, një ditë prej ditësh edhe atij do t’i duhet të dalë në pension të parakohshëm, ta lërë me dashje a pa dashje strehën që e mbulon.
Ideja e Kryeministrit Berisha për referendum popullor e gjeti të papërgatitur Ramën dhe shpurën që drejton. Reagimi i menjëhershëm i tellallëve të tij për referendume mbi referendume, thua se ato janë kokrra fiku qê këputen nga dega e kapërdihen me gjithë lëkurë, nuk ishte veç një shpërthim i dëshpëruar nervoz, tamam si ai i egërsirës së rënë në lak. Të njëjtën gjë donin të jetësonin afro dy vjet më parë fanatikët e lidhur me regjimin komunist, tek hodhën idenë për referendum që të mos prishej piramida e ngritur në kujtim të diktatorit Hoxha. Tashmë dihet se ideja e një referendumi që s’mundi të gjejë mbështetje në popull, avullon sakaq, ende pa u hedhur në diskutim. Këtë fat pësoi ideja a nostalgjikëve të Hoxhës për të mbajtur shtëpinë e mumies, si çiban në mes të Tiranës. Të njëjtin fat do të pësonin edhe referendumet e supozuara të Ramës, nëse nuk do të kishte në PS mendje që gjykojnë me gjakftohtësi, të cilat, mesa duket, i frenuan aq sa munden marrëzitë e liderit të tyre.
Megjithatë, polemika sapo ka marrë zjarr. Replikat venë e vinë, herë me bukë e herë pa bukë. Vasilika Hysi ka mendimin se Berisha nuk di të lexojë Kushtetutën, kurse ajo po. Për mua, problemi është tejet i thjeshtë. Siç kam bindjen, Berisha do ta shpallë referendumin në kushtet politike që janë krijuar, pavarësisht rrugëve kushtetuese që nuk mungojnë. Le të shpresojmë të mos humbë kohë. Është kërkesê e ditës, kërkesë që do të kënaqte çdo qytetar tek ta shihte veten përpara ligjit një me pushtetarin, të cilit i ka dhënë votën dhe e ka veshur me pushtet. Hysi le ta pengojë. Kush do të ngadhënjejë? Zaten, kur dy vezë përplasen, njëra do të thyhet se s’bën.
Unë dyshoj që zonja deputete të dijë ta lexojë Kushtetutën aq mirë sa ç’ kujton. Përkundrazi, kam frikë se ajo e lexon me syze edviniste, të cilat ia deformojnë të vërtetën, sipas filozofisë së gomarit që i lutej Zotit ta bënte realitetin ëndërr. Jam i bindur se e ardhmja do ta tregojë pa vonesë cili ka të drejtë dhe cili jo.
Tashmë është e qartë se nuk kanë fuqi ta ndryshojnë rrjedhën e zhvillimeve politike as xhafajt, as hysajt, as një X a një Y, që, si gramafona të prishur përsëritin të njëjtin avaz të dalëmode, të cilin nuk besoj t’ua marrë kush për politikë. Ata që i turbullojnë ujërat më së shumti, që hedhin gurin symbyllazi dhe që pështyjnë në çorbën politike sa herë u vjen përdoresh, janë do të vetëshpallur si përfaqësues të shoqërisë civile. Me pretendime e poza analistësh e specialistësh për gjithçka, që s’dinë çka kërkojnë për interesa të shoqërisë civile, por edhe që nuk dihet kush i pompon e u fryn në vesh, këta bëhen më të rrezikshëm se xhafajt ose hysajt. Madje nuk është fare e rastit që kjo kategori e vetëshpallur si ajkë e shoqërisë civile, e pranishme deri në bezdi nëpër programe debatesh televizive dhe në faqe gazetash, këto ditë të filozofojë me lojëra fjalësh pse duhet hequr, pse s’duhet hequr a pse duhet kufizuar imuniteti, pa na thënë gjë. Madje një syresh, na çuditi duke na njoftuar se shitja e gazetave pësuaka rënie po t’u shkruaka për heqjen e imunitetit. Ha-ha-ha!... Ki durim, i nderuar lexues, dhe hidhi një sy ndonjërit prej këtyre shkrimeve që këto ditë qarkullojnë pa doganë dhe na shiten si kulmi i analizave politike. Të siguroj se nuk ke për të marrë vesh gjë prej gjëje, sado që problemi është i thjeshtë deri te s’mban më. Ja pse duhet hequr imuniteti dhe unë jam për heqje. Ose: Ja pse s’duhet hequr dhe unë jam për ta mbajtur. Pikë. Në këto kushte, vetë opsionet kanë mundësi të përballen njëri me tjetrin dhe opinioni publik, i cili nuk ka nevojë për dilemat e të vetëshpallurve specialistë për gjithçka, të ftillohet njëherë e mirë cili ndër ta është pro heqjes e cili jo, ç’ fytyrë ka njëri a njëra e ç’ fytyrë ka tjetri a tjetra .
Mirëpo unë dyshoj se problemi që kanë ata me vetveten nuk është aq i thjeshtë. Ata i kanë hyrë një rruge pa krye e cila i ka vënë nën trysni të dyfishtë. Në njërën anë sedra e shumë të diturit, çka i bën të besojnë se fjalën e kanë melhem për plagë (politike). Në anën tjetër, kujt t’ia prish, e kujt t’ia ndreq, sepse, edhe politika, edhe më the - të thashë nuk mbahen dot mbi vete, kur dy kunguj nuk mbahen dot në një sqetull...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›