E Shtunë, 31 Tetor 2026

3.2 miliardë euro?!

Arben Malaj

Në kulmin e debateve për qëndrueshmërinë fiskale të vendit dhe rrisqet për një krizë të borxheve, në të njëjtën ditë që duhet të argumentojë domosdoshmërinë e politikave shtrënguese, Kryeministri deklaroi se për tre vitet e ardhshme ka siguruar 3.2 miliardë euro kredi.
Sa reale është deklarata e Kryeministrit? Për cilindo parlamentar është e qartë që marrja e një kredie kërkon negociata, kërkon miratim në Qeveri dhe kredia konsiderohet e mundshme, për t'u përdorur pasi të jetë miratuar në Parlament. Të drejtën kushtetuese për ta futur vendin e tij në një borxh të ri e ka vetëm Parlamenti. çdo Kryeministër i çdo Qeverie serioze, këtë deklaratë do ta bënte ditën që do të miratonte projektligjet dhe do t`i dërgonte për miratim në Parlament. Deklarata e bërë në të njëjtën ditë që po shkurtoheshin rreth 300 milionë euro, në një mbledhje ku nuk u diskutua asnjë marrëveshje kredie, jo vetëm që nuk është reale por e dëmton kredibilitetin e Qeverisë.
Sa e mundshme është marrja e kësaj kredie dhe përdorimi gjatë tre vjetëve? Sigurisht që nga viti në vit, ekonomia shqiptare e ka të detyrueshme të rrisë huamarrjen e jashtme për të financuar investimet publike. Ashtu si çdo huamarrës, edhe çdo Qeveri ka disa mundësi të limituara, ka disa tavane maksimale, deri ku ajo mund të marrë kredi, si dhe ka një vlerësim të aftësive të shlyerjes së saj. Nga ky vlerësim, ku analizohen të gjitha risqet potenciale, ekonomike, sociale dhe politike, përcaktohet edhe kostoja e kredisë. Sasia e mundshme për të marrë kredi përcaktohet nga kufiri maksimal i mundshëm dhe nga kostoja e kredisë. Kostoja në rritje e kredisë shpesh i detyron qeveritë të gjenden përballë krizës së borxheve dhe përballë pamundësisë për të financuar ekonominë e tyre. Pra ekonomia shqiptare e ka të pamundur të tërheqë dhe përdorë 3.2 miliardë euro. Sipas të dhënave zyrtare, borxhi i jashtëm i vendit për periudhën 1991-2010 është vetëm 2.4 miliardë euro, ose rreth 120 milionë euro në vit. Vetëm këto vitet e fundit, ai është rritur me rreth 220 milionë euro në vit. Sikur shifra 3.2 miliardë euro të ishte reale, rritja e borxhit të jashtëm gjatë tre viteve të ardhshme do të ishte 100O%, krahasuar me mesataren e 20 viteve dhe 545 % më e lartë se huamarrja e dy viteve të fundit.
është e dëmshme një huamarrje tregtare kaq e madhe? Sikur të ishte reale dhe sikur të ishte e mundshme, a mund të ishte e dëmshme huamarrja me kushte tregtare të një kredie 3.2 miliardë euro për një periudhë 3 -5 vjet? Kjo analizë duhet të mbështetet edhe në disa shifra.
Shifra e parë është niveli maksimal i borxhit që i rekomandohet Qeverisë shqiptare. Edhe në analizën e fundit të FMN, ritheksohet se Shqipëria për të pasur stabilitet të financave publike, duhet tani dhe jo më vonë ta vendosë deficitin nën kontroll, pra mundësisht të ketë rritje të ekonomisë më të lartë se rritja e deficitit që të kemi ulje të borxhit publik. Në varësi nga diferenca e ritmeve të rritjes ekonomike me ritmet e rritjes së deficitit, do të kemi ulje apo rritje të borxhit publik. Rritja e borxhit publik deri në vitin 2015, në skenaret pozitive të ekonomisë shqiptare mund të zbresë në 40%, por në skenarët jo optimistë dhe pesimistë, llogaritet të rritet deri 70% e PBB-së.
Këto përllogaritje të ekipit të FMN janë publikuar në Korrik 2010, me qëllim për të rritur mundësinë për diskutime profesionale, burimi i referencës është: http://imf.org/external/pubs/ft/scr/2010/cr10205.pdf
Në nëntor 2010 do të diskutohet buxheti i 2011. Sipas përllogaritjeve të FMN dhe Qeverisë shqiptare, investimet publike për periudhën 2010-2015 do të jenë çdo vit rreth 5% të PBB. Shuma totale e investimeve publike do të jetë 210 miliardë lekë për periudhën 2011-2013, investimet e huaja për tre vjet do të jenë rreth 60 miliardë lekë ose rreth 450 milionë euro. Kjo shumë është rreth 14 % e shumës së deklaruar nga Kryeministri dhe mbrojtur me fanatizëm nga deputetët e maxhorancës.
Analiza që 3.2 miliardë euro mund të jenë të dëmshëm, mban parasysh tre treguesit: nivelin e deficitit, nivelin e investimeve publike dhe nivelin e borxhit publik. Duke qenë se kreditë nuk janë të ardhura në buxhet, pra nuk janë te burimet që rrisin investimet publike, por te burimet e financimit të deficitit, lehtësisht kuptohet që 3.2 miliardë euro janë rreth 36% e PBB, pra gjatë këtyre tre vjetëve, proporcionalisht Shqipëria duhet të ketë një deficit që minimialisht do të jetë 12%.
Po të mbajmë parasysh që deri sot huamarrja e brendshme është rreth 1/3 e financimit të investimeve tona publike dhe po të ruhet kjo strukturë investimesh, rezulton që deficiti ynë në një vit të jetë rreth 35%.
Edhe sikur qeveria të deklarojë se do t`i financojë gjithë investimet vetëm me financime të huaja sepse ka gjetur 3.2 miliardë euro, sërish deficiti do të jetë jo më i vogël se 12 %.
Nivele deficiti buxhetor me 12% apo me 20%, pavarësisht nga burimet e financimit janë ekonomikisht të dëmshme.
Sipas praktikave më të mira të transparencës fiskale, diskutimi i buxhetit të vitit 2011 do të kërkojë që Qeveria të sjellë të dhëna 5 vjeçare, për dy vitet e mëparshme, për vitin që diskutohet dhe për dy vitet e ardhshme. Pra do të diskutojmë me shifra për periudhën 2009-2013, aty do të qartësohet se 3.2 miliardë nuk është reale, nuk është e mundshme dhe për shkak se nuk mund të rritet deficit buxhetore mbi 3-4%, vet Qeveria e ka braktisur, duke mos e ripërmendur,
Vendi mund të reduktojë risqet e të ardhmes jo duke premtuar shifra kredimarrjeje jashtë çdo mundësie edhe teorike, por duke çliruar rritjen ekonomike të vendit, duke rritur përgjegjshmërinë politike për qeverisjen e vendit dhe duke krijuar besimin tek 3,2 milionë shqiptarë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›