E Diel, 1 Nëntor 2026

32 të proceduar dhe 48 mjete të bllokuara për shkelje rrugore gjatë javës në Tiranë

TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Policia Rrugore e Tiranës po zhvillon monitorim 24/7, me pajisje bashkëkohore, për të garantuar sigurinë rrugore dhe për të normuar lëvizjen në rrugë.

Në fokus të planeve të posaçme të masave, të ndërmarra javën e kaluar dhe gjatë fundjavës, ishin evidentimi dhe ndëshkimi i drejtuesve të mjeteve në efektin e alkoolit, që përdorin celularin dhe/ose nuk vendosin rripin e sigurimit/kaskën mbrojtëse.

Si rezultat i monitorimit konstant, gjatë kësaj periudhë u arrestuan/proceduan penalisht 32 shtetas, u bllokuan 48 mjete dhe u vendosën 13 522 masa administrative, ndër të cilat: 8818, për ndalim dhe qëndrim të gabuar; 1243, për mosvendosjen e kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve; 602, për mosvendosjen e rripit të sigurimit; 487, për përdorimin e telefonit gjatë drejtimit të mjetit; 66, për kalim të gabuar në karrexhatën e ngadalësimit; 26, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit. Po ashtu, u kryen verifikimi dhe kontrollet e përditshme ndaj mjeteve të transportit publik dhe ndaj atyre që transportojnë nxënës, për të parandaluar dhe konstatuar menjëherë shkelje që mund të cenojë sigurinë e pasagjerëve; monitorimi në terren dhe në hapësirën digjitale, i rasteve të bllokimit të lëvizjes në autostrada dhe/ose akse me fluks të lartë levizjeje, me kolona automjetesh që qarkullojnë për evente festive. Në këtë kuadër, pas publikimit të një videoje në rrjete sociale, që shfaqte këtë sjellje të kundërligjshme në autostradën “Tiranë-Durrës”, u ndërmorën masa të menjëhershme, si procedimi në gjendje të lirë, i 3 prej shtetasve që shfaqen në pamje, për veprën penale “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”, si dhe sekuestrimi i automjeteve që ata drejtonin dhe masa administrative përkatëse sipas kodit rrugor. Veprimet vijojnë për të nxjerrë përpara përgjegjësisë ligjore, të gjithë autorët e kësaj sjellje të kundërligjshme që shkaktoi kaos në qarkullim dhe u bë pengesë për përdoruesit e tjerë të rrugës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›