34 vjet burg për babë e bir, akuzohen për trafikimin e një vajze për prostitucion

Prokuroria e Krimeve të Rënda kërkoi dje dënimin me 34 vjet burg të të pandehurve Astrit dhe Nolgert Pata, babë e bir, të cilët akuzohen për trafikimin për qëllime prostitucioni të një vajze shqiptare disa vite më parë në Norvegji. Gjatë seancës së djeshme në Gjykatën e Krimeve të Rënda, përfaqësuesi i Prokurorisë lexoi konkluzionet e hetimit dhe në përfundim, kërkoi dënimin me 18 vjet burg për Astritin dhe 16 vjet për Nolgert Patën. Në seancën e radhës, Gjykata do të njihet me pretendimet e palës mbrojtëse dhe më pas, do të shpallë vendimin. Vajza, e cila dyshohet se është trafikuar për prostitucion në shtetin nordik nga Astrit dhe Nolgert Pata, po i nënshtrohet një programi mbrojtjeje nga autoritetet e atjeshme. Dy të pandehurit e procesit në fjalë u arrestuan një vit më parë në një operacion të organizuar nga policia e Shtetit pas denoncimit të bërë ndaj tyre nga vajza e trafikuar në Norvegji.
...