E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shërbimi i transportit urban në Tiranë është drejt falimentimit

Transporti urban i Tiranës po shkon drejt falimentimit. Për këtë Shoqata Kombëtare e Transportit Qytetas kërkoi nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë të mbledhë në një tryezë të përbashëkt drejtuesit e Ministrive të Linjës dhe Bashkisë së Tiranës për të gjetur një zgjidhje të shpejtë me qëllim krijimin e kushteve më të favorshme për qytetarët dhe mos falimentit të kompanive që merren me transportin e kryeqytetit. Për këtë qëllim Dhoma e Tregtisë kërkoi nga Sokol Olldashi, Ministr i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Ridvan BODE, Ministër i Financave, Edi Rama, Kryetar i Bashkisë Tiranë, Anastas DURO, Ministër i Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Bujar Nishani, Ministër i Brendshëm, Gazmend Oketa, Ministër i Mbrojtjes të kishin në këtë tryezë përfaqësuesit e tyre për të gjetur një zgjidhje të këtij handikapi të krijuar. Diskutimi u fokusua në këto pika të rëndësishme: decentralizimi i kompetencës për caktimin e çmimit të biletave të udhëtimit, për të garantuar fleksibilitet në varësi të ndryshimit të çmimeve të naftës; miratimi i skemës për kompensimin e vlerave për kategorinë e qytetarëve që udhëtojnë falas; caktimi i organit shtetëror, që me përgjegjësi duhet të pajisë qytetarët me dokument identifikimi (për përfituesit falas); ritja e çmimit të biletës në vlerën që të garantojë investimet për rritjen cilësore të shërbimit.


Në të vërtetë të gjitha këto e kanë një zgjidhje me projektvendimin që është hartuar nga qeveria shqiptare që në nëntor të vitit të kaluar, por që deri tani nuk ka marrë formën e duhur për zbatim. Ky projekt konsiston në përcaktimin e qartë të skemës për kompensim të qytetarëve që udhëtojnë falas, duke sjellë kështu dhe një zgjidhje përfundimtare të këtij problemi.


Por deri tani nuk ka një miratim të këtij projekti duke i cuar kompanitë private të transportit urban drejt falimentimit.


Zgjidhja e kërkuar në këtë tryezë është praktike dhe e drejtë, por asnjë nga Ministritë që kanë lidhje të drejtpërdrejtë me ekzekutimin e këtij projekti apo Bashkia e Tiranës nuk e kanë bërë të mundur një gjë të tillë, duke ja hedhur topin në derë njëra-tjetrës. Përcaktimi i qartë i skemës së subvencionimit për këtë sipërmarrje, që do të thotë duhet të jenë ministritë e linjës ato që duhet të përcaktojnë qartë personat që duhet të kenë transport falas dhe më pas të jenë po këto ministri që të bëjnë subvencionimin, do të sillte një zgjidhje të problemit, duke shpëtuar kompanitë nga falimentimi dhe duke siguruar njëkohësisht transport më të shpejtë dhe në kushte më optimale.


Drejtuesit e ministrive përkatëse u shprehën që do të gjejnë një zgjidhje të shpejtë për këtë problem, por mbetet Ministria e Punëve Publike ajo që nuk e ka bërë të qartë skemën e subvencionimit të këtyre kompanive përkatëse. Por as bashkia e Tiranës edhe pse kërkon që për pensionistët, për invalidët apo qytetarë të tjerë të ketë transport falas nuk ka kërkuar një zgjidhje nga pushteti qëndror. Kjo zgjidhje do të ishte kërkesa për grant nga qeveria në mënyrë që të bëhej subvencinimi i transportit urban, ose në të kundër decentralizimi i lejeve të transportit. Megjithatë ajo cfarë u konkludua në këtë takim ishte gjetja e një zgjidhje të shpejtë dhe projektvendimi i hartuar nga Ministria e Financave të mos mbetet një projekt në letër.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›