E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korriku do të vijë sërish…

Fakti i të qenit larg dhe mallit që çdo emigrant i brezit të parë ndjen për vendlindjen na bën që të ndjekim me vëmendje zhvillimet në Atdhe. Një nga temat më të lakuara mbetet çështja Fazlliç,për pasojë cilido  nga ne i bën pyetjen vetes: Kush është ky Fazlliçi. Po të ndjekësh zhurmën mediatike dhe politike që bëhet rreth këtij personi mendja të shkon se kemi të bëjmë me ndonjë nga ato fenomenet e rralla ose super të rralla që shpesh herë mendja jonë e sëmurë,në mungesë, të aftësisë për t’u marrë me problemet e vërteta që i kemi me shumicë,kërkon të na servirë si ushqim  te tryezës tonë të përditshme. Nga ato që thuhen dhe nuk thuhen, mësojmë se zotrija  paska bërë ca biznese, që në zhargonin tonë quhen të “shkathëta”, d.m.th na e ka hedhur të gjithëve. Mësojmë se prokuroria jonë krejt "apolitike", kjo sa per shaka, paska mësuar nga shtypi i ynë krejtësisht "i pavarur" dhe kjo sa për shaka, se zotërija mund të ketë shkelur ligjet tona të mirëkonsoliduara. Dhe opozita jonë, për të cilën prokuroria jonë nuk ka asnjë dijeni se dikush mund ta ketë akuzuar për të bëma që ja kalojnë shumfish historisë 'Fazlliçjane', si kujdestare e konsiliduar tashmë e pastërtisë (i)morale, ngrihet dhe do të na mbushë mendjen se e gjeti fajtorin e të gjitha të këqijave që i kemi aq me bollëk, sa po të ishin mall për t’u shitur, do ishim më të lumturit e botës. Kërkohet një debat në parlamentin tonë, për të thënë që ne dimë të kërkojmë llogari. Duke qenë se nuk ka asgje për të cilën mund të debatohet, qeveria, si çdo qeveri tjetër që ka për çfarë të mburret, e shfrytëzon rastin per të evidentuar arritjet e saj. Fakti që deri tani kemi vetëm thashetheme gazetash të majta dhe për sa kohë nuk ka vendim gjykate që të vërtetojë akuzat, kusht i domosdoshem që dikush të deklarohet fajtor, ngelemi vetëm në terrenin e thashethemeve. Thamë se nuk ka për çfarë të debatohet, mbasi kryeministri që në momentin e parë ia pat deklaruar Braçeve dhe atyre që e përdorin Braçen si papagall, që jo vetëm e njeh z.Fazlliç, po e konsideron edhe mik. Dhe kjo është ajo që u djeg zotrinjve të opozitës. Berisha me atë deklaratë,në mënyrë figurative, u tha zotrinjve të opozitës “ruhuni, Fazlliçi prapë do të vijë”. Nuk ka njeri në vendin tonë që nuk e di se sa të koruptuar e kishim qeverinë paraardhëse, nuk ka njeri në Shqipëri që nuk ka lexuar akuza dhe kundërakuza, jo vetëm për korrupsion, po edhe për vjedhje, bile edhe për vrasje, duke filluar nga aksidentalet, ordineret dhe politiket, pothuaj të përditshme gjatë qeverisjes socialiste. Dhe deklaratat e prokurorisë se veproi mbasi i nderuari shtyp i ynë i "pavarur" paska evidentuar shkelje të ligjit nga ana e zotit Fazlliç, është jo vetëm e pasaktë, po edhe cinike, se nëpërkemb inteligjencen e popullit. Në rast se me të vërtetë do kishim një prokurori të tillë, cilido nga ne do bënte pyetjen e natyrshme: Cili nga politikanët tanë ose familjaret e tyre i ka shpetuar akuzave për korrupsion e bile për vjedhje? Eshte fakt që këto akuza i kemi dëgjuar edhe nga foltorja e parlamentit. Dhe natyrshëm do pyesnim, për cilin nga këto të stërpërfolur, kjo prokurori hapi padi penale. Përkundrazi, do ndesheshim me faktin që jo vetëm nuk ka vepruar, por edhe raportet e komisioneve parlamentare i ka depozituar në skuta që nuk i gjen as djalli. Arsyeja pse kjo prokurori vepron kështu është e thjeshtë. Jo vetëm një pjesë e prokurorisë, po një pjesë e mirë e aparatit të drejtësisë është e tejmbushur me ish-sigurimsa, qe në fitoren e pritshme të PD e aleatëve të saj të djathte, jo vetëm e ndjen, po eshtë e sigurtë se fundi i karrierës së tyre kriminale është i pashmangshëm. Folëm për prokurorinë, për një pjesë të saj, se ne kemi nga ata nëpunës që i shërbejnë shtetit dhe shoqërisë në mënyrë të shkëlqyer. Këtu është fjala për atë pjesë të prokurorise politike që është realisht pjese e së majtës politike. Ndërsa për të majtën ose trashëgimtaren e ideologjisë komuniste do të thoshim se populli e kupton lojën e tyre. Të gjithë e kujtojmë se si akuzonin L.Bashën në fillimet e qeverisjes së PD-së, duke menduar se do të jetë kandididati i saj për kryetar të bashkisë në Tiranë. Duke mos pasur se çfarë t’i thone Berishës personalisht u morën me të bijën, një profesioniste e shkëlqyer, po që simbas logjikës së tyre duhet të punësohet diku ne hënë, e duke qenë se akuzat e tyre nuk po pinin ujë, kanë filluar të lakojnë edhe emrin e të birit. Po përdorin fatkeqesinë e Gërdecit në mënyrën më cinike, bile edhe vdekjen e një qytetari paturpësisht u munduan ta shfrytëzojnë për qëllime politike, qëllime që nuk kanë asgjë të përbashkët me interesat e qytetarve, po vetëm me interesat e tyre te errëta. Sidoqoftë ata e kanë njëfarë të drejte. Thënia e kryeministrit “Ai është miku im” i trondit komunistët. Ata e dinë mirë se Fazlliç është miku i sekretarit të parë të sigurisë kombëtare në ShBA, Tom Ridxhe, një ndër njerëzit e fuqishëm në ShBA. Dihet se Fazllic solli kompaninë BG&R që menaxhoi fushatën e PD në zgjedhjet e vitit 2005 dhe komunistët e dinë se eksperienca e njerëzve të përgatitur profesionalisht, si ata të kompanisë BG&R, për të evidentur arritjet e qeverisjes demokratike është e papërballushme për mediokritetin e akuzave ala Braçe e slloganet për politikë të re, që nuk i thonë asgjë popullit. Politika përtej partive na kujton 'Frontin' e famshëm demokratik, që nuk ishte as më pak e as me shumë se paradhoma e partisë së punës. Bashkëbisedimi me popullin, që rreken të të shesin si origjinale Edistët, na kujton propagandën enveriste ''gju më gju me popullin”. Praktika leniniste (hidhe një rrenë në treg, përserite njëqind herë, se diçka do të mbetet) është e pafuqishme të errësojë arritjet e qeverisë demokratike. Fazlliç si person po të jetë fajtor do marrë atë që i takon, ndërsa si simbol ai u kujton atyre korrikun 2005. Korriku po vjen sërish.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›