E Diel, 1 Nëntor 2026

Ne, shqiptarët, mund të nxjerrim përsiatje interesante

Një libër historik që shndërrohet shpesh në romancesk ka arritur të nxjerrë në dukje për opinionin, sjelljet e njerëzve më mizorë të shekullit 20. që nga Rasputini e Hitleri, deri tek Milosheviçi, gama e krimeve mbetet e paplotë sepse fatkeqësisht aty është harruar diktatori Enver Hoxha

Si më ra në dorë “Protagonistët e së keqes”- Kam korrektuar e redaktuar një numër të madh librash. Ndërmjet shumë syresh, mjaft janë të tillë që mbajnë në krye emra autorësh me vlerë të padyshimtë. Janë këta që më kanë bindur se kjo punë ka qenë me duk. Ndër vlerësimet e kësaj veprimtarie mund të përmend njerëz në të cilët besoj në shqipen e tyre të përkorë, në shmangien e fjalëve të huaja të zëvendësueshme, në njohjen e mirë të drejtshkrimit dhe të gjuhës: M. Elezin, Q. Sakajevën, A. Plasarin, L. Myftiun, E. Babanin, G. Zilen. Kështu kam korrektuar e redaktuar mjaft libra, disa prej të cilëve me pororsinë e të njohurve. Në këto raste nuk kam pranuar honorare, ndonëse më është shpërblyer mundi në një mënyrë fare të tërthortë. Rasti më i fundit i këtij lloj shpërblimi është një libër që më erdhi nga Bari i Italisë, në një mbështjellje postare, me  një letër përcjellëse brenda, nga autori i një libri të cilin e kisha redaktuar kohë më parë. Përveç disa fjalëve falënderimi, postuesi më shpjegonte se e kishte blerë lirë këtë dhuratë në një “Fiera” të librit, me gjysmë çmimi: nga 18,50  euro në 9,25 euro. Vërtet aspak i shtrenjtë për një libër 450 faqesh. Përmbajtja e letrës kishte të bënte me drojen e dërguesit që të mos shqetësohesha se mos ishte harxhuar, meqë në atë panair libri, të gjithë librat shiteshin me gjysmë çmimi.
Njëlloj enciklopedie nga e cila mund të nxjerrim përfundime të vërteta - Në këtë libër janë paraqitur fotot e Rasputinit, të Stalinit dhe të Hitlerit. Por portreti i Enver Hoxhës, a do të jetë?- mendova së pari. Pas titullit lexoj si nëntitull: “Udhëtim ndërmjet personave më mizorë e më ndjellazinj të historisë”. Në faqen e prapme të mbështjellëses janë rreshtuar 46 prej personazheve më të kobshme historike. Ky libër më përthithi, më bëri ta lexoj me rrëmbim dhe të nxjerr shumë përsiatje për temat e mia të përzgjedhura të gazetarit. Fillon me Dalilanë e sh. X para Krishtit dhe mbaron me Osama Bin Ladenin, që u lind në vitin 1957 dhe është ende i gjallë. Kapitulli i fundit (“Terrori modern”, f. 403), vjen fill pas “Terrorit nazist” (f. 355).  Në “Terrorin nazist” renditen Hitleri (1889-1945) dhe ata që u proceduan në Nuremberg: Bormani, Friku, Ribentropi, Gëringu, Kalterbruneri, Kajteli, Rozenbergu, Franku, Shrajkeri, Zankeli, Jodël-i, Holbahu, Shirahu, Dyneci, Shpeari, Hesi  (12 të parët, u ekzekutuan). Në “Terrorin modern” rreshtohen Stalini (1879-1953), Çaushesku (1918-1989), Pol Poti (1928-1998), Idi Amin-Dadai (1925-2003), Millosheviçi (1941-2006) dhe Osama Bin Ladeni. Në 15 kapituj përfshihen mbi 70 personazhe. Për Sllobodan Millosheviçin libri përmban dy faqe. Autorët José Maria dhe López Ruiz e quajnë kasapin e Ballkanit (siç e cilësojmë né) si individin e parë që është akuzuar dhe gjykuar për krime kundër njerëzimit, në një gjyq penal ndërkombëtar. Orvatja për një gjë të tillë vlerësohet si një prirje (që mund të mos ketë vazhdimësi- siç shkruhet ) që t’i ndalojë diktatorët që t’i shmangen veprimtarisë ndëshkuese të drejtësisë ndërkombëtare. Gjyqi i Millosheviçit quhet si një vazhdim i atij të Nurembergut, të vitit 1946, kundër kriminelëve nazistë. Përmendet prishja e Autonomisë së Kosovës dhe asaj të Vojvodinës. Lexojmë se “në gushtin e vitit 1991  u shkëputën me forcë nga Jugosllavias republikat e Sllovenisë dhe të Kroacisë, gjë e cila i dha fillesën një përndjekjeje të pakufizuar kundër banorëve myslimanë të Bosnje-Hercegovinës. Gjatë këtyre përleshjeve vdiqën më shumë se 200.000 veta (Pranverë e vitit 1992)”. Po citojmë edhe: “Në Srebenicë, gjatë të tri ditëve të pambarueshme, u eliminuan tetëmijë civilë të paarmatosur” (Na kujtohet krimi Tivarit, kur partizanët tanë kishin kaluar kufirin verior, për të ndihmuar Titon që të vriste mijëra shqiptarë të pafajshëm dhe ngjarja e zezë të mbahej e fshehtë nga antikombëtarët e E. Hoxhës).

Jetëshkrimi i kriminelit Millosheviç mbyllet më 6 tetor të vitit 2000, “pasi ai i humbi zgjedhjet, të cilat u fituan nga armiqtë e tij që kryesoheshin nga Vojsav Koshtunica”. Këtu duket se vepra është e cenueshme në rigorozitetin historik, dhe herë-herë merr pamje romanceske, interesante nga pikëpamja letrare, por jo gjithmonë e përpiktë në prizmin historik (Konkretisht, Koshtunica nuk ishte armik i Millosheviçit, por i të njëjtit mendim shoven me të, veçse me metoda të ndryshme, pseudodemokratike). Të dy faqet e librit mbyllen me manifestimet e banorëve të Jugosllavisë “gjatë të cilave gjysmë milioni manifestuesish zaptuan rrugët e Beogradit dhe pushtuan godinën parlamentare”. Meqë libri është shtypur në vitin 2004 dhe në vitin 2006 ka dalë sërish në qarkullim, lind pyetja. - Përse nuk përmendet kasaphana e vitit 1999 në Kosovë?
Ja, mangësitë historike. Por libri është me vlerë për të nxjerrë në pah protagonistët historikë të së keqes, sido që edhe të letrarizuar në mjaft raste, në njëfarë lëshimi në të vërtetën historike. Në ballancim të kësaj libri jep disa imtësira dhe të dhëna të qëmtuara, që rrallë gjenden në libra historikë të mirëfilltë. Kësisoj duket si një enciklopedi personash keqbërës ndaj njerëzimit. Duke e këqyrur në këtë vështrim, nxirren mjaft përfundime të sakta. Ne do ta bëjmë edhe këtë orvatje.
Pëshpëritjet për marrëdhënie intime të çuditshme/Për Napoleonin shkruhen, për shembull 22 faqe në të cilat përshkruhen jo vetëm luftërat e tij, por edhe “luftërat ndërmjet kunatave” (që nënkupton grindjet ndërmjet gruas Jozëfina dhe motrës Paolina. Kjo nuk e honepste dot Jozefinën e bukur kreoline, 6 vjeçe më e madhe se perandori. Për më tepër Paolina dyshohej se synonte një nuse tjetër për Konsullin e Parë (të vëllanë, në atë kohë), në mjediset e shoqeve të saj, më të reja dhe më të bukura se zonja e Fontenëblosë (pallatit kryekonsullor), Jozefina Boharnesë. Por edhe kjo nuk donte t’ia dinte fare për rreziqet që mbartnin llafet që kapte ande-këtej ndërmjet dashakeqëve të Napoleonit për gjoja dashuritë trupore ndërmjet Paolinës dhe Napoleonit!... Përshkrime të tilla, shpesh të hollësishme, marrin karakter romancesk. Pra, libri është një përzierje letraro-historike, do të thoshim jo me shformime të rënda historike, pavarësisht nga të rënit shkurt të disa fakteve të cilat autorët, mbase, mendojnë se gjenden në librat thjeshtësisht historikë. Në vijim të pëshpëritjeve, përmendet edhe zjarrllëku i Napoleonit për Hortensën, bijën e Jozëfinës nga martesa e parë e kësaj me Boharnénë, që kishte rënë pré e gijotinës gjatë kohëve të turbullta të Revolucionit Francez. Mbase për të shmangur llafet, Napoleoni e martoi Hortensën me të vëllanë dhe e bëri mbretëreshë të Hollandës... Thashethemet, - thamë, - përshkruhen hollësisht.
Përfundime të rëndësishme për çka na intereson - Që të japim një argument që s’ka të bëjë me letërsinë e pësh-pësheve, pra me  thashethemet me ngjyrime historike: Si është e mundur që Enver Hoxha të mos përmendet fare si protagonist i së keqes? Në mjaft personazhe të tilla, për objektivitet historik, paraqitet edhe ndonjë fakt pozitiv. Për shembull, për Napoleonin përmenden edhe “nismat e famshme”, si Kodi Civil, por edhe themelimi i Bankës  Kombëtare të Francës. Në amanetet  me shkrim të perandorit,të robëruar në Shën Helenë, është lënë edhe kjo kërkesë testamentare: që eshtrat e tij të pushojnë  në brigjet e Senës, në mes të popullit francez, “të cilin e ka dashur kaq shumë”. Kurse për E. Hoxhën ekziston një mori dokumentesh që dëshmojnë për shpërfilljen e kombit të tij nën emblemat hipokrite të internacionalizmit proletar hipokrit. Dokumenti më poshtërues  e më antikombëtar është ai i cili i propozohet Titos nga E. Hoxha që ky i huaj të bëhet édhe Sekretar I i K.Q. të P.P.Sh-së! Një gjë të tillë s’e ka bërë as Kuislingu!

Për këtë tradhti kombëtare të faktuar, panegjirikët e diktaturës preferojnë të heshtin, të mos japin asnjë shpjegim: temë tabù. Si njaft tema të tjera komprometuese.
Por arsyeja më e besueshme se përse autorët e këtij libri nuk kanë thënë asnjë fjalë të vetme për ta quajtur Enverin si protagonist të së keqes është se e kanë quajtur këtë tiran stalinist, fare të parëndësishëm, në përmasat globale. E kanë quajtur  me masën e një molekule! Këtej del edhe megalomania e një mitomani që e paskësh ngritur Shqipërinë në “lartësinë e fanarit ndriçues të marksizëm-leninizmit në botë”! (meqë edhe Kina kishte rrëshqitur në prehrin e kapitalizmit, sikundër shtetet e tjera të ish-Kampit Socialist ishin zvetënuar  si vende “revizioniste“ !). Shkurt: autorët e kanë paraqitur tërthorazi E.H.-n si bretkosën e La Fontenit, që deshi të zmadhohej sa një ka dhe... plasi si një flluskë sapuni... Kjo demagogji enveriste nuk mund të mbështetej në ditirambet e aventurierëve të tipit Fosko Dinuçi e të disa qylxhinjve të tjerë që bënin vakancat gratis në vendin tonë. Është fakt i vërtetuar nga emigrantët tanë të parë të cilët, në vende të largëta, por edhe të afërta, ndesheshin me pyetjen: - “Jeni shqiptar, jeni nga Shqipëria. Po ku bie ky vend, ku ndodhet?!”.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›