Ekstradohet nga Athina një shtetas i akuzuar për rrëmbim personi

Zyra e "Interpol Tirana" kreu gjatë ditës së sotme ekstradimin nga Athina (Greqi) drejt Shqipërisë të shtetasit shqiptar, Mihal Shkëmbi, lindur më 12.06.1971, në Korçë. Burime zyrtare të Policisë bënë të ditur se Gjykata e Rrethit Gjyqësor Pogradec, me vendimin nr.59, datë 15.09.2007, ka caktuar masën e sigurisë "Arrest në burg", për kryerjen e veprës penale "Rrëmbim ose mbajtje peng personi në bashkëpunim", parashikuar nga neni 109/1/2 i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë. Më datë 11.09.2007, shtetasi i posaekstraduar Mihal Shkëmbi, në bashkëpunim me shtetasin Adriatik Zenullari, dhe një person të tretë të paidentifikuar, rrëmbyen tek agjencia e fugonave të Pogradec, shtetasen Th.M, së bashku me fëmijën e saj të mitur, duke i mbyllur në një shtëpi në fshatin Drenovë të Korçës, pronë e shtetasit Mihal Shkëmbi. E dëmtuara së bashku me fëmijën ja dolën të largohen më pas nga kjo banesë duke zbritur nga ballkoni me anë të një çarçafi. Në bazë të Konventës Europiane të Ekstradimit si dhe nenit 504 te K.PR. Penale, Organet tona të Drejtësisë kërkuan ekstradimin nga Athina të këtij shtetasi, ç'ka u realizua dje, bënë të ditur burimet.
...