E Shtunë, 31 Tetor 2026

Legalizimet emrat e 127 perfituesve qe kompensohen

AKKP: Nis sot ndarja e 320 milionë lekëve

Merr fund pritja e gjatë për pronarët e tokave të zaptuara nga ndërtimet pa leje. Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave zbardhi dje listën me 127 përfaqësues që do të tërheqin kompensimin në degët e bankave, duke nisur nga dita e sotme, 28 dhjetori. AKKP-ja deklaron se ka përfunduar raundin e dytë të procesit të shqyrtimit të kërkesave të subjekteve, pasuria e të cilëve është prekur nga ndërtimet informale dhe që përfitojnë këstin e parë të kompensimit apo shpërblimit në masën prej 21,89% të shumës së miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave. Procesi u bazua në Vendimin e Këshillit të Ministrave nr.383, datë 19.05.2010, “Për përcaktimin e procedurave të shpërndarjes së fondit të kompensimit në vlerë për pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga ndërtimet informale”, të ndryshuar dhe në vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave, në të cilat është përcaktuar masa e shpërblimit për secilin pronar.

Në përfundim të këtij procesi, janë miratuar 127 kërkesa për tërheqjen e kompensimit/shpronësimit në të gjithë vendin. Nga ky proces përfitojnë një numër prej rreth 400 pronarësh ose bashkëpronarësh, në shumën e përgjithshme prej rreth 320 milionë lekësh. Vlerat përkatëse për secilin përfitues do të jenë disponibël në llogaritë bankare të depozituara në AKKP, duke filluar nga data 28 dhjetor 2010.

“Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave me këtë rast falënderon të gjitha subjektet aplikuese dhe institucionet shtetërore për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin e shfaqur për përmbylljen në afat të procesit”, - u shpreh dje drejtori i përgjithshëm, Elvis Çefa.

Me këtë rast, AKKP-ja i bën thirrje të gjitha subjekteve të interesuara, emrat e të cilave rezultojnë në listat përfituese të shpronësimit, të miratuara me Vendim të Këshillit të Ministrave, të vijojnë të paraqiten në çdo kohë pranë zyrave tona për dorëzimin e kërkesës për tërheqjen e vlerës së kompensimit.

Procesi i kompensimit të pronës ka hyrë tashmë në një fazë të re, duke përfshirë edhe subjektet që u është cenuar prona në fillim të viteve ’90 nga ndërtimet pa leje, që në numër janë të paktën mbi 350 mijë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›