35 shkolla të arsimit parauniversitar në Kukës me kabinete informatike

Të paktën 35 shkolla të arsimit parauniversitar, nga 57 të tilla që ka rrethi i Kukësit, janë pajisur me kabinete të informatikës në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare për shtrirjen e internetit në të gjitha shkollat e vendit. “Kabinetet e informatikës nuk janë ngritur vetëm në shkollat e vogla, me numër të kufizuar nxënësish”, tha drejtori rajonal i arsimit, Ibsen Elezi, sipas të cilit “po punohet që edhe ato të pajisen me një numër të kufizuar kompjuterash, me synimin që brenda këtij viti asnjë shkollë të mos mbetet pa kabinet informatike”. Sipas Elezit, për përdorimin e kompjuterave dhe internetit janë organizuar kurse trajnimi afatshkurtëra me mësuesit përgjegjës. Ndërkohë, drejtoria rajonale e KESH-it është treguar e gatshme të furnizojë me energji pa ndërprerje shkollat e rrethit, në mënyrë që procesi mësimor në kabinetet e informatikës të mos cënohet.
...