E Shtunë, 31 Tetor 2026

365 ditët e Oto Bariç

A e dini që kombëtarja shqiptare e futbollit ka katër ndeshje rresht pa humbje dhe pa pësuar gol? A e dini se vetëm në dy muaj zbore janë provuar më shumë se 50 futbollistë dhe katër prej tyre cilësohen e ardhmja e sigurt e një ekipi yjesh? A e dini se pesë nga futbollistët më të vjetër të kombëtares u hoqën pa lënë pas asnjë mëdyshje? A e dini se kemi trajnerin më të vjetër në moshë, por jo më pak të paguarin?
"Pronari" i të gjitha këtyre cilësive quhet Oto Baric dhe sot që mbushen 365 ditë nga ulja e tij e parë në pankinën e kombëtares, 75-vjecari duhet të mburret jo pak me veten. I kanë thënë se është i kaluar në moshë. I kanë thënë se s'ka cfarë të japë më futbollit. E kanë kritikuar për zgjedhjet e tij të guximshme si përsa i përket atyre që la jashtë dhe për të rinjtë që aktivizoi pa shumë ceremonira. Por ai vazhdoi në rrugën e tij duke shpjeguar herë pas here, por jo gjithmonë, vizionin e tij mbi kombëtaren shqiptare. Kur mori frenat e skuadrës kuqezi një vit më parë pesimistët vërshuan me kritika rreth moshës së tij, rrogës së lartë dhe linjës së ashpër që Oto "maximum" deklaroi se do të ushtronte. Më optimistët i uruan për postin e ri dhe besuan e shpresuan një skuadër përfaqësuese më dinjitoze, më konkurruese dhe më e fortë. Sot pas një viti, bilanci i punës së Baric, për hir të së vërtetës, është shumë pozitiv dhe ka më shumë arritje gjë që vërteton atë që optimistët thanë për të që në fillim.
Arritjet e Baric
Kush është arritja më e madhe e Baric? Padyshim që në gjithë historinë e futbollit shqiptar për të parën herë ekipi ynë përfaqësues ka arritur të zhvillojë katër ndeshje zyrtare pa pasur humbje. Ky është rekordi i parë i Oto "maximum" me kuqezinjtë. Kombëtarja barazoi në stadiumin "Loro Borici" të qytetit të Shkodrës ndaj Sllovenisë. Më pas përsëriti të njëjtin rezultat në Sofje ndaj Bullgarisë. Vendasit ishin përgatitur për një festival golash, teksa Baric hidhte në fushë një skuadër që mbrohej mirë, dhe kundërsulmonte po aq mirë. Për të ardhur tek dy fitoret me Luksemburgun, ku përvec pesë golave, (dy në ndeshjen e parë dhe tre në të dytën), në pah doli edhe loja e bukur e kuqezinjve. Duke iu referuar këtyre katër rezultateve pozitive, nuk ka se si të mos të bjerë në sy fakti se në këto katër ndeshje mbrojtja, dikur reparti më problematik, rezulton pa asnjë gol të pësuar, një rekord më vete ky për ekipin tonë kombëtar. Baric pati deklaruar që në fillim se do të rinovonte pjesërisht kombëtaren shqiptare dhe këtë gjë do ta bënte pa marrë parasysh emra. Ai nuk pyeti shumë kur me një të rënë të lapsit u tha yjeve se nuk ishin më në planet e tij. Rezultati: pesë nga futbollistët që kishin bërë "ligjin", Tare, Aliaj, Hasi, Murati, Jupi u larguan pa asnjë mëdyshje. Por vlerat e tij nuk mbetën këtu. Për të zëvendësuar "të paprekshmit" në vetëm pak muaj kroati provoi në ndeshjet miqësore dhe në dy zbore më shumë se 50 futbollistë të rinj nga kampionati ynë dhe kampionate të ndryshme të Evropës. Dhe askush nuk mund ta akuzojë atë për preferencë. Të paktën shumicës u tha "ejani, po ju provoj". Dhe nga "duart" e tij dolën katër emra të rinj, që mund të quhen pa frikë si e ardhmja e sigurt e kombëtares shqiptare, Hyka, Haliti, Rrustemaj dhe Vangjeli.
Dështimet e Oto Baric
Gjithsesi, edhe pse të "mbytur" në vazhdën e arritjeve të kombëtares kuqezi gjatë këtij viti, nuk mund të qëndrojmë indiferentë teksa mendojmë dhe besojmë se kjo skuadër nuk mund është ende pretendente për t'u kualifikuar në EURO 2008. Ky është edhe dështimi i parë i Baric, edhe pse koha e mjaftueshme për të ndërtuar një skuadër nuk ka qenë në anën e tij. "Kali i betejës" së 75-vjecarit që prej ditës së parë kuqezi ka qenë rinovimi i ekipit kombëtar, por kjo natyrisht ka pasur edhe kostot e veta. Të gjithë drejtuesit e pankinës kuqezi, të Federatës Shqiptare të Futbollit, futbollistët dhe tifozët janë koshientë se kemi ende një ekip të pa stabilizuar dhe që nuk jep njëqind për qind garanci për kompeticionet e tjera. Edhe kjo është një pikë për t'u rregulluar nga Baric në pjesën e mbetur të ndeshjeve kualifikuese për EURO 2008.
Ai ka thënë shpesh herë se sporti nuk ka moshë, dhe 75 vitet mbi supe nuk përbëjnë problem për të. Dhe në fakt Oto "maximum" është një person që ka mposhtur moshën e tij fiktive, por që mund të merret edhe si pika e dobët e tij. Mjaft të përmendësh faktin se ndaj Sllovenisë në pankinë për arsye shëndetësore, normale për një 75-vjecar, dirigjuan zëvendësit e tij, Kovacic dhe Duro. Në konferencën e parë për shtyp pati deklaruar se do të ishte goxha i pranishëm në Superligën Shqiptare, por fakt është se Baric ka kaluar dicka më shumë se një muaj ditë në një vit në Shqipëri. Duke mos jetuar këtu, kroati nuk është në kontakt të përditshëm me futbollin shqiptar, ku ka thënë se do të mbështetet. Duke mos njohur shumë mirë futbollistët shqiptarë që luajnë në vendin tonë, por edhe në kampionate të ndryshme të Evropës, ka marrë informacion jo shumë të saktë ose fare duke gabuar në zgjedhjet e tija. Mjaft të përmendim këtu Bushin, Muratin dhe formën jo të mirë të Aliajt.
Meditimi. Baric, ky harraq i madh!
Edhe pse në pamje të parë duket si një "gjerman i vërtetë", shumë i rregullt dhe preciz, Baric jo pak herë ka treguar edhe aspektin e tij ballkanas, duke u vonuar shpesh herë në takime. Madje në dy prej tyre, duke alarmuar edhe stafin kuqezi. Një herë në Gjermani para ndeshjes me Bjellorusinë dhe një herë në Durrës para ndeshjes me Rumaninë. Madje, në këtë të fundit ka bërë që në kërkim të tij të vihet vetë presidenti i FSHF-së, Armand Duka.
Gjoba. UEFA, Otos: Shoë me the money
Baric është gjobitur me pesë mijë euro nga UEFA, pasi tre vjet më parë pati ofenduar publikisht homoseksualët. Deklaratat e tij raciste, Barici e ka dhënë në moshën 71 vjec, në një intervistë për gazetën "Jutarnji List". "Unë nuk lejoj që një lojtari im të jetë homoseksual. Askush nga këta nuk mund të punojë për mua. Unë nuk mund të jem i aftë të drejtoj një homoseksual, se ata janë të dobët dhe të sëmurë," është shprehur asokohe Oto Baric.
Arritjet e Baric
1. Nën drejtimin e Baric kombëtarja shqiptare ka zhvilluar katër ndeshje zyrtare rresht pa pasur humbje, ndaj Sllovenisë, Bullgarisë dhe dy takimet me Luksemburgun
2. Kuqezinjtë për herë të parë në gjithë historinë e tyre nuk kanë pësuar gol në katër ndeshje zyrtare radhazi, me Slloveninë, Bullgarinë dhe dy takimet me Luksemburgun
3. Filloi rinovimin e kombëtares duke mos marrë parasysh emra. Pesë nga futbollistët më të vjetër të kombëtares, Tare, Aliaj, Hasi, Murati, Jupi ikën pa lënë pas asnjë mëdyshje.
4. Ka meritën se vetëm në pak muaj provoi në ndeshjet të ndryshme miqësore dhe në dy zbore më shumë se 50 futbollistë nga kampionati ynë dhe kampionate të ndryshme të Evropës.
5. Nga "dora" e tij kanë dalë të paktën katër futbollistë që mund të quhen pa frikë si e ardhmja e sigurt e kombëtares shqiptare, Hyka, Haliti, Rrustemaj dhe Vangjeli.

.......
Dështimet e Baric
1. Edhe pse kombëtarja vjen nga disa rezultate pozitive, askush dhe aq më tepër Oto Baric nuk mund të thotë me sigurinë më të lartë se kemi një skuadër pretendente për EURO 2008.
2. Ka "luftuar" shumë për rinovimin e pjesshëm të skuadrës, por kjo natyrisht ka pasur edhe kostot e veta, pasi kemi ende një ekip të pa stabilizuar dhe që nuk jep njëqind për qind garanci.
3. Është një person që ka mposhtur moshën e tij fiktive, por që mund të merret edhe si pika e dobët e tij. Mjaft të përmendësh faktin se ndaj Sllovenisë në pankinë dirigjoi zëvendësi i tij.
4. Nuk jeton në Shqipëri. Pati deklaruar se do të ishte goxha i pranishëm në Superligën Shqiptare, por fakt është se Baric ka kaluar dicka më shumë se një muaj ditë në një vit në Shqipëri.
5. Ka pasur informacion jo shumë të saktë ose fare për disa futbollistë shqiptarë, duke i besuar më shumë stafit të tij, kjo e coi të gabonte për Bushin, Muratin dhe formën e Aliajt.

.......
Ditët fiktive të Baric në Shqipëri
03-07 korrik 2006
Oto Baric zyrtarizohet si trajner i kombëtares shqiptare. Ai vjen në Shqipëri për të firmosur kontratën dhe për të biseduar për detajet e tjera me drejtuesit e Federatës Shqiptare të Futbollit.
03-08 shtator 2006
Pas barazimit në Bjellorusi në ndeshjen e parë për EURO 2008 Baric akomodohen në hotel "Adriatik" në Durrës për ndeshjen e radhës me Rumaninë në stadiumin "Qemal Stafa".
20-30 tetor 2006
Oto Baric mbërrin në Tiranë për të qëndruar 10 ditë, gjatë të cilave ka ndjekur nga afër grumbullimet e lojtarëve nëpër klubet shqiptare.
02-12 dhjetor 2006
Baric me trajnerin e Shpresave Artan Bushati organizoi një grumbullim me 35 talente nga mosha 18-23 vjec në qendrën sportive në Kamëz.
04-09 shkurt 2007
Oto Baric vjen në Tiranë për miqësoren ndaj Maqedonisë, e cila u zhvillua në stadiumin "Loro Borici" të Shkodrës më datën 7 shkurt.
04-09 maj 2007
Oto Baric zbarkon në Tiranë për të qëndruar një javë. Trajneri ndoqi nga afër disa ndeshje të kampionatit shqiptar të futbollit.
28 maj-03 qershor
Trajneri Oto Baric vjen në Shqipëri për të përgatitur dy ndeshjet e radhës për eliminatoret e EURO 2008 ndaj Luksemburgut.

.......
Bashkëshortja, Zdenka, tifoja Nr 1 e Otos
Bashkeshortja e Oto Baric, ashtu si vetë ai, nuk i tregon aspak vitet që ka mbi shpinë. Ajo po shkon drejt të 70-ave (68 vjec), por në pamje të parë të jep përshtypjen e të paktën dhjetë vjet më pak. Ajo nuk ka ardhur asnjëherë në Shqipëri. Këtë fakt Baric e justifikon me impenjimet e shumta të tij, kur ai është në Tiranë. "Ajo ka qenë në krahun tim në shumë ndeshje që në momentet e para kur nisa karrierën time si trajner. Ndërsa në Shqipëri nuk ka ardhur ende, pasi unë nuk kam pasur kohë në dispozicion, me qëllim që ajo të argëtohet sadopak duke parë vendin", ka thënë Baric për bashkëshorten e tij.
.......
Oto Baric jr
Edhe ky si i ati. Është 49 vjec dhe ngjan si 29. A nuk duket edhe Baric si 20 vjet më ri se c'është në të vërtetë? Edhe ky mban të njëjtin emër si i ati, Oto Baric Junior. Flet si ai. I drejtpërdrejtë si i ai, madje të duket sikur ke Baricin përpara. Fëmija i vetëm i ciftit është ndër arkitektët më të mirë në Kroaci. Baric, i riu, ka ndërtuar qendrën më të madhe të biznesit në Zagreb, e cila i kaloi të 100 milionë euro.
Pasuria
Tre milionë euro presupozohet të jetë pasuria e trajnerit të kombëtares, Oto Baric. Në fakt një pjesë e madhe e kësaj pasurie është vënë gjatë kohës kur ai drejtonte skuadra si Rapidi i Vjenës dhe Salzburgu. Një rrogë të majme Baric ka marrë edhe gjatë kohës si trajneri i kombëtares austriake në vitet 2000-2002.
Shpenzimet
Rreth pesë mijë euro në muaj shpenzon Oto Baric me familjen e tij. Kjo vecanti e ciftit Baric ka dalë nga miqtë më të ngushtë të trajnerit. Së bashku me bashkëshorten preferon shpesh herë të drekojë ose darkojë jashtë. Madje nuk ka ditë të muajit që cifti nuk ha të paktën një vakt në ndonjë restorant qoftë në Austri, qoftë në Kroaci.
Gastronomia
Preferon më shumë kuzhinën kroate. Ka provuar edhe ushqimet tipike shqiptare, por nuk ka treguar një "dashuri" të madhe për to. Parapëlqen peshkun dhe në vecanti ngjalën. Ka provuar edhe kuzhinën e restorant "Fiore" në Kavajë, ku sipas njerëzve pranë tij, pëlqen më shumë picën se sa spagetin, specialitet i lokalit.
Miqtë shqiptarë
Kur vjen në Shqipëri shoqërohet "këmba-këmbës nga përkthyesi, Ajet Xeka. Shpesh herë e shikon edhe nën shoqërinë e zv/trajnerit të kombëtares Shpëtim Duro, një njohës i mirë i gjuhës gjermane. Një mik tjetër i tij mund të quhet edhe trajneri i shpresave, Artan Bushati.

.......
Top-deklaratate Oto Baric
...homoseksualët
"Unë nuk lejoj që një lojtari im të jetë homoseksual. Askush nga këta nuk mund të punojë për mua. Unë nuk mund të jem i aftë të drejtoj një homoseksual, se ata janë të dobët dhe të sëmurë".
...senatorët
"Unë jam i ndershëm dhe ua kam bërë të qartë lojtarëve që nuk aktivizohen. Ata rrezikojnë të mos luajnë as me kombëtaren. Kjo vlen për të gjithë lojtarët, kushdo qofshin ata".
...Labinot Halitin
"Është një futbollist i shpejtë dhe një lider në fushën e lojës. Por në rast se nuk gjen një sistemim në një kampionat evropian do ta ketë të vështirë të luajë për kombëtaren shqiptare"
...Hamdi Salihin
"Salihi është një futbollist shumë cilësor. Mund ta krahasoj me një Gerd Myler në fillimet e tija. Natyrisht ai është ende i ri dhe i duhet të punojë akoma më shumë".
...Sotir Ninin
"Në rast se Sotir Nini do të kishte lindur në Kroaci ai në asnjë mënyrë nuk do të lejohej që të merrte nënshtetësi tjetër dhe aq më tepër të luante për një përfaqësuese tjetër"
...rinovimin e kontratës
"Mendoj se mund ti jap ende futbollit. Ndihem mirë me shëndet dhe nuk kam parashikuar që të dal në "pension" në fund të këtij viti. Besoj se mund të drejtoj pa problem edhe për 2 vjet"
...Hans Peter Briegel
"Brigel pati fatin të kishte një skuadër në kulmin e saj. Ai kishte në dispozicion një grup futbollistësh midis moshës 23-28 vjec, kurse unë me një moshë mesatare më të madhe"
...grupin G të EURO 2008
"Ne duam ta përfundojmë edicionin për EURO 2008 në vendin e tretë, ky është objektivi ynë dhe askush të mos habitet. Jemi tashmë një skuadër e formuar që mund të pretendojmë",
...Jahmir Hykën
"Ka cilësi të jashtëzakonshme krijuese. Vlerësoj se me atë që djaloshi paraqiti në zborin e Antalias, i hapi rrugën vetes për në kombëtare. Do të jetë e ardhmja e kësaj skuadre"
...bashkëshorten
"Ajo ka qenë në krahun tim në shumë ndeshje. Ndërsa në Shqipëri nuk ka ardhur ende, pasi unë nuk kam pasur kohë në dispozicion, me qëllim që ajo të argëtohet sadopak duke parë vendin"

.......
Skeda

Emri
Oto
Mbiemri
Baric
Datëlindja
19.06.1932
Vendlindja
Klagenfurt
Shtetësia
Austriake
Kombësia
Kroate
Gjatësia
1.70 cm
Pesha
78 kg
Profesioni
Trajner
Statusi
I martuar
Familja
Një djalë
Gjuhët
serbokroatisht,
gjermanisht,
Italisht
Hobi
Golfi, muzika
Pasuria
3 milionë euro
Shtëpi
Vilë në Klagenfurt,
apartament në Zagreb,
apartament në Vienë
Ushqimi i preferuar
Peshku (ngjala)

Karriera
1970-72
Vaker Insbruk
1972-74
LASK
1974-76
NK Zagreb
1976-79
Kombëtarja jugosllave (amatorët)
1979-80
Dinamo Zagreb
1980-82
SK Sturm Graz
1982-85
SK Rapid Vjenë
1985-86
VfB Shtutgart
1986-88
SK Sturm Graz
1989-90
Dinamo Zagreb
1990-91
SK Vorvarts Stejr
1991-95
SV Salzburg
1995-96
Kombëtarja kroate (ndihmës)
1996-97
Dinamo Zagreb
1997-98
Fenerbahce
1998-99
LASK
1999-02
Kombëtarja austriake
2002-04
Kombëtarja kroate
2006-08
Kombëtarja shqiptare

TiranaObserver

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›