Besa synon surprizën e madhe

Vetëm pak orë na ndajnë nga sfida e vetme shqiptare në Kupat e Europës, por përvec ankthit dhe emocioneve të zakonshme në prag-ndeshje të tilla, për Besën e Kavajës, duket se është shtuar edhe oreksi. Ambicia e madhe e kavajasve, edhe pse përballë do të kenë një kundërshtar të fortë është pikërisht synimi për të marrë një fitore sot ndaj bullgarëve të Liteksit. Dy ekipet do të përballen në mbrëmjet sotme në "Niko Dovana" të Durrësit për Kupën UEFA.
Besa kërkon surprizën
Trajneri rumun i kavajasve, Dumitresku, kërkon që ekipi i tij të fitojë, ndonëse ka deklaruar se Liteksi është shumë më i fortë sesa Bezhanija serbe. "I kam parë në ndeshjen ndaj CSKA-së, - thotë rumuni, - dhe janë vërtet shumë të fortë. Janë shumë më mirë sesa Bezhanija, por ne do kërkojmë të fitojmë ndeshjen e parë". Skuadra shqiptare do të ketë disa mungesa si Dragusha (nuk ishte as në ndeshjen e dytë me serbët), Fortunat (është larguar) apo Hoxha (i pezulluar), duke e vënë në pozitë aspak komode Dumitreskun. "Në sulm kam Xhihanin dhe Elokanin, - thotë ai, - mendoj se janë dyshe shumë e mirë". Kavajasit kanë edhe durrsakun Mancaku, që është përjashtuar nga Teuta, me vendim të presidentit Hasanbelliu. Presidenti i Besës, Nexhat Bizhdili, ka premtuar 50 000 euro për lojtarët e tij nëse këta e kalojnë skuadrën bullgare nga Loveci, kurse Dumitresku e ëndërron një kalim turi. "Ata janë favoritë, - shprehet trajneri, - por unë ende kam besim. Të fitojmë të parën, që të udhëtojmë më të qetë për në Bullgari".
Liteksi mendon fitoren
Trajneri i Liteksit të Lovecit, Ferrario Spasov, ka deklaruar dje në hotel "Sheraton" se ekipi i tij ka ardhur në Tiranë vetëm për fitore në ndeshjen ndaj Besës. Dy ekipet do luajnë në "Niko Dovana" të Durrësit për turin e dytë eleminator të Kupës UEFA dhe skuadra bullgare është favorite për të kaluar turin. "Mendoj se e njoh aq sa duhet Besën e Kavajës, - u tha Spasovi gazetarëve shqiptarë, - ia di pikat e forta. Besa është ekip serioz, por ne shpresojmë për fitore në Tiranë". Faqja zyrtare e klubit bullgar shkruan përshtypjet nga Tirana dhe habitet për interesimin serioz të gazetarëve shqiptarë për ndeshjen Besa-Liteks. Bullgarët udhëtuan për 1 orë e 10 minuta nga Sofia në Tiranë. Liteksi u stërvit në orën 17.00, sipas orës shqiptare, duke bërë seancën zyrtare stërvitore në Shqipëri.
ABC