E Diel, 1 Nëntor 2026

4 Korrik 1776, SHBA feston 235-vjetorin e pavarësisë

56 përfaqësues të 13 kolonive britanike të Amerikës Veriore, më 4 korrik 1776  deklaruan se me autoritetin e popullit po krijonin një komb të ri. Ata nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë. Do të duheshin edhe 6 vjet të tjera luftë me Britaninë, në atë kohë fuqia më e madhe ushtarake e botës, para se të fitohej pavarësia e plotë e Amerikës nga britanikët.

Në vitin 1772, shtetet amerikane ishin ende larg të qenit të bashkuara. Në atë kohë ekzistonte një konfederatë me një qeveri të dobët qendrore, pushteti i vërtetë ishte në duart e qeverive të shteteve. Por shtetet kishin dallime të mëdha sa i përket fesë, politikës dhe ekonomisë. Shpesh ata ngrinin pengesa dhe tarifa tregtare ndaj njëri-tjetrit. Inflacioni ishte i lartë dhe mbi popullsinë u vendosën taksa të shumta. Kaosi ekonomik çoi në trazira civile.

Midis shteteve filluan konflikte për çështje kufijsh. Qeveria kombëtare nuk kishte forca ushtarake për të përballuar rreziqet që i kanoseshin sigurisë. Amerikanët u vunë në kërkim të rrugëve për të gjetur zgjidhje për këto probleme, por u deshën edhe 7 vjet të tjerë për ta bërë këtë. Zgjidhja ishte një kushtetutë e re, që krijoi një qeveri të fortë kombëtare për t’u marrë me nevojat e vendit, ndërkohë që do të ruheshin një pjesë e kompetencave të shteteve. Por amerikanët ishin të përçarë rreth formës që do të kishte qeveria e re.

Shtetet e vogla kërkonin përfaqësim të barabartë me shtetet e mëdha. Shumë banorë kishin frikë se një qeveri qendrore tepër e fortë do të shkelte liritë individuale. Të gjitha këto çështje u zgjidhën pas disa vjet debatesh dhe kompromisesh.

Deklarata e Pavarësisë u hartua kryesisht nga Tomas Xheferson, asokohe 32 vjeç, i cili më pas do të bëhej Presidenti i tretë i SHBA-së (1801-1809). Njëra pjesë e Deklaratës përmbante një listë ankesash kundër mbretit Xhorxh i Tretë dhe Parlamentit të Anglisë, kurse pjesa tjetër kishte të bënte thelbin e idesë mbi lirinë amerikane, mbi të drejtat e natyrshme që kanë njerëzit.

Deklarata e Pavarësisë shihet si një nga dokumentet më të rëndësishme në historinë e Shteteve të Bashkuara. Dokumenti tjetër është Kushtetuta. Në Shtetet e Bashkuara, 4 korriku festohet çdo vit si ditë kombëtare, Dita e Pavarësisë. Më 4 korrik 1777 u mbajt festimi i parë i kësaj dite të shënuar.

Kushtetuta e re u ratifikua në vitin 1789, pas miratimit të 10 amendamenteve që garantonin liritë themelore si lirinë e fesë, të fjalës, të shtypit, të drejtën e gjykimit me juri dhe mbrojtje të tjera ndaj abuzimeve qeveritare.

“Kushtetuta nuk është një instrument që qeveria të kufizojë njerëzit”, thoshte Patrik Henri, një prej udhëheqësve të luftës për pavarësi. “Ajo është një instrument që banorët të kufizojnë qeverinë, që ajo të mos dominojë jetën tonë”.

Ndonëse kanë kaluar mbi 200 vjet nga miratimi i Kushtetutës, ajo vazhdon të jetë instrumenti më i fortë që garanton liritë e amerikanëve.
/Start/

                                                                                             2011-07-04 11:02
   

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›