E Premte, 6 Nëntor 2026

Shqipëria prezanton përparësitë e punës së saj në Këshillin e Sigurimit

Shqipëria prezanton përparësitë e punës së saj në krye të presidencës së Këshillit të Sigurimit për muajin qershor. Ambasadori Ferit Hoxha, gjatë një konference për shtyp, theksoi se qershori konsiderohet tradicionalisht një muaj i ngarkuar, ndaj dhe Programi i Punës për muajin qershor do të jetë mjaft i ngjeshur.

 “Më vjen mirë të raportoj për mbështetjen e plotë të të gjithë anëtarëve të Këshillit për Programin e Punës. Dëshiroj të falënderoj homologët e mi për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. Prioritetet e Shqipërisë për muajin qershor i bashkohen prioriteteve tona të përgjithshme për mandatin tonë në Këshill. Ato janë të lidhura ngushtë me respektimin e së drejtës ndërkombëtare, forcimin e llogaridhënies, avancimin e agjendës së grave, paqes dhe sigurisë, marrëdhëniet e OKB-së me organizatat rajonale dhe metodat e punës të Këshillit të Sigurimit”, theksoi ambasadori Hoxha. 

Zoti Hoxha është ndalur edhe në debatin mbi llogaridhënien që do të drejtojë ditën e nesërme kryeministri Rama. Sipas tij, Presidenca Shqiptare nis me një Debat të Hapur të nivelit të lartë mbi “Forcimin e Llogaridhënies dhe Drejtësisë për Shkeljet e Rënda të së Drejtës Ndërkombëtare” nën pikën e rendit të ditës Ruajtja e Paqes dhe Sigurisë.

 “Debati i Hapur do të zhvillohet nesër, i cili do të drejtohet nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Prania në këtë nivel tregon se sa e rëndësishme është kjo temë për Shqipërinë dhe shpresojmë edhe për të gjithë anëtarët e tjerë. Ruajtja e ligjit ndërkombëtar dhe mbrojtja dhe promovimi i të drejtave të njeriut janë në thelb të politikës së jashtme të Shqipërisë si dhe prioritetet kryesore gjatë mandatit tonë në Këshillin e Sigurimit. Për një kohë të gjatë, ne kemi parë abuzime masive të të drejtave të njeriut dhe komuniteti ndërkombëtar po përpiqet të mbajë përgjegjës autorët e krimeve të rënda.

– Ne nuk mund dhe nuk duhet të mësohemi me pandëshkueshmërinë.

– Ka një urgjencë për të vepruar, tani, në emër të viktimave të panumërta të konflikteve të pakuptimta:o për gratë e dhunuara të Kosovës, o për nënat e pikëlluara të Bosnjës, o për fëmijët e Ukrainës, o për viktimat pa emër në Tigray, o për Azara në Afganistan, o për Yazidët në Irak, o për Rohyngias, o për të burgosurit politikë në Myanmar dhe në Sudan, o për të arrestuarit në Siri o për të gjithë gazetarët e vrarë në krye të detyrës; o për këdo, kudo, të cilëve u janë mohuar të drejtat, e ardhmja e të cilëve është varrosur, ëndrrat e të cilëve janë shkatërruar nga abuzimi”, theksoi ambasadori.

I pyetur nga gazetarja e RTSH-së, Denada Shkodrani, se ka patur disa deklarata te autoriteteve ruse, përfshirë dhe presidentin Putin, që heqin paralele mes Dombas dhe Kosovës, zoti Hoxha u përgjigj se “nuk ka asnjë ngjashmëri midis dy vendeve”.

 /rtsh.al/

 

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›