E Enjte, 5 Nëntor 2026

U nda nga jeta 4 ditë më parë, Meta vlerëson me ‘Dekoratën e Flamurit Kombëtar’, ish- Presidentin Nishani

Presidenti Ilir Meta ka çmuar me “Dekoratën e Flamurit Kombëtar”, dekorata më e lartë e shtetit shqiptar, ish-Presidentin Bujar Nishani, i cili u nda nga jeta 4 ditë më parë.

Në një postim në Facebook, Meta shkruan se kjo dekoratë i jepet Nishanit në vlerësim të kontributeve në të gjitha detyrat e larta shtetërore për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin europian të vendit dhe mbrojtjen e interesave kombëtare.

 “Në vlerësim të kontributeve të shquara në të gjitha detyrat e larta shtetërore, për forcimin e demokracisë dhe institucioneve, për integrimin euro-atlantik dhe evropian të vendit, për mbrojtjen dhe promovimin e interesave kombëtare. Në nderim të integritetit dhe dinjitetit të lartë njerëzor, si model i burrështetasit që punoi me përkushtim dhe përgjegjshmëri në shërbim të atdheut”, shkruan Meta.

Nishani u nda nga jeta 4 ditë më parë në një spital në Gjermani ku ishte shtruar prej javësh. Ai vuante nga një sëmundje autoimune e mëlçisë dhe pasojat që i la COVID-19, fatkeqësisht, e përkeqësoi gjendjen e tij.

Trupi i pajetë i ish-Presidentit Nishani mbërriti në atdhe në orët e para të mëngjesit të sotëm, ndërsa në sallën “Skënderbeu” në Presidencë, prej paradites po mbahen homazhe.  Ceremonia zyrtare e homazheve do të organizohet ditën e enjte, nga ora 10:00 deri në orën 12:00, në mjediset e institucionit të Presidencës.

E enjtja, data 2 qershor është shpallur ditë zie kombëtare në nderim të të ndjerit ish-presidenti Bujar Nishani, ku në të gjitha institucionet shtetërore dhe publike do të ulet flamuri kombëtar në gjysmështizë.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›