4 kompani në garë për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, javën e ardhshme fituesi
Projekti i cili u lançua për herë të parë nga kryebashkiaku Lulzim Basha gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, nis të shndërrohet në realitet, rreth 2 vjet pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza” si dhe do të ndërtohet edhe Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike, disa institucione kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj,.
Javën e ardhshme, Bashkia e Tiranës do të përzgjedhë kompaninë e cila do të ndërtojë bulevardin e ri të Tiranës. 4 kompani prestigjioze ndërkombëtare nga Evropa dhe Lindja e Mesme paraqitën ofertat financiare si dhe dokumentacionin përkatës, për të realizuar këtë projekt strategjik, më i rëndësishmi i realizuar në 70 vitet e fundit në kryeqytet. Ky projekt i lançuar për herë të parë nga kryebashkiaku Basha gjatë fushatës elektorale të vitit 2011, nis të shndërrohet në realitet, rreth 2 vjet pas zgjedhjes së tij në krye të Bashkisë së Tiranës. Në fazën e parë të punimeve që nis nga Stacioni i Trenit përfshihet edhe një parkim i madh nëntokësor. Përgjatë bulevardit është parashikuar kalimi i linjës së tramit, që do të lidhë terminalin multimodal të pasagjerëve me sheshin “Nënë Tereza”. Në bulevardin e ri të Tiranës do të ndërtohet Pallati i Drejtësisë dhe institucione të tjera publike, disa institucione kulturore dhe artistike, qendra biznesi etj.
Ndërtimi i bulevardit të ri do të shtojë mbi 150 mijë metra katrorë gjelbërim, përgjatë aksit të tij, ose afërsisht 5 herë më shumë se parku “Rinia“.
Zbatimi i projektit të bulevardit verior dhe lumit të Tiranës do të zhvillojë një nga pjesët më të prapambetura të qytetit të Tiranës. Zona urbane që ndikohet nga ky projekt është 14 km2. Zbatimi i këtij projekti do të mundësojë urbanizimin me standarde bashkëkohore të 1/5 së qytetit të Tiranës dhe ndërtimin e një poli të ri zhvillimi në kryeqytet. Krahas zhvillimit ekonomik të zonës, krijimit të vendeve të reja të punës gjatë zbatimit të projektit dhe zhvillimit të projekteve të reja përgjatë këtij korridori, ndërtimi i bulevardit të ri të Tiranës do të ndikojë drejtpërdrejt në përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve, duke e vendosur Tiranën në trajektoren e zhvillimit të një qyteti modern evropian, ku punohet dhe jetohet më mirë.
Projekti që do të zbatohet për bulevardin e ri dhe lumin e Tiranës u hartua nga studio arkitekturore britanike “Grimshaë Architects”. Ajo është përzgjedhur nëpërmjet një konkursi ndërkombëtar, ku morën pjesë 7 nga studiot më prestigjioze të planifikimit urban dhe arkitekturës, si studio DAR Group Turkey & United Kingdom, Ëest 8 - The Netherlands, Albert Speer & Partners - Germany, Cino Zucchi Architetti - Italy, Gerkan, Marg & Partners - Germany, Kees Christianse & Partners - The Netherlands, Grimshaë Architects - United Kingdom.
Përzgjedhja e studios britanike u bë nga një juri ndërkombëtare, e përbërë nga personalitete me famë botërore në këtë fushë si z. Daniel Libeskind, Dr.Sarah Ëhitting, Dr Philip Road, Giles Robin Dolphin si dhe ekspertët më të mirë të fushës në Shqipëri.
Projekti i bulevardit të ri
Projekti i studios britanike “Grimshaw Architects” është shpallur fitues i konkursit për zgjatimin e bulevardit dhe rehabilitimin e lumit të Tiranës në vitin 2012. Shpallja e fituesit mes dy finalistëve “Grimshaë” dhe “Dar Group” u bë nga kryebashkiaku Lulzim Basha. Bulevardi do të jetë i ndarë në tri hapësira urbane në formën e xhepave ose siç quhen në maket “Dhoma ndenje urbane”. Hapësira e parë që nis nga Stacioni i Trenit, parashikon ndërtimin e një parku me një shesh dhe kafene përreth. Në këtë hapësirë janë parashikuar edhe ndërtimi i disa ndërtesave me funksion publik. Brezi i dytë parashikon ndërtimin e hapësirave për qendra tregtare. Në brezin e tretë, ka një park me gjelbërim dhe ndërtesa me funksion publik, ku bëjnë pjesë që nga biblioteka, bashkia e re, opera dhe në fund është parashikuar të ngrihet Pallati i Drejtësisë. Projekti e sheh bulevardin si një urë lidhëse mes parkut të Liqenit Artificial dhe parkut të ri që do të ngrihet në Paskuqan. Prioritet tjetër i kësaj studioje do të jetë edhe ndërtimi i parkingjeve me kate.
Mbyllet tenderi ndërkombëtar për rehabilitimin e Lumit të Tiranës
2 gushti ishte afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve për konkursin ndërkombëtar të rehabilitimit të Lumi të Tiranës. Financimi i ndërtimit të kësaj vepre do të bëhet sipas marrëveshjes së firmosur në datën 21 prill 2013 midis qeverisë shqiptare dhe fondit të zhvillimit Abu Dabit, në vlerën 55.000.000 euro. Ky është tenderi i dytë ndërkombëtar për projektet strategjike që është hapur nga Bashkia e Tiranës, pas atij për ndërtimin e bulevardit të ri. Interesi i kompanive prestigjioze nga Gjermania, Austria, Itali, Kina, Kuvajti, Turqia, Emiratet e Bashkuara Arabe, por edhe nga Shqipëria, me ofertat e tyre financiare, ka qenë jashtëzakonisht i madh ashtu si tek projekti i ndërtimit të bulevardit.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha
Bulevardi dhe Lumi i Tiranës, katalizatorë të zhvillimit të Tiranës moderne europiane të shekullit të XXI
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha e ka cilësuar projektin e zgjatimit të bulevardit dhe lumin e Tiranës, si katalizatorë të zhvillimit të Tiranës moderne evropiane të shekullit të XXI. Sipas Bashës, ndërtimi i bulevardit të ri dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës hap një mundësi të re për zhvillimin ekonomik dhe nxit punësimin, duke prekur 1/5 e qytetit në një prej zonave më të pazhvilluara të kryeqytetit. Ky investim trefishon hapësirat aktuale të gjelbra dhe krijon një park tjetër të madh. “Bulevardi i ri, zgjatimi i aksit jug-veri të kryeqytetit, duke filluar nga Stacioni i Trenit deri në lumin e Tiranës e më pas deri në kodrat e Paskuqanit, investim i cili do ta bëjë këtë aks, nga 1.8 km që është aktualisht, në 4.8 km të gjatë, nga sheshi “Nënë Tereza” apo selia qendrore e Universitetit Politeknik të Tiranës deri tek përmbyllja e këtij aksi në kodrat e Paskuqanit. Do të mundësojë futjen brenda qytetit të Tiranës me gjithë potencialin e vet zhvillimor, ambiental dhe rekreativ të lumit të Tiranës që i ka dhënë emrin qytetit por që askush në këtë sallë nuk e ka parë. Shpesh herë edhe nga mediat ngatërrohet me lumin e Lanës dhe do të bëjë të mundur trefishimin e hapësirave aktuale të gjelbra dhe krijimin e një parku tjetër të madh, përtej parkut të liqenit, pra në ekstremitetin verior, në veri të qytetit të Tiranës. E gjithë kjo, në kuadër të një zhvillimi të planifikuar, multidimensional të hapësirës urbane apo akoma për t’u urbanizuar të kësaj zone e cila para 20 vitesh faktikisht ka qenë një tokë bujqësore, ndërkohë që sot është një zonë që ka një popullsi më të madhe se qyteti i dytë më i madh i Shqipërisë. Për mua ky projekt ka një shpalosje të qartë... Hapësira e gjelbër në këto projekte si dhe në disa projekte të tjera është zgjidhur me disa derivatë, shpresoj të kemi mundësinë të diskutojmë konkretisht, të integruar me bulevardin, lumin, të ndërthurur me njëri-tjetrin apo me tranzicione të përziera por bulevardi për mua është vepra e parë nxitëse katalizatore e këtij zhvillimi të Tiranës modern europiane të shekullit të XXI. Të dy projektet paraqesin bulevard linear, bulevard të gjerë me parametra të ndryshme gjerësie, parametra gjelbërimi, njëri ka parametra të theksuar të hapësirave ujore, tjetri ka parametra të theksuar të infrastrukturës duke bërë një lidhje do të thoja nga më modernet dhe më efiçentet të kësaj arterie të bulevardit me arteriet laterale. Detyra e projektimit u ka dhënë arkitektëve një ide se brenda cilit marzh duhet të operojnë. Ne u kemi dhënë një marzh veprimi i cili nuk do të tejkalonte një shumë prej 30 deri 40 milionë euro vetëm për arterien e bulevardit bashkë me tranzicionin e lumit të Tiranës, pra kalimin, kryqëzimin, pjesën e bulevardit nga Stacioni i Trenit deri në bregun verior të lumit të Tiranës” – ka deklaruar z. Basha.