E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 shtatori, afati i fundit për certifikimin e partive

Nga 3 korriku deri më 4 shtator është afati për certifikimin e partive të cilat dëshirojnë të marrin pjesë në zgjedhjet lokale, zgjedhje këto që do të mbahen më 3 nëntor të këtij viti. Kështu është bërë e ditur nga KQZ, e cila ka sqaruar se të gjitha partitë, që janë gjobitur ndonjëherë, për çfarëdo lloj arsye, nuk mund të certifikohen pa i paguar ato.

Partitë që duan të marrin pjesë në një komunë duhet të paguajnë 200 euro për certifikim, ndërsa ato që duan të marrin pjesë në të gjitha komunat duhet të paguajnë nga 2 mijë euro. Sa i përket raportit të shpenzimeve gjatë fushatës, partitë duhet ta dorëzojnë atë në KQZ, më së largu 45 ditë pas zgjedhjeve, pra deri më 18 dhjetor.

Këto janë vetëm disa nga ato që u prezantuan rreth ndryshimit të rregullave dhe afateve ligjore.

Sa i përket afatit për deklarimin e certifikimit përmes koalicionit apo për mospjesëmarrje në zgjedhje është deri më 17 korrik. Miradije Mavriqi nga KQZ-ja ka njoftuar subjektet politike, shoqërinë civile dhe mediat për afatet dhe procedurat.

Ajo kërkoi nga të gjithë që të mos aplikojnë në ditën e fundit, pra 4 shtator, ngase kjo u paraqet probleme e që, sipas saj, gjithmonë ka ndodhur që të aplikohet në ditën e fundit.

“Subjektet politike që janë gjobitur por që nuk e kanë paguar gjobën ai subjekt politik nuk mund të certifikohet deri në momentin e pagesës së gjobës e as zyra nuk do ta merr në shqyrtim si aplikacion. Me pagesën e gjobës zyra e merr në shqyrtim dhe e kontrollon. Mirëpo, kemi subjekte politike që janë gjobit me tarifa administrative për shkak të vonesave të dokumentacionit, ato janë gjoba të shqiptuara nuk janë të larta, por ajo çfarëdo qoftë është e caktuar dhe duhet paguhet”, ka thënë ajo.

U tha se subjekti politik i cili në zgjedhjet e fundit të llojit të njëjtë nuk kanë marrë së paku një ulëse duhet të mbledh 100 nënshkrime të përkrahjes së votuesve të regjistruar në atë Komunë, por jo më shumë se një mijë nënshkrime nëse ka për qëllim të garojë në tërë komunat e Kosovës.

Për pastrimin e listave nga të vdekurit, Mavriqi ka thënë se është bërë dhe se deri në afat ligjor vazhdimisht ajo pastrohet.

“Ka qenë edhe një konferencë e KQZ-së ku është komunikuar se është bërë pastrimi i listave nga emrat e të vdekurve kështu që vazhdimisht bëhet pastrimi deri në afatin ligjor kur të vjen lista e pastruar e zgjedhjeve”, ka thënë ajo.

Ndërsa kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka ka kërkuar nga të gjitha subjektet politike që t’i respektojnë Ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës e veçanërisht t’i nënshtrohen Kodit të Mirësjelljes.
U tha se ndryshimet e bëra thjeshtë janë harmonizuar dhe nuk prekin asnjë parti në aspektin e dëmtimit të saj apo vështirësisë në punë./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›