E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkolla e rrënuar, nxënësit mësim në palestër

Një shkollë tjetër në Qarkun e Beratit, pas asaj të fshatit Hingë ku mësimi zhvillohet në një stallë, ka vënë në vështirësi ekipin e mësuesve. Shkolla nëntëvjeçare e fshatit Mbrakull ka dalë thuajse jashtë funksionimit, ndërkohë që projekti për rikonstruksionin e saj, i hartuar prej komunës, nuk ka gjetur ende miratim për thithjen e fondeve nga ministria përkatëse, ndonëse ishte premtuar çelja e tyre. Janë 200 nxënës të arsimit nëntëvjeçar dhe 20 nxënës të sistemit parashkollor të cilët janë të detyruar të zhvillojnë mësimin vetëm në katin e parë të shkollës, pasi soleta e katit të dytë është krejtësisht e amortizuar dhe rrezikon shembjen. Për të shmangur çdo të papritur që mund të vërë në rrezik jetën e nxënësve dhe mësuesve, stafi i shkollës ka vendosur që klasat të ndahen në pjesë. Disa klasa zhvillojnë mësimin ende në shkollën e rrënuar dhe një pjesë në shkollën e mesme të bashkuar madje dhe në palestrën e saj. Por, pamjaftueshmëria e ambienteve të lira në shkollën e mesme ka bërë që, me gjithë vështirësitë që hasen në shkollën nëntëvjeçare, mësimi të zhvillohet vetëm në katin e parë të saj.

Drejtori i shkollës, Abedin Qamo, është shprehur se prej vitesh nuk është dhënë asnjë investim për shkollën nëntëvjeçare të fshatit Mbrakull. E ndërtuar rreth viteve 1980, shkolla dykatëshe vetëm institucion arsimi nuk mund të quhet. Soleta e katit të dytë është shkatërruar krejtësisht, duke rrezikuar madje dhe shembjen në pjesë të veçanta të saj. Në të gjitha klasat mungojnë dyert dhe dritaret, ndërkohë që inspektimet e bëra nga specialistët e Drejtorisë Arsimore dhe asaj të Shëndetit Publik e kanë konsideruar jashtë kushteve për zhvillimin normal të mësimit. Të ndodhur në këto pozita ku shkolla nuk plotëson madje as kushtet higjieno-sanitare, stafi drejtues ka vendosur që mësimi të mos zhvillohet në katin e dytë të shkollës, por pjesërisht vetën në katin e parë ku klasat janë gjithë ingrasi.

Drejtori Qamo thotë se problemi është ngritur shumë herë në drejtorinë arsimore e prej kësaj të fundit edhe në ministrinë përkatëse. Komuna Vërtop ka hartuar projektin për rikonstruksionin e shkollës, i cili nuk ka gjetur ende aprovimin e fondeve.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›