E Shtunë, 31 Tetor 2026

4 vitet e ardhshme, përparësi absolute financimit të fermerëve

07-06-2013 / Gazeta 55

Inaugurohet fillimi i punimeve për rikonstruksionin e rrugës Mollas - Selitë - Frashër, në qarkun e Elbasanit

Kryeministri Sali Berisha u takua dje me banorë të fshatit Mollas të Elbasanit, teksa mori pjesë në inaugurimin e fillimit të punimeve për rikonstruksionin e rrugës Mollas-Selitë-Frashër, me vlerë rreth 300 milionë lekë. Rruga me gjatësi 7,5 kilometra, e cila është  investim i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, financuar nga Qeveria Shqiptare dhe donatoret e tjerë do të bëjë përfitues 15 mijë banorë të komunave Mollas në rrethin e Elbasanit dhe Kozare në rrethin e Kuçovës. Gjithashtu ky investim i rëndësishëm do të lidhë jo vetëm këto 2 komuna fqinje por edhe rrethin e Elbasanit me atë të Kuçovës. Në takimin me banorët, kryeministri Berisha shprehu kënaqësinë që kjo zonë e mrekullueshme e mbjellë më dru frutorë, e favorizuar nga natyra, por edhe nga përkushtimi i njerëzve të saj punëtore, do të pajiset shumë shpejt me një rrugë të tillë standardeve më moderne dhe bashkëkohore. Duke përgëzuar kryetarin dhe këshillin e komunës për projektet e ndërmarra dhe të realizuara me mbështetjen e qeverisë, kryeministri u shpreh se në 4 vitet që vijnë do ti jepet përparësi absolute financimit të fermerëve të zonës dhe të projekteve të tyre për zhvillim. Kryetari i komunës së Mollasit, zoti Agron Hysa, duke falënderuar kryeministrin për vëmendjen e treguar nga qeveria ndaj fermerëve të zonës, e informoi atë lidhur me projektet e realizuara në këtë komunë. “Dua t’ju informoj për komunën e Mollasit dhe në përgjithësi për Sulovën, për këtë zonë të bukur që na e ka dhuruar Zoti. Kjo është ajo komunë që ti ke përmendur në mbledhje qeverie, kjo është ajo komunë që ti ke përmendur me banorët, kudo që ke shkelur, e cila  ka hapur 1000 ha tokë te re dhe i ka dhënë me qira nga ligji që ju na kemi mundësuar. Këta qytetarë i janë kthyer punës dhe i janë qepur maleve dhe po të shikosh bukurinë e kësaj zone do të mahnitesh. Nga 1000 ha që kemi dhënë me qera, ne kemi mbjellë 450 ha. Edhe njëherë dua tu informoj se këta qytetar janë me punën dhe janë për punën. Në përshëndetjen e tij para banorëve, kryeministri Berisha premtoi për katër vitet e ardhshme një vaditës më modern, 3-fishim të grandeve për fermerët si dhe para në dorë për akcizën e naftës dhe për TVSH-në për inputet bujqësore. “Ne kemi një qëllim madhor dhe kjo është që ju të nxirrni më shumë fitim nga djersa që derdhni. Ne po ndërtojmë rrugë, pasi pa rrugë çdo prodhim përgjysmohet dhe i ikën vlera. Ky investim i shërben 50 mijë banorëve, por një seri rrugësh do të ndërtohen në këtë komunë. Ne jemi zotuar që ju të keni infrastrukturë të njëjtë me lagjet e qyteteve, të keni kanalizime, ujësjellës dhe energji elektrike”, u shpreh Berisha. Kryeministri garantoi kryetarin e kësaj komune që 1 mijë hektarët e tokës së dhënë nga ai për familjet e kësaj zone, ministria e Bujqësisë do ta ketë përparësinë më të madhe për financimin e projekteve për këtë tokë. Berisha tha se “e bëjmë këtë me bindjen se e meritojnë 100 për qind, duam tu shohim që ju të begatoni familjet tuaja”, ndërsa premtoi se “të gjitha projektet e kryetarit, këshillit të kësaj komune dhe deputetëve  tuaj, do të financohen një për një”. “Ne do ju mbrojmë siç ju kemi mbrojtur deri sot. Por nga ana tjetër, për të përballuar sfidën kemi dyfishuar pensionet në fshat dhe kemi rritur rrogat dhe pensionet në qytet dhe do të vazhdojmë të rrisim rrogat. Alternativa tjetër është që qumështi i lopës tënde, që e mban me mundim, të bëhet i pavlerë se shoku i autobusit thotë unë do heq TVSH për qumështin. Nëse e bën këtë do vijë plot qumësht nga jashtë vendit se ata e subvencionojnë 3.5 euro ditën lopën, ndërsa ne me skemën e qeverisë subvencionojmë 35 mijë lopë race, që do të bëhen të pavlefshme”, tha kreu i PD-së. Në përfundim të fjalës së tij, Kryeministri Berisha ftoi pjesëmarrësit që "të votoni numrin 44, votoni PD-në për punësimin tuaja, mirëqenien dhe integrimin e Shqipërisë në BE”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›