40-vjeçarët që qeverisin Anglinë
David tymoste, Nick shihte shfaqje, Ed i binte kitarës në një grup punk. Ishin vetëm 20 vjeç dhe dëfreheshin duke qenë të vetëdijshëm se po kalonin periudhën më të lumtur të jetës. Por më e bukura, në fakt, nuk kishte ardhur ende. Tashmë dyzetecavjeçarë ndodhen në majën e pushtetit në një vend shumë tradicional si Britania e Madhe. David Cameron, 43 vjeç, Nick Clegg 43, Ed Miliband 40, pa harruar vëllain e tij, David 44 vjeç, dhe të tjerë djem dyzetecavjeçarë që kanë marrë në duar frenat e qeverisjes së vendit, që drejtojnë qeverinë dhe opozitën në këtë Britani të Madhe të vitit 2010, kanë ide të ndryshme, por nga ana tjetër, edhe shumë pika të përbashkëta. Njëra prej tyre është në mënyrë të padiskutueshme mosha.
Brezi i 40-vjeçarëve simbolizon aftësinë e një vendi për t’u rinovuar, një tendencë të re që shkon përtej politikës jo vetëm në Britaninë e Madhe, por edhe gjetkë. Në fakt, për Britaninë nuk është hera e parë që ka një Kryeministër të ri. Toni Bler ishte plot 43 vjeç kur mori në duar fatin e vendit 13 vjet më parë, pas fitores së laburistëve dhe vetëm 40 kur u caktua lider i laburistëve.
Bashkëpunëtori i tij Braun, në atë kohë ishte gjithashtu vetëm tre vjet më i madh se Bler. Por sigurisht edhe para tyre ka pasur liderë të rinj si Kennedy në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, 44-vjeçar dhe pa dyshim edhe çifti i demokratëve që qeverisi në Shtëpinë e Bardhë për 8 vjet rresht Klinton dhe Gor. Por ajo që të bie në sy në Mbretërinë e Bashkuar sot, është se nuk bëhet fjalë për një person apo një çift personash, por për një numër shumë të madh të rinjsh që kanë marrë në duar fatet e pozitës dhe opozitës në Mbretërinë e Bashkuar. Përveç David Cameron, që është edhe Kryeministri më i ri në historinë e 200 viteve të fundit në vend, edhe zëvendësi i tij, Clegg, është 43 vjeç, kreu i liberal-demokratëve. Ndërkohë që në qeveri bëjnë pjesë shefi i financave, Xhorxh Osborne 38 vjeç, Danny Aleksander, ministri i Skocisë 38 vjeç, Majkëll Gove, ministri i Arsimit 42 vjeç, Xheremi Hunt, ministri i Kulturës 43 vjeç, pa përmendur këtu baroneshë Vrasin ministër pa portofol dhe gruaja e parë myslimane në një kabinet qeveritar britanik që është vetëm 38 vjeçe. Përmendim këtu edhe rivalin dhe shokun e shkollës së Cameron, Boris Jonso, i cili është kryebashkiaku i Londrës dhe është 46 vjeç.
E njëjta situatë është edhe në Partinë Laburiste, që deri më tani ishte në pushtet. Aty kemi vëllezërit Milliband, David dhe Ed, që të dy kandidatë për të zënë vendin e drejtuesit të partisë që do të mbetet bosh në shtator pas largimit të Gordon Braunit. Ndërkohë është edhe Ed Balls, ish-ministër i Arsimit 43 vjeç dhe bashkëshortja e tij, Yvet Kuper, ish-nënsekretare e punës 41 vjeçe, Xhejms Purnell, ish-ministër i Punës 40 vjeç, Andre Burnham, ish-ministër i Kulturës 40 vjeç. Janë pikërisht këta të rinj që do të përballen për të ndryshuar trashëgiminë e lënë nga Bler dhe Braun. Madje këtë tashmë e kanë të qartë edhe “të moshuarit” e partisë, si një nga njerëzit më të fuqishëm të laburistëve, 59-vjeçari Alan Xhonson, i cili u tërhoq nga gara për kreun e partisë, duke deklaruar se sfida u takonte tashmë të rinjve. Të dy grupet e mëdha të 40-vjeçarëve, ai në qeveri dhe ai në opozitë, lëviznin në Londër nëpër të njëjtat ambiente. Konservatorët që i mbiquajnë “Grupi i Notting Hill” nuk para i pëlqejnë më lagjet e pasura të çelsit apo Mayfair, duke preferuar që në vend të tyre të banojnë në Notting Hill. Ish-getoja, ku një herë e një kohë jetonin kontrabandistët e vegjël dhe marinarët e tregtarët. Në këtë lagje, një shtëpi me tre kate kushton jo më shumë se 5 milionë euro, që në fakt nuk është shumë lirë, por ajo që ndryshon nga lagjet e pasura është atmosfera përreth, e cila është mjaft më e çlirët dhe rinore. Ndërsa laburistët i mbiquajnë “Mafia e Primrose Hill”, një lagje në veri të Londrës edhe kjo një ish-zonë e kontrabandistëve dhe shpërndarësve të drogave, por e preferuar nga shkrimtarë dhe aktorë e madje edhe disa këngëtarë të famshëm si Amy Winehouse. Edhe kjo është një lagje ku shtëpitë kushtojnë si në zonat e shtrenjta, por atmosfera me pub-e, dyqane e vende për t’u zbavitur është gjithashtu rinore dhe gazmore. Në sallonet e këtyre lagjeve, në mbrëmjet dhe darkat e organizuara mes miqsh dhe kolegët, 40-vjeçarët kanë nisur që të bëjnë politikën e re britanike. Për të parë se çfarë bëjnë realisht këta 40-vjeçarë le të shohim 4 prej përfaqësuesve më në zë të këtij brezi, që vërtiten rreth Mbretëreshës Elisabetë, e cila mbretëron që prej më shumë se një gjysmë shekulli, duke qenë deri më tani edhe personi më i qëndrueshëm në të gjithë klasën politike dhe qeverisëse në Londër.
David Cameron. Për të dihet se është pasardhësi i një mbreti (edhe pse jo i ligjshëm) dhe ai është martuar gjithashtu me pasardhësen e një tjetër mbreti, bijën e një baroni. është diplomuar në Oksford, ku ishte edhe anëtar i Klubit të Bullingtonit, një organizatë e trashëgimtarëve të pasur, që e kalonin kohën duke pirë e bërë qejf. Ndërkohë thuhet se gjatë asaj periudhe ai i provoi të gjitha, përfshi marijuanën dhe kokainën. Por gjithmonë pyetjeve të gazetarëve në lidhje me këto përvoja të rinisë së hershme të tij, ai u është përgjigjur: “Të gjithë bëjnë gabime, e rëndësishme është që të mos i përsërisësh”. Por me të mbaruar studimet e larta ai mori një vit shkëputje për të punuar në Hong-Kong dhe më pas udhëton shumë për t’u kthyer më në fund në shtëpi. Pavarësisht se vjen nga një familje e pasur, ai pati një tragjedi në familjen e tij me një djalë të sëmurë për 7 vjet rresht, i cili vdiq një vit më parë. Pikërisht kjo ngjarje e hidhur e ka ridimensionuar si njeri, e ka bërë që të jetë më me këmbë në tokë dhe të mendojë shumë edhe për të varfrit, të sëmurët dhe ata që vuajnë. Kur e kanë pyetur nëse beson në Zot, ai është përgjigjur “po”, por më pas ka cituar Dostojevskin: “Kur sheh të vuajë një fëmijë, atëherë të vjen të pyesësh se ku është Zoti”.
Edhe zëvendësi i tij në detyrë, Nick Clegg, ka kryer shkollat më të mira në Mbretërinë e Bashkuar, fillimisht në Westminster, një shkollë shumë elitare dhe më pas Universitetin e Kembrixhit. Por kurrikulumi i tij është më i ndryshëm nga ai i Cameron. Për një vit rresht ka bërë mësuesin e tenisit, një vit tjetër ka bërë mësuesin e alpinizmit në alpet franceze, ku i ati, një bankier i pasur, ka një kështjellë. Një tjetër vit e kaloi duke recituar me një kompani teatrore. Gjatë kësaj periudhe personazhi i tij i preferuar ishte Sirano de Berzheratk. Në fakt pasioni i tij i madh ishte aktrimi dhe pikërisht teatri e afroi shumë edhe me autorin e famshëm irlandez, Beckett, nga i cili lexoi me një frymë gjithçka duke filluar nga “Në pritje të Godosë” e deri te “Molloy” dhe vepra të tjera. “Më pëlqen mënyra me të cilën Beckett vë në dukje boshësinë e ekzistencës sonë, duke na shtrënguar kësisoj që t’i bëjmë vetes pyetjet: Kush jemi? çfarë duam?” - rrëfen Clegg. Në fakt të qëllon shumë rrallë që të hasesh me një politikan, i cili flet në një mënyrë të tillë. Dhe çka është më interesante, është se Clegg di të flasë në mënyrë shumë të rrjedhshme 5 gjuhë të huaja, duke qenë se ka një gjyshe ruse, mamanë holandeze dhe gruan spanjolle, me të cilën është njohur në Bruksel. Një tjetër gjë e rrallë e tij është se ai deklaron në mënyrë të hapur se është një “ateist”, edhe pse e bija po merr një shkollim katolik, duke qenë se është feja e së shoqes. David dhe Ed Milliband kanë ndjekur të njëjtën shkollë shtetërore, por njëherazi një nga më të mirat e Londrës dhe më pas kanë shkuar në të njëjtin universitet, Oksfordin. Por në thelb janë të ndryshëm. David, shumë më serioz, ishte i dhënë që në atë kohë pas politikës dhe filozofisë, ndërsa Ed luante në kitarë në një grup punk dhe për një vit pas studimeve bëri gazetari. Të dy kanë hyrë shumë të rinj në radhët e Partisë Laburiste dhe janë përballur gjatë gjithë kohës me një baba shumë më radikal se ata vetë: Ralph Milliband hebre, polak i ardhur në Angli gjatë Holokaustit, i cili ka qenë një nga teoricienët më të famshëm të marksizmit dhe një individ që mbeti komunist deri në fund të jetës. Ai nuk arriti kurrë që të ambientohej me zgjedhjen politike të të bijve.
Ja pra katër përfaqësuesit më në zë të brezit të 40-vjeçarëve që kanë marrë në dorë politikën e Britanisë së Madhe në pozitë dhe në opozitë. Kur u përmbys Muri i Berlinit ishin 20-vjeçarë dhe pyetja që u lind të gjithëve është: Si ia arritën që të ngjiten kaq lart brenda një kohe kaq të shkurtër? Sipas një analisti dhe komentatori politik britanik, kjo ka ndodhur për shkak të shndërrimit të politikës në një profesion të mirëfilltë. “Sot nuk është më e nevojshme që për të kaluar në postet e larta politike të kesh një karrierë të gjatë militantizmi. Një pjesë e madhe e gjakut të ri vjen ose nga organizata të ndryshme, ose nga posti i sekretarit, apo artikullshkruesit të shefit të madh”, thotë një sociolog i çështjeve politike. Sigurisht që shkollat dhe universitetet kanë ndikimin e tyre në këtë mes. Gjithsesi në Britani janë të shumtë ata që mendojnë se për të qenë një politikan i mirë duhet patjetër të jesh karizmatik, fotozhenik dhe mbi të gjitha 40 vjeç.
#