E Shtunë, 31 Tetor 2026

Të modelosh jetën e një fëmije!

Zëra femërorë

“Një femre i duhen njëzetë vjet për ta kthyer një fëmijë në një burrë, ndërsa një tjetre i duhen vetëm njëzetë minuta për ta kthyer në një idiot”. Po e hap këtë shkrim me këtë thënie tepër të vyer të shkrimtarit Charls Dickens, mendim i cili më së miri mund të tregojë sesa i rëndësishëm është roli i një femre në edukimin e një fëmije. E në kohët kur anarkia sociale, morale, arsimore, e politike, mbizotëron shoqërinë shqiptare, roli i femrës-nënë merr përmasa të jashtëzakonshme. Pikërisht në kohë të tilla femrat duhet të ndërgjegjësohen akoma më shumë për rolin e tyre edukues, duke rritur vëmendjen ndaj bijve të tyre, e duke kontrolluar në mënyrë të plotë efektet negative që e sulmojnë një fëmijë nga jashtë.

Por për fat të keq, panorama që na shohin sytë është e dhimbshme. Shohim femra-nëna që i e tërheqin zvarrë fëmijët e tyre, në kuptimin e vërtetë të fjalës “zvarrë”. Kemi femra të tjera edhe më të përkëdhelura nga fati që përsëri i tërheqin zvarrë fëmijët e tyre në padije, në meskinitet, në egoizëm, e në imoralitet.

Për fat të keq, një pjesë e mirë e femrave-nëna, vendosin të sjellin në jetë fëmijë, jo sepse janë gati, jo sepse e dinë se çfarë është të edukosh një fëmijë, por sepse kështu bëjnë të gjitha, sepse kjo është një hallkë e ciklit martesor, sepse duan të kenë një lodër për të mbushur orët e vakumit jetësor, apo sepse kështu mund ta robërojnë përjetë një mashkull.

Këto janë modelet më të këqija ku fëmija shihet vetëm si një vegël shfrytëzimi, dhe jo si një qenie individuale e pavarur mbi të cilën detyra e një nëne është të formësojë brendinë e saj, ku bashkë me dashurinë, pak nga pak çdo ditë, t’i japë frymë mendimit, vlerave njerëzore, duke hedhur themelet për një karakter të fortë e të qëndrueshëm.

Modelet që na serviren në shoqërinë tonë, përveçse janë të turpshme, janë edhe të dhimbshme. Shohim si femrat-nëna i trajtojnë fëmijët si pronë, si skllevër, të cilët janë të detyruar të sillen sipas tekave e kapriçiove të skllavopronarit, por këtë herë në emër të dashurisë së nënës. Me dhimbje shohim sesi femrat-nëna, e shfrytëzojnë këtë dhuratë hyjnore që u është dhënë, për t’i kthyer fëmijët në armë përfituese dhe shantazhuese ndaj meshkujve. E kjo lind që në ngjizjen e një fëmije (herë –herë edhe përpara saj), kur femra e përdor shtatzëninë si motiv për ta tërhequr partnerin mashkull drejt martesës. Më pas ky fëmijë e ka të shënuar jetën e vet, gjatë së cilës gjithmonë do të përdoret si një vegël, si një armë, si një shigjetë, me të cilët femra-nënë do të plotësojë kërkesat e saj.

Kështu shohim fëmijët teksa përdoren kundër baballarëve e kundër vjehrrave. Shohim sesi gënjeshtrat e femrave-nëna nguliten në mendjen e fëmijëve duke shenjuar njëherë e përgjithmonë të ardhmen e tyre me modelin e mashtrimit. Me dhimbje shohim se këto femra i shkarkojnë inatet e tyre mbi fëmijët, në forma nga më të ndryshmet që nga dhuna fizike e deri tek ajo mendore, duke përdorur të gjitha mjetet shantazhuese ndaj fëmijëve për t’i bërë robër të planeve të tyre çnjerëzore. Shohim sesi femrat i ulin fëmijët përpara televizorit, për të parë së bashku telenovelat e pasdites; i bëjnë pjesë fëmijët në bisedat thashethemuese të “grave të lagjes”; i bëjnë pjesë të bisedave dashurore, erotike, bashkëshortore, e akoma më keq edhe të atyre diskriminuese e raciste.
Por çfarë mund të presin këto nëna nga një fëmijë që në djep është mësuar me urrejtje, me mashtrime e gënjeshtra, mësuar me varësi e me zinxhirë “dashurie”? çfarë do të na japë nesër, kjo farë e keqe e mbjellë sot?

Kjo më kujton një tjetër histori: Një hajdut ordiner ishte dënuar me varje me litar, e përpara se ta varnin i kërkuan dëshirën e fundit. Dhe ai kërkoi: “Dua nënën time, t’i kafshoj gjuhën, sepse gjuha e saj më solli në këtë ditë.”

Pikërisht një fëmijë i keqedukuar sot, nesër do të jetë shqetësim jo vetëm për nënën, jo vetëm për familjen, por për të gjithë shoqërinë tonë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›