400 pyetësorë për bibliotekat
Gjendja e bibliotekave në rang kombëtar është ende e mjerueshme. Ndonëse niveli funksional ka vazhduar të rritet, në pjesën dërmuese ende ndeshen probleme. Por, a mund të mjaftohemi vetëm me pesë apo gjashtë biblioteka në vend? A janë ato në gjendje të përballojnë kërkesat e një “lexuesi”, i cili çdo ditë e më shumë po rritet? Për këtë është mbajtur një qëndrim. Ministria e Kulturës, në zbatim të ligjit për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë, ka kryer një testim të përgjithshëm për të parë gjendjen e tyre në shkallë vendi. Në një test me rreth 400 pyetësorë, drejtuar të gjitha bibliotekave në 35 qytete, MTKRS ka krijuar një database, për të kuptuar gjendjen aktuale mbi funksionimin e tyre dhe prurjet e reja
Gjendja e bibliotekave në rang kombëtar është ende e mjerueshme. Ndonëse, niveli funksional ka vazhduar të rritet, në pjesën dërmuese ende ndeshen probleme. Por, a mund të mjaftohemi vetëm me pesë apo gjashtë biblioteka në vend? A janë ato në gjendje të përballojnë kërkesat e një “lexuesi”, i cili çdo ditë e më shumë po rritet? Për këtë është mbajtur një qëndrim. Ministria e Kulturës, në zbatim të ligjit për bibliotekat në Republikën e Shqipërisë, ka kryer një testim të përgjithshëm, për të parë gjendjen e tyre në shkallë vendi, një proces që ka zgjatur përgjatë dy muajve të parë të këtij viti. Në një test me rreth 400 pyetësorë, drejtuar të gjitha bibliotekave në 35 qytete, MTKRS ka krijuar një database, për të kuptuar gjendjen aktuale mbi funksionimin e tyre dhe prurjet e reja. Është një testim, i cili konsiston në evidentimin e koleksioneve, ekzemplarëve, titujve të huaj dhe në shqip, periodikut dhe nivelin profesional të stafit që disponojnë këto biblioteka. Kështu, nga kjo evidencë rezultojnë të dhëna që tregojnë se niveli i prurjeve në bibliotekë është në rritje, është vënë re një rritje e lexuesit, punonjësit pranë këtyre institucioneve janë kryesisht me arsim të lartë, dhe gjithnjë kjo kurbë po shkon në rritje.
“Ka një sensibilizim me ngritjen e bibliotekave dhe me një lloj investimi të vazhdueshëm në to”, - shprehet shefi i sektorit të letrave, pranë Ministrisë së Kulturës, Ermir Nika. Sipas tij, ajo që shqetëson vazhdimisht këto institucione është akordimi i fondeve, si përgjegjësi e bashkive përkatëse, e rrjedhimisht edhe blerjet minimale të librave të rinj në këto biblioteka, duke marrë parasysh edhe fluksin e botimeve në Shqipëri. Nisur nga ky problem, këtë gjendje Nika e justifikon me një krahasim me vendet e ish-diktaturës. “Shqetësimi i ngritjes së bibliotekave të një funksionimi sa më normal ndesh në probleme që sot i gjen edhe në të gjitha bibliotekat e ish-vendeve komuniste, siç janë problemet financiare, përshtatja e godinave me parametrat e reja të shërbimit. Në bazë të standardit të vendit, edhe ne jemi pothuajse në të njëjtën situatë”.
Në bazë të të dhënave të këtij testi rezulton se biblioteka model sot në Shqipëri është ajo e Lezhës, e cila është një bibliotekë e re me standarde bashkëkohore, veç asaj Kombëtare. Po ashtu, si bibliotekat më të mira shqiptare pyetësori ka klasifikuar edhe atë të Fierit, bibliotekën e Elbasanit, për shkak të pasurisë së trashëgimisë që disponon, biblioteka e Korçës, në të cilën ka shumë donacione nga shqiptarët e diasporës, biblioteka e Vlorës, e cila është një godinë të re, edhe pse nuk ka hapësira të mjaftueshme. Sipas shefit të sektorit të letrave, biblioteka e Durrësit dallohet për një shërbim të mirë dhe punë profesionale, ndonëse mungon hapësira e mjaftueshme për fluksin e lartë të lexuesit. Megjithatë, testimi tregon që pjesa më e madhe e bibliotekave në Shqipëri janë të restauruara.
Po ashtu, renditen edhe bibliotekat që nuk janë në gjendje të mirë funksionale, ku mes tyre në bazë të rezultatit të testimit, Cërriku nuk ka bibliotekë, Shijaku ka një rikonstruksion të ndërtesës, Përrenjasi nuk i është përgjigjur kërkesës që nuk ka bibliotekë, Vau i Dejës etj. “Këto janë vende lokale që në fund të fundit komunitetit u duhet ofruar shërbimi përkatës. Kjo, pasi komunat dhe bashkitë janë të detyruara t’i ofrojnë këto shërbime”, - shprehet Nika. Ndërkohë që biblioteka e Memaliaj, e cila ka ngritur një bibliotekë pas prishjes së institucionit në vitin 1997, nuk ka pranuar t’i nënshtrohet procesit të testimit, duke mos kthyer kështu përgjigje. Në gjendje jo të mirë funksionale është edhe biblioteka e Hasit, ajo e Poliçanit, Leskovikut, Laçit, ndërsa për kryeqytetin thuhet se është pa bibliotekë.
Tirana nuk ka bibliotekë
Metropoli shqiptar nuk ka bibliotekë. Ky është rezultati i marrë nga testimi i realizuar nga Ministria e Kulturës edhe për këtë vit. Të vetmet që funksionojnë janë bibliotekat e njësive, por në pjesën dërmuese të tyre ka shumë probleme. Sipas këtij testimi, biblioteka më e mirë, apo model siç e cilëson Nika, dallohet ajo e njësisë 5 të kryeqytetit. Po ashtu, sipas tij, është vënë re edhe një tendencë për hapjen e bibliotekave të njësive në kryeqytet, kryesisht në kabinetet e mëparshme. Përgjegjëse për këtë situatë, sipas tij, është bashkia, pasi ky institucion është në varësi të pushtetit vendor, pra, ngritja e një biblioteke dhe administrimi i saj. “Është vetëm Biblioteka Kombëtare ajo që luan në një farë mënyre rolin përmbushësh. Ajo po luan në të njëjtën kohë dy funksione, rolin e bibliotekës së kryeqytetit, por edhe atë të trajnimit të informacionit dhe kualifikimit të stafit të bibliografisë kombëtare”, - thotë Nika. Po veç kësaj, ai shton se disa nga bibliotekat e njësive bashkiake funksionojnë mirë, por tashmë ka ardhur koha që Tirana të ketë një bibliotekë të madhe, si kryeqytet i Shqipërisë në kushte bashkëkohore. Lexuesit që dominojnë në sallat e bibliotekave të njësive të Tiranës janë kryesisht nxënësit e shkollave 9-vjeçare, dhe të gjimnazeve, ndërsa studentët janë më inferiorë ndaj tyre. Shkak për këtë fakt është frekuentimi më intensiv i Bibliotekës Kombëtare, si dhe ato të universiteteve përkatëse. Në këtë rast, Ermir Nika veçon ambientet e bibliotekës së Fakultetit të Histori-Filologjisë, të Universitetit Politeknik, si më të mirat e institucioneve arsimore.
Të dhënat
Në bazë të statistikave, prej këtij pyetësori më shumë pëlqehen librat e autorëve të huaj, kryesisht letërsia artistike, romanet, tregimet. Ky është një fenomen, që sipas Ermir Nikës, nuk ndodh vetëm në Shqipëri, por në shumë vende të botës. “Kjo ndodh për shkak të tendencës për të njohur sa më shumë një letërsi të panjohur e një mentalitet të caktuar, ashtu siç ekziston edhe interesi i botimit të letërsisë shqipe në Gjermani, Francë, Amerikë etj.”, - shprehet Nika, duke shtuar edhe periodiket, ku përfshihen gazetat, revistat etj., si literaturën më të shfletuar në sallat e bibliotekave.
Përdoruesit janë gjithnjë e në rritje, jo me ritme shumë të larta, pasi shumë materiale në ditët e sotme mund të gjenden në forma nga më të ndryshme. “Sot informacionin gjendet shumë lehtë, si me anë të internetit, e mjetet të tjera, por ne po mundohemi t’i shndërrojmë bibliotekat e shtetit shqiptar në qendra informacioni, duke i pajisur ato edhe me shërbime interneti”, - thotë ai. Ndërsa për fondet e akorduara për shërbimin bibliotekar, rezultatet dëshmojnë se nuk janë ritmet e duhura, meqenëse nevoja për të marrë informacion nëpërmjet librit është gjithnjë e në rritje. “Këtij fluksi duhet t’i përgjigjet vetë institucioni me anë të fondeve. Duhet të kemi kujdes edhe në pasurimin e fondeve aktuale për botimet e reja”, - shton Nika. Këtë rol në biblioteka e kryen një këshill përkatës, i cili mes botimeve ka të drejtë të përzgjedhë vetëm disa prej tyre, pasi jo të gjithë titujt mund të përfshihen. “Janë mbi 1500 tituj dhe mes tyre komisioni përzgjedhin vetëm disa prej tyre, sigurisht në varësi të fondeve që kanë. Bashkitë duhet të kenë shumë vëmendje ndaj bibliotekave, që të shtojnë fondet e blerjes së librave, ashtu siç kanë vepruar për shtimin e elementit të kualifikuar me arsim të lartë. Deri tani është evidentuar se bibliotekave u është akorduar një fond shumë i vogël nga bashkitë”, - thotë shefi i sektorit të letrave.
Apeli
“Duhet të rritet fondi për pasurimin e bibliotekave, pajisja me kompjuterë dhe internet”. Ky është apeli institucional që vjen nga Ministria e Kulturës, për t’u kompletuar sa më mirë bibliotekat në shkallë vendi. Sipas Nikës, pjesa më e madhe e bibliotekave janë të pajisura me kompjuterë, ndërsa pjesa e mbetur është në zbatim e sipër të këtij procesi. Gjithashtu po investohet edhe me shtimin e fondit për blerje librash. “Nëse nuk merren librat e rinj, lexuesi nuk do të jetë më kurioz të lexojë një tjetër botim, të cilin mund ta ketë lexuar edhe më përpara në shkollë”, - pohon ai. Veç kësaj, Nika plotëson këtë shqetësim edhe me një thirrje kundrejt instancave përgjegjëse shtetërore, duke u shprehur se “bashkitë duhet të jenë më të ndërgjegjshëm për rëndësinë që kanë sot bibliotekat në Shqipëri dhe për atë sensibilizim dhe orientim pozitiv që po merr sot shoqëria që t’i rikthehet librit. Një libër është i kushtueshëm dhe në varësi të mundësive, shteti mendoj se duhet t’u krijojë të gjithëve shërbimin falas. Afrimin me librin, formimi dhe kulturimi i vazhdueshëm është një shenjë pozitive për zhvillimin e shoqërisë shqiptare. Një lloj ushqimi i shijeve më të mira estetike, intelektuale veçanërisht tek brezat e rinj”.
Trajnim i stafit
Ministria e Kulturës ka nënshkruar marrëveshjen me të huajt për trajnimin e stafit, si një nga projektet kryesore, i cili organizohet çdo vit. Qendra më e madhe e kualifikimit në vend, sot është vetëm Biblioteka Kombëtare. Ekziston një shkollë dyvjeçare, e cila trajnon bibliotekarët në shkallë vendi në të gjitha nivelet, por ka trajnime edhe në vende të huaja. Kjo është një politikë e Ministrisë së Kulturës. Është një sensibilizim i përgjithshëm për rëndësinë që ka libri në shoqërinë e sotme, kryesisht nga vetë institucionet shtetërore, por edhe nga publiku, i cili gjithnjë e më shumë po u drejtohet dyerve të bibliotekave duke iu afrohen niveleve bashkëkohore, edhe pse me pak vështirësi, si duke instaluar internetin, fondet e hapura, e duke tërhequr lexuesin në këtë mënyrë.