Anxhelika Balabanof: Gruaja që i mësoi socializmin Musolinit
George Seldes, një nga gazetarët më të mëdhenj të Amerikës, në librin e tij "Dëshmitar i një shekulli", ka shkruar për takimet, intervistat, bisedat me njerëz të shquar të shekullit të njëzetë. "Shekulli" e boton për herë të parë në shqipe. Është radha e portretit të Angelika Isaakovna Balabanova-s (1878-1965), udhëheqësja e mohuar
Duçe thoshte shpesh se, sikurse Linkolni, edhe ai për gjithçka i detyrohej nënës së tij. Por në jetën e vet pati një periudhë të gjatë, që nga ditët kur ia mbathi për në Zvicër në fillim të viteve 1900-të për t'i shpëtuar shërbimit ushtarak deri në kohën kur u bë kryeredaktor i gazetës zyrtare "Avanti!", e cila i përkiste Partisë Socialiste, kur ai u tha të gjithëve se i detyrohej për gjithçka shoqes së tij, Anxhelika Balabanof.
Thuajse e panjohur tani, e harruar përveç disa kapitujve në librat mbi fashizmin dhe Musolinin, Dr. Anxhelika Balabanof ishte njëra nga udhëheqëset më të mëdha radikale në fillim të dhjetëvjeçarëve të shekullit të njëzet.
Shumë më përpara se dhjetë ditët do të tronditnin botën, lëvizja marksiste u nda më dysh, ajo pat qenë mike dhe pat punuar me Liebknektin dhe Roza Luksemburgun në Gjermani, gjithashtu me Jean Juares në Francë, kurse në internim në Zvicër ajo ishte bashkëpunëtore e të dyve, Leninit dhe Trockit.
Kaq udhëheqëse e rëndësishme ishte ajo sa që kur u themelua Byroja e Informacionit Komunist ajo u zgjodh të kryesonte kongresin e tij të parë.
Në korrik të vitit 1902, kur një emigrant punëtor italian të arrestuar për rrugaçëri në Lozanë e nxorrën nga burgu, Dr. Balabanof e shqoi nga larg në njërin nga mitingjet e saj. Ai ishte një hushkulur aq i gjorë sa që zemra e saj u mallëngjye. Ajo i foli atij dhe filloi ta ndihmojë menjëherë.
Ajo përktheu për të dhjetë pikat e Manifestit Komunist të vitit 1848. (Ai ia shpagoi në një mënyrë kureshtare; i përfshiu shtatë prej tyre në programin e tij fashist prej katërmbëdhjetë pikash të vitit 1919. Në vitin 1923 kur Duçja më përzuri nga Italia, çdo italian duhej të bënte pesë vjet internim në Ishujt Lipariani në rast se i rishtypte pikat e Manifestit dhe të programit të tij njëra pranë tjetrës, siç pata bërë unë.)
Kur isha në Bandol, në Francën Veriore, duke shkruar një libër për Musolinin, më thanë se Dr, Balabanof, e cila ishte shkëputur prej Leninit dhe Trockit e ishte kthyer sërish në interpretimin e parë të socializmit marksist, tani jetonte diku pranë meje.
I shkrova asaj për librin tim dhe ajo erdhi në Bandol. Ajo jo vetëm që korrigjoi dorëshkrimin tim, por më foli një ditë të tërë dhe më vonë më dërgoi disa faqe të historisë së hershme të Musolinit, të cilat ia besova tekstit.
Megjithëse në vitin 1902 ai ishte i palarë, nëpër rrobat i kishin mbetur kokrriza rëre sepse flinte poshtë urës, megjithëse dukej i përulur, megjithëse sytë e tij të errët të zgurdulluar dukeshin të çapëlyer nga frika, më tha Dr. Balabanof, kishte diçka në nofullën e tij të dalë dhe në mënyrën agresive që dukej paradoksale, dhe ajo nuk mundi t'i rezistojë pa i kushtuar interes.
"Asnjeri nuk më ndihmon," i tha Musolini asaj. "Jam i dënuar që do të mbetem tërë jetën time një rrugaç i gjorë." Kur ajo këmbënguli, ai i tha: "Im atë ishte pijanec dhe përveç kësaj unë kam një sëmundje të lindur, për të cilën më duhet ta falenderoj atë. Unë nuk mund të punoj. Nuk mund të jem militant. Unë kam për të jetuar në këtë mjerim që po jetoj tani."
"Jo, jo," u përgjigj Dr. Balabanof. "Do të shoh se çfarë mund të bëj për ty."
Musolini nuk e tha kurrë emrin e sëmundjes të tij dhe në vitin 1931 Dr. Balabanof ishte aq sipas rregullave sa të mos ma thonte emrin edhe mua - fjala "sifiliz" për shekuj të tërë ka qenë fjala më tabu në të gjitha gjuhët, madje edhe mendimtarët e përparuar të cilët ndonjëherë përdornin fjalë të ndaluara me katër gërma përmbaheshin për të thënë emrin e sëmundjes.
Gjëja e parë që ajo bëri, Dr. Balabanof më tregoi, se duhej të përkthente pamfletin e Kauckit, "Ardhja e Revolucionit," për të cilin Musolini mori pagesën e redaktorit, pesëdhjetë franga zvicerane, një shumë e mirë për atë kohë.
Kjo ishte pika e kthesës në jetën e tij. Rreth dhjetë vjet më vonë Musolini, tani një orator luftënxitës në rrugë, u bë një gazetar shumë i njohur, falë ndihmës të asaj gruaje, në këtë mënyrë atij iu ofrua vendi i kryeredaktorit në gazetën e përditshme "Avanti!" të Partisë Socialiste Italiane. Ai pranoi me një kusht: "që Shoqja Anxhelika të punojë me mua si ndihmëse redaktore."
Gjatë dy viteve ata i patën tryezat e punës njëra pranë tjetrës si redaktorë të organit zyrtar të Partisë Socialiste, Musolini shpesh kishte kriza të një frike fizike të papërmbajtur.
Ai kishte frikë nga errësira dhe puna e tyre vazhdonte të paktën deri në gjysmën e natës. Duçja i ardhshëm i lutej Dr. Balabanofës që ta shoqëronte për në shtëpi, me që ata banonin në të njëjtën rrugë dhe ajo e shpinte deri tek dera e tij. "Nga çfarë kam frikë?" thoshte ai duke përsëritur pyetjen e saj. "Prej vetes sime. Nga qeni. Prej hijes time."
Natyrisht ai nuk mund t'u besonte shokëve të tjerë për të rrëfyer se çfarë sëmundje kishte, por shpesh shpërthente në lot duke u ankuar për mjekimin që bënte sepse atij i duhej të shkonte në një klinikë çdo ditë të vitit. Pastaj Dr. Balabanof e shpuri Musolinin tek një doktor që e kishte shok. Testi Waserman doli pozitiv.
Nga dhjetori 1912 deri në nëntor 1914 ata shkruan artikuj duke denoncuar përgatitjet për luftë dhe pastaj luftën. Italia ishte zotuar të mbronte Austrinë por qëndroi neutrale. Shoqja Anxhelika më tha se Musolini shpesh përqeshte francezët dhe përkrahte gjermanët.
Por thuajse brenda një nate toni i tij ndryshoi, ai braktisi gazetën "Avanti"! dhe filloi në Milano me gazetën e tij, "Popolo d'Italia". Ai i mbante plotësisht anën Franko-Britanike. "Ne mund vetëm të dyshonim se ndonjë lloj oferte e kishte bërë atë me francezët," tha Dr. Balabanof.
Në Bandol në vitin 1931 ajo tha: "Unë nuk dua të dyshoj se njeriu, të cilit i mësova socializmin që nga rinia dhe derisa u ngrit në pushtet do të donte apo do të mundte t'i tradhtonte idealet tona.
Unë gjatë këtyre viteve të bashkëpunimit tonë kurrë nuk kam qenë e verbër ndaj disa vetive të karakterit të tij të lindura, ndaj dobësisë së tij jetësore, burracakëria e tij fizike në takimet vetjake në kontrast me gjestet e tij heroike kur ndodhej i rrethuar nga shumë njerëz; tek pazotësia e tij për t'i rezistuar tundimit për pushtet personal, tek mendjemadhësia e tij pa fre."
Mbetej një çështje: gratë e Musolinit. Shumë, ndoshta shumica e biografive lavdëruese të Il Duce dhe pothuajse të gjitha intervistat janë të shkruara nga gazetare të reja dhe me bukuri të mjaftueshme të viteve 1930, e ndoshta edhe më vonë, janë të shkruara pikërisht nga kjo anë e adhurimit dhe të paktën pas një përvoje të mrekullueshme dashurore.
Është e vërtetë, më tregoi Dr. Balabanof, se si shtojcë e gjithë këtyre aventurave Musolini gjithashtu kishte dy gra me të cilat jetoi për vite të tëra dhe u bë baba me fëmijë.
Ato erdhën në zyrën e gazetës "Avanti!" më 1915, kur Italia hyri në luftë dhe Musolinin e thirrën nën armë. Njëra ishte Rashelë Guidi, e bija e dashnores të babait të Musolinit dhe shërbëtore e familjes (me të cilën ai më në fund u martua pasi nënshkroi Traktatin me Papën më 1929), dhe tjetra ishte Irenë Desleri, e cila erdhi me të birin dhe një certifikatë lindjeje nga Trento, djalit i kishte vënë emrin e tij, Benito Musolini i Riu. Çdo dashnore e flakur tutje, nënë e ndonjë a më shumë fëmijëve, kërkonte ndihmë për të marrë pagesë nga ushtria e Musolinit.
Shënim
Historia tragjike e Irenë Deslerit, internimi si armike (austriake) dhe vendosja përfundimtare prej Musolinit në një azil për të çmendur, një metodë e përdorur më parë prej Stalinit për t'i vendosur intelektualët më shumë se një gjeneratë siç është treguar shkurtimisht tek Tallashi i Cezarit, fq. 60-64. Kur i shkrojta më vonë Dr. Balabanofës duke ia përmendur çështjen, ajo u përgjigj:
"Unë e kam parë Irenë Deslerin, i kam lexuar letrat dhe dokumentet e saj, por as Serrati (miku i djalërisë së Musolinit, tani udhëheqës i Partisë Socialiste) as unë nuk e mendojmë të hijshme atë kohë (1915), pavarësisht nga tradhtia e Musolinit ndaj gazetës tonë dhe kauzës tonë, nuk e ndoqi çështjen e saj. Musolini ende pretendohet të jetë socialist dhe fashizmi sikur nuk ka ekzistuar."
Përktheu Meri Lalaj