E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Brain gain”, doktorët e “La Sapienza” në Tiranë



Trembëdhjetë të diplomuar në nivelin master ose doktor në universitetin më prestigjioz të Italisë kërkojnë të rikthehen në Shqipëri

Kanë përfunduar të gjithë një prej universiteteve më prestigjioze në Evropë, atë “La Sapienza” në Romë dhe kërkojnë që të kthehen në Shqipëri, për të ndarë njohuritë e tyre me studentët shqiptarë. Trembëdhjetë të diplomuar në nivelin master, ose me gradën doktorë shkencash, kanë kërkuar nga Universiteti i Tiranës të rikthehen dhe të integrohen në këtë universitet, duke kthyer në një realitet të vlefshëm programin “Brain Gain” të nisur nga qeveria shqiptare.

Me anë të një letre të dërguar në rektoratin e Universitetit të Tiranës, kandidatët kanë shprehur vullnetin e tyre jo vetëm për të punuar pranë këtij universiteti, por edhe për të kristalizuar kurrikula dhe metoda mësimdhënie analoge me universitetin ku kanë studiuar. “I frymëzuar veçanërisht nga programi “Brain Gain”, kam dëshirën dhe iniciativën për të kontribuar në zhvillimin dhe përmirësimin e këtij programi, pasi e konsideroj shumë të vlefshëm për zhvillimin e arsimit, biznesit dhe të gjithë shoqërisë shqiptare, me efekte pozitive afatgjatë, si në nivel mikroekonomik, ashtu edhe në atë makroekonomik”, – thotë në emër të kandidatëve, Xhimi Hysa, që përfundon këtë vit specializimin në Fakultetin Ekonomik të këtij universiteti.

Duke falënderuar qeverinë shqiptare dhe Universitetin e Tiranës për promovimin e rikthimit të kapitalit intelektual, që jeton në emigracion, ai bën të ditur dëshirën e 12 bashkëkombësve të tij, të cilët janë të gjithë doktorë shkencash, për të kontribuar në këtë proces.

“Tani ka ardhur koha që dituritë e përftuara përtej kufijve të rikthehen drejt atdheut. Ky rikthim mund të arrihet vetëm nëpërmjet “international parterships” mes institucioneve shqiptare dhe të huaja... Një prej institucioneve më të rëndësishme është universiteti. Me fjalë të tjera, synimi im i referohet zhvillimit arsimor shqiptar”, – thotë ai.

Hysa, i cili aktualisht është asistentpedagog në universitetin “La Sapienza”, ka ofruar një seri leksionesh për Universitetin e Tiranës, së bashku me profesorin italian Serxhio Barile, seri e cila do të praktikohet prej vitit në vijim. Ai shprehet se është i gatshëm që të rikthehet në vendin tonë, së bashku me kolegët e tij për të nisur këtë grup leksionesh.

“Kjo iniciativë do të më jepte mua dhe shumë kolegëve të mi studentë, një incentiv dhe sadisfaksion për transferimin e kapitalit human intelektual në Shqipëri. Sadisfaksioni natyrisht që është edhe personal, pasi unë do të shërbeja si një urë lidhëse mes “Fakultetit Ekonomik Tirane” dhe “Facolta di Economia La Sapienza di Roma”, por mbi të gjitha sadisfaksioni më i madh është për kontributin social të kësaj iniciative”, – shprehet Hysa.

Një grup i madh doktorantësh të “La Sapienza”-s i janë bashkangjitur kësaj iniciative. Bëhet fjalë për doktorët e shkencave: Arlind Patozi, Gert Zenelaj, Ina Llazi, Klara Loshi, Antonella Peci, Bruna Ajazi, Sajmir Sulaj, Ornest Bishaj, Elton Beqiraj, Sidrit Sokoli, Anisa Ristani, Erjon Hitaj etj. Universiteti i Tiranës ka bërë me dije se do të mirëpresë të gjitha këto aplikime për programin “Brain Gain” dhe se prej vitit të ardhshëm akademik, studentët shqiptarë do të kenë mundësi të studiojnë jo vetëm me kurrikulat që po modernizohen, por edhe me leksione të të njëjtit nivel me ato të universiteteve më të rëndësishme në botë si “La Sapienza”.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›