E Diel, 1 Nëntor 2026

42 spitale në skemën e sigurimeve shëndetësore, ndryshohet rrënjësisht sistemi

Deri më sot, mjekët kanë pasur mundësi t`u sigurojnë pacientëve vetëm recetën, pasi çdo gjë tjetër pritej nga fondet buxhetore. Por, duket se gjithçka do të ndryshojë me sistemin e ri të sigurimeve shëndetësore në spitale, ku vetë këto institucione do të financohen nga Instituti i Sigurimeve Shëndetësore, në bazë të vizitave që kanë bërë pacientët në to. Gjatë një takimi të zhvilluar me specialistët më në zë të fushës, Ministria e Shëndetësisë dhe ISKSH-ja prezantuan projektin e ri, ku do të përfshihen 42 spitale rajonale.

Reforma

Reforma që pritet të ndërmerret në shëndetësi, do të revolucionarizojë, sipas specialistëve, sistemin e menaxhimit të spitaleve. Kështu, në ndryshim nga sistemi aktual, ku Ministria e Shëndetësisë financon spitalet rajonale, në bazë të personelit dhe numrit të shtretërve që kanë, si edhe i subvencionon ato për nevojat imediate, sistemi i ri do të ndryshojë kryekëput menaxhimin.

Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, Elvana Hana, sistemi i ri parashikon që për çdo pacient që vizitohet në spitale dhe ka sigurime shoqërore, ISKSH-ja do t`i riumbursojë spitalit koston e shërbimit, ndërkohë që spitalet do të grumbullojnë tarifat e shërbimit për të gjithë pacientët që nuk janë të siguruar. Më pas, buxheti i grumbulluar do të përdoret në mënyrë autonome nga spitali për shpenzimet koherente dhe për investime.

Drejtorja e ISKSH-së, Elvana Hana, u shpreh se “pas një sërë diskutimesh me Ministrinë e Financave, është rënë dakord që të ardhurat dytësore do të përdoren nga vetë spitalet dhe kjo është një pikë themelore e mirëfunksionimit të skemës së sigurimeve shëndetësore”.

Ndërkohë që janë ngritur grupe të përbashkëta me ISKSH-në apo me specialistë, që po punojnë për ndryshime ligjore të kujdesit shëndetësor. “Po punohet për ndarjen e buxheteve përkatëse dhe për hartimin e protokolleve të shërbimeve të ofruara nga çdo strukturë. Protokollet e hartuara do të jenë bazë për të përcaktuar saktësisht e në detaje çmimin e çdo shërbimi të ofruar, proces ky i domosdoshëm për kontrollin e lëvizjeve të fondeve të akorduara. Kostifikimi i çdo shërbimi do të jetë i nevojshëm jo vetëm për të arritur qëllimin e etapave përfundimtare të reformës, por edhe për të vendosur në baza të drejta konvencionet midis sektorit publik dhe privat. Gjithashtu, edhe në shitjen e strukturave private të akredituara, gjë e cila në të ardhmen do të jetë prezente, do të rrisë cilësinë e shërbimeve të ofruara”, - tha ministrja Godo.

Problemet

Duke e quajtur si njërën prej reformave më të rëndësishme të sistemit shëndetësor dhe atij spitalor, ministrja Godo renditi një sërë problemesh të shëndetësisë, sistemit dhe arsyes përse duhej kjo skemë. “Mungesa në medikamente e materiale të konsumit, aparatura të fjetura, të pavëna në përdorim apo jashtë funksionit prej shumë kohësh, shërbime të mangëta, shërbime të munguara, personel, jo gjithmonë me profesionalizmin e pretenduar si dhe administrim jo në përshtatje me kërkesat e kohës”. Sipas Godos, prej kohësh një reformë në sistemin tonë spitalor ka rezultuar e nevojshme, por tashmë duket e domosdoshme. “Skema e sigurimeve do të thotë, jo vetëm një shërbim më të mirë spitalor të ofruar qytetarit, por edhe një impakt pozitiv në të gjithë sektorët e tjerë të shëndetësisë”, - u shpreh ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo.

Ministrja ka vijuar më tej duke u shprehur se ka siguruar mbështetjen e Kryeministrit Sali Berisha dhe qeverisë së tij, gjithashtu MSH-ja do të bashkëpunojë në çdo etapë të reformës me ISKSH-në, e cila me strukturat e saj do të monitorojë e do të mbajë nën kontroll lëvizjet financiare për çdo shërbim të ofruar e për çdo strukturë spitalore.

Ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo, tregoi hapat që do të ndiqen dhe grupet e punës të cilët do të ndihmojnë në ecurinë e suksesshme të kësaj reforme.

Të pranishëm në takim ishin gjithashtu kryetari i Komisionit parlamentar të Shëndetësisë, Tritan Shehu, këshilltari i Presidentit të Republikës, Maksim Cikuli, mjekë të njohur të QSUT-së dhe përfaqësues nga të gjitha spitalet e vendit.

Anila Godo, ministre e Shëndetësisë

Skema e sigurimeve do të thotë, jo vetëm një shërbim më të mirë spitalor të ofruar qytetarit, por edhe një impakt pozitiv në të gjithë sektorët e tjerë të shëndetësisë. Po punohet për ndarjen e buxheteve përkatëse dhe për hartimin e protokolleve të shërbimeve të ofruara nga çdo strukturë.

Elvana Hana, drejtore e ISKSH-së

ISKSH-ja do të lidhë kontrata me 42 spitalet e vendit dhe më pas do të jetë drejtuesi i spitalit i cili do të lidhë kontratë me stafin. Nëpërmjet kontratave që do të lidhen me sigurimin shëndetësor, do të kërkohet me këmbëngulje disiplinë administrative, disipline financiare.

Maksim Cikuli, këshilltar i Presidentit

Dihet gjendja (e medikamenteve) që është sot dhe nëpërmjet një përdorimi më të mirë, qoftë edhe të të ardhurave aktuale, pa lënë mënjanë një shtesë fondi të domosdoshme, duhet t’u jepet fund këtyre mungesave të theksuara në spitalet tona.

Arian Jaupllari, kryetar i Urdhrit të Farmacistëve

ISKSH-ja e ka treguar veten nëpërmjet reformës në parësor që është e aftë të mbajë përgjegjësi dhe mendoj se të gjithë së bashku duhet të nxisim këtë nismë mjaft të rëndësishme për sistemin tonë shëndetësor.

Tritan Shehu, kryetar i Komisionit kuvendor të Shëndetësisë

Do të mbështes në komisionin parlamentar ndryshimet ligjore që do të legjitimojnë këtë nismë mjaft të rëndësishme, e cila më pas do t’i hapë rrugë mirëfunksionimit të tregut edhe në shëndetësi.

Kuli: QSUT-ja nuk mban përgjegjësi ndaj mjekëve të korruptuar

Një ditë pas arrestimit të shefit të spitalit onkologjik, Agim Karaj, nën akuzën e korrupsionit pasiv, drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, Gjeorgjina Kuli, është distancuar duke u shprehur se nxjerrja në pah e së vërtetës u përket vetëm organeve të drejtësisë.

"Ne do t'ia lëmë drejtësisë të nxjerrë të vërtetat dhe faktet dhe mbi bazën e këtyre të fundit, do të mbajmë dhe qëndrimin", - tha drejtorja e Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë.

Pas takimit me temë “Shtrirja e skemës në spitale, statusi dhe shkalla e autonomisë”, organizuar në hotel “Tirana” nga Instituti i Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, me mbështetjen e fondacionit gjerman “Friedrich-Ebert-Stiftung”, znj. Kuli tha se "drejtoria e QSUT-së distancohet nga veprimet korruptive të mjekëve dhe insiston të dalë në pah e drejta dhe të vihet në vend dinjiteti i mjekut, në ato raste kur nuk janë të vërtetuara akuzat".

“Drejtoria spitalore, - vijoi ajo, - është informuar gjatë këtyre ditëve nga organet përkatëse për dy arrestime në radhët e mjekëve”. Për sa i përket shkakut të arrestimit, znj. Kuli tha se "kemi të njëjtin informacion si gjithë media; që akuzohen për abuzime dhe shpërdorim detyre". "Ne nga ana jonë mund të bëjmë që në rastet kur kemi njoftime të tilla, të pezullojmë ushtrimin e profesionit, ndërsa për sa u përket masave të penalitetit, kjo u takon organeve të drejtësisë", - tha drejtorja e QSUT-së, ndërsa sqaroi se "në lidhje me dr. Agim Karajn nuk kemi asnjë ankesë nga pacientët, të protokolluar në drejtori".

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›