E Shtunë, 31 Tetor 2026

450 mijë euro! Zeqiri firmos për Rizesporin

SHKRUAN: Jeton Selimi 27-06-2011 11:51

Një nga mesfushorët më të talentuar në Shqipëri, Hair Zeqiri, ka firmosur një kontratë 3-vjeçare me ekipin turk të Cajkur Rizespor. 22-vjeçari do të përfitojë 150-mijë euro në sezon plus premiot dhe në rast se ekipi i tij ngjitet në superligën turke, një bonus ekstra. Në sezonin 2010-2011 Rizespor u rendit i katërti në Ligën e Parë turke me 54-pikë, vetëm katër pikë më pak se vendi i parë dhe i dytë, kurse Zeqiri me Flamurtarin e tij u shpall nënkampion i Shqipërise. Mesfushori, 190cm, i gjatë është i dyti shqiptar që do të aktivizohet në radhët e klubit të Rizesporit. Në vitin 2004 Klodian Duro ka luajtur një fazë duke u aktivizuar në 11 ndeshje e duke shënuar një gol. Në fazën e dytë ai u transferua te gjermanët e Arminia Bielefeld. Në linjë telefonike për albaniasoçer.com, Hair Zeqiri ka folur për transferimin e tij në kampionatin turk si dhe për objektivat e tij personalë. “Kishte ardhur momenti për të kaluar në një kampionat më të fortë, pasi vetëm në këtë mënyrë do të rritem më shumë nga ana profesionale si futbollist, çka do të më bëjë të mundur më vonë të vesh dhe fanellën e kombëtares së madhe, pasi me ekipin U-21 kam qenë titullar. Por gjithçka në kohën e në momentin e vet,” tregon Hair Zeqiri, një produkt tërësisht vlonjat, që së bashku me Roshin kanë krijuar një boshllëk shumë të madh në mesfushën e Flamurtarit. Megjithatë, Zeqiri duket tërësisht i fokusuar në atë çka e pret te skuadra e tij e re. “Objektivat e drejtuesve të ekipit për sezonin e ri më bindën që të firmos për ta. Me përforcimet që kanë bërë drejtuesit ata dëshirojnë që të ngjiten në Super Ligën turke, gjë që është dhe një dëshirë imja. Shpresoj e mendoj që gjithçka të shkojë sa më mirë për mua dhe për klubin tim të ri,” deklaron nga qyteti i Rizes banori i tij më i ri. Megjithatë, Zeqiri nuk harron të falënderojë të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë në këtë periudhë dhe që e kanë ndihmuar të ecë para në botën e futbollit. “Dua të falënderoj dhe ata që kanë meritë të padiskutueshme në formimin tim si futbollist. Familja ime, e cila më ka qëndruar pranë në çdo moment, si të mirë dhe të keq. Klubin e vendlindjes sime, Flamurtarin, atje ku u formova si futbollist dhe mësova gjuhën e futbollit. Të gjithë trajnerët me të cilët kam punuar. Secili prej tyre ka kontribuar, kush më shumë e kush më pak, në formimin e këtij Zeqiri. Një falënderim special për tifozerinë vlonjate dhe për presidentin e klubit, zotin Shpëtim Gjika,” ka përfunduar deklaratën e tij.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›