E Diel, 1 Nëntor 2026

Hyka do të ikë, Tirana do 50 mijë euro

Tirana kërkon 50 mijë euro për kartonin e Jahmir Hykës, ashtu siç është e parashikuar në kontratën që vlen deri në janar të vitit 2013. Lojtari i talentuar 23-vjeçar ka arritur një marrëveshje me Lucernën në Superligën zvicerane, por duket se mes klubit dhe lojtarit është një krijuar një ngërç. Veçse, nga vetë Hyka, ka pretendime se klubi bardheblu nuk ka shlyer detyrimet financiare ndaj tij, duke qenë shumë prapa në pagimin e rrogës. Besohet se shifra e parave të pa dhëna është tepër e lartë, diçka poshtë 5 milionë lekëve të reja dhe futbollisti kuqezi është dakord që të mos paguhet, por edhe të mos pengohet për të ndjekur fatin e tij. Në të vërtetë, mes klubit dhe lojtarit ende nuk është arritur një marrëveshje konkrete dhe kjo mund të bëjë që largimi i Hykës të shtyhet për ditët e ardhshme.

Ndërkaq, një tjetër lojtar kuqezi, por që luan jashtë, pritet gjithashtu të ndërrojë destinacion. Ky është Hamdi Salihi, sulmuesi shkodran që besohet të largohet këtë verë nga Rapidi i Vjenës. Ankandi për të është i hapur dhe janë shumë klube që kanë shfaqur interesim, ndërsa kartoni nuk kushton në mënyrë të jashtëzakonshme, por vetëm 1.5 milionë euro. Viteshe holandeze, Trabzonspor e Bursaspor në Turqi, Frajburg në Gjermani apo edhe Dinamo e Kievit në Ukrainë janë ndër admiruesit. Gjithsesi, asgjë nuk është e përfunduar, ndërsa njëri prej shënuesve më të mirë të kampionatit austriak në dy sezonet e fundit pëlqen më së shumti të prekë Bundesligën.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›