E Shtunë, 31 Tetor 2026

48-vjeçari djeg shtëpisë si hakmarrje pas divorcit

Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Babrru, pranë Xhamisë. Një 48-vjeçar ka gjetur një mënyrë të "veçantë" për t'u hakmarrë ndaj të shoqes që po e divorconte, me të cilën kishte 6 fëmijë 

TIRANE - Një 48-vjeçar ka gjetur një mënyrë të "veçantë" për t'u hakmarrë ndaj të shoqes, me të cilën kishte 6 fëmijë, për faktin se ajo kishte nisur procedurat e divorcit. Ilir Tufollani i ka vënë flakën shtëpisë, duke e nisur pikërisht nga krevati bashkëshortor në dhomën e tij të gjumit. Ngjarja ka ndodhur mesditën e djeshme në Babrru, pranë Xhamisë, dhe nëse nuk do të kishte ndërhyrë menjëherë policia me zjarrfikësit, flakët mund të kishin shkrumbuar mjaft banesa të tjera. Zjarrfikësit kanë mundur të lokalizojnë flakët dhe pengojnë përhapjen e tyre, por pas shuarjes së zjarrit banesa e çiftit është tashmë e pabanueshme, ndërsa janë djegur të gjitha orenditë dhe "plaçkat" e shtëpisë. Në fakt, Iliri ishte parë të grindej në mëngjes me të shoqen, e cila ishte nisur për në punë, për shkak të procedurave që ajo kishte nisur për t'u divorcuar. Pasi i ka futur 2-3 dopio në lokalin pranë, Tufollani ka shkuar sërish të takojë bashkëshorten, por këtë herë për ta lajmëruar se po i digjej shtëpia. Sipas policisë, pasi kishte dalë nga lokali në kushtet e depresionit për vendimin e divorcit si dhe nën efektet e alkoolit, Tufollani kishte shkuar dhe i kishte vënë flakën shtëpisë, fillimisht duke ndezur zjarrin në krevatin dopio. E shoqja ka nxituar, por duket se asgjë nga shtëpia nuk u ka shpëtuar flakëve. E vetmja gjë që kanë mundur të bëjnë zjarrfikësit, ka qenë shmangia e përhapjes së flakëve dhe e dëmeve në banesat e tjera që ndodheshin shumë pranë shtëpisë që digjej.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›