E Shtunë, 31 Tetor 2026

“49% e shqiptarëve japin ryshfet për shërbimet publike”

14/03/2011  Sondazhi i “Gallupit”:

Kompania e mirënjohur e sondazheve “Gallup”, në bashkëpunim me Lëvizjen Europiane në Shqipëri, në sondazhin e tyre theksojnë se afro gjysma e shqiptarëve japin ryshfet në shërbimet publike. Sondazhi në fjalë thekson me gjuhën e saktë të shifrave se 49 për qind e shqiptarëve ushtrojnë praktikën e ryshfetit. Praktikë kjo që, për fat të keq, është kthyer në një tipar të shoqërisë së sotme në Shqipëri. Sipas organizuesve të këtij sondazhi, mësohet se kjo shifër është pothuajse dy herë më e lartë se në vendet e tjera të rajonit. “ Sipas sondazhit, niveli i dhënies së ryshfetit në Bosnjë-Hercegovinë është 18%, në Maqedoni 13%, në Mal të Zi dhe në Serbi 12%, në Kroaci 10% dhe në Kosovë 9%”, - theksojnë specialistët. Në sondazhin e “Gallupit” disa sektorë rezultojnë të jenë më tipikët për dhënien e ryshfetit në këmbim të marrjes së shërbimit, ku në vend të parë për marrje të ryshfetit janë shërbimet mjekësore. “Për këto shërbime 645 të intervistuar kanë thënë se kanë paguar ryshfet për të marrë një shërbim mjekësor. Në vend të dytë vjen gjyqësori, më pas sistemi i taksave, policia, sektori publik i marrjes së licensave dhe në fund vjen hipoteka, doganat dhe sistemi arsimor”, - shprehen organizatorët e sondazhit. Më tej në analizën e shifrave të publikuara specialistët e “Gallupit” theksojnë se ryshfeti i qytetarëve vjen si pasojë e mungesës së një legjislacioni të plotë në Shqipëri. Dhënia e ryshfetit në këmbim të shërbimeve nga sektori publik theksohet në sondazh si një dukuri zotëruese, e cila, për fat të keq, po fiton terren, aq sa të duket si një dukuri normale dhe e pashmangshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›