E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 këshilla për të humbur kilet e marra gjatë ditëve të nervozizmit

TIRANE - Truri i njeriut, për të gjitha proceset që realizon ka nevojë për shumë energji, kështu që shpesh shkon në kundërshtim me pjesën tjetër të organizmit. Në situata stresuese, truri tërheq rreth 90 për qind të glukozës ditore, ndërkohë që përbën vetëm dy për qind të masës trupore. Ai në fakt na detyron për konsumim më të madh të sheqerit dhe karbohidrateve. Në mënyrë që organizmi të përballet më mirë me stresin, rritet niveli i sheqerit në gjak, ndërsa kjo ndodh duke ndërprerë prodhimin e insulinës. Puna kryesore e insulinës është që të zvogëlojë nivelin e glukozës në gjak dhe ta bartë atë në inde. Muskujt dhe indet yndyrore kanë nevojë për insulinë çdo ditë, sepse u mundëson marrjen e glukozës. Nga ana tjetër, truri, duke zvogëluar prodhimin e insulinës, merr për vete më shumë glukozë nga gjaku. Kur njerëzit janë nën stres, ata reagojnë në dy mënyra: ose bëhen depresivë, ose trashen. Personat depresivë, si pasojë e stresit harrojnë të hanë. Ndërsa ata që hanë më pak, automatikisht janë nën ndikim më të madh të gjendjes psikike. Personat të cilët si pasojë e stresit hanë më shumë, janë të qetë, sepse ushqimi në njëfarë mënyrë është katalizator i stresit. Ata reagojnë mirë ndaj presionit dhe madje nxisin prodhimin e “preparateve vetjake të qetësimit”, të cilat lehtësojnë pasojat e stresit, ndërsa kjo njëkohësisht do të thotë se nuk ndalet prodhimi i insulinës. Truri vlerëson se nuk merr sheqer të mjaftueshëm dhe kërkon më shumë. Nëse jeni nën stres të vazhdueshëm, kjo shkon deri te shtimi i konsumimit të ushqimit, që do të thotë se çdo tentim i humbjes së kilogramëve është mision i pamundur. Truri ynë drejton ndjenjën tonë të urisë e nevojën për sheqer dhe ai do të mundohet që ta sigurojë sasinë e nevojshme të sheqerit për vete. Është lehtë të thuhet “zvogëlojeni presionin e përditshëm dhe stresin”. Megjithatë, ekzistojnë metoda të cilat mund ta lehtësojnë stresin. Ekspertët pohojnë se gjithmonë janë më të shëndetshme dhe si opsione më të mira, dietat e lehta në krahasim me ato që premtojnë rezultate në afat të shkurtër kohor. Nëse dëshironi diçka të ëmbël, hani ëmbëlsirën tuaj të preferuar, por jo çdo ditë. Ushqimet ndërmjetëse tentoni t’i zgjidhni më të shëndetshme, siç janë frutat. Merruni rregullisht me sport dhe qëndroni pranë njerëzve të këndshëm, sepse ata kanë aftësi t’jua largojnë stresin për disa minuta. Mundohuni që të organizoheni në punë dhe në shtëpi sa më mirë, mos kërkoni gjithmonë të përsosurën. Duke shmangur stresin në jetën e përditshme, do të ndiheni më mirë, do të jeni më të shëndetshëm dhe do të humbni kilogramët e tepërt.
KESHILLA
Nëse jeni shpesh nën efektin e stresit, trupi juaj do të reagojë duke çliruar kortizol. Kortizoli, jo vetëm që rrit dëshirën për sheqer dhe shton oreksin, por ky hormon i çliruar prej stresit gjithashtu shoqërohet edhe me rritje në peshë.
1. Bëni çdo ditë të javës rreth 30 minuta ushtrime kardio. Këto lloj ushtrimesh djegin kaloritë dhe dhjamin, gjithashtu përmirësojnë humorin tuaj, pasi qetësojnë trurin prej çlirimit të endorfinave, gjithashtu të njohura me emrin e neurotrasmetuesve që ju bëjnë të ndiheni mirë.
2. Rrisni djegien e dhjamit duke shtuar ushtrime me pesha në rutinën tuaj për të paktën tri herë në javë. Peshëngritja krijon masë muskulore dhe rrit metabolizmin, duke bërë që kaloritë të digjen edhe pasi keni mbaruar stërvitjen.
3. Parapërgatitni ushqime të shëndetshme, hani në mënyrë të rregullt dhe mbani gjithmonë me vete diçka për të ngrënë. Ndikon në shëndetin e mendjes suaj, duke ulur përdorimin e sheqerit, kafeinës, çokollatës dhe alkoolit në dietën tuaj. Pini më shumë ujë, konsumoni shumë peshk, perime dhe fruta. Duke ngrënë çdo tri orë ju do ta mbani metabolizmin tuaj të aktivizuar.
4. Praktikoni teknikat e relaksimit duke u përpjekur të ulni nivelet e stresit që keni fituar gjatë ditës. Mund të filloni të mësoni joga ose tai-chi.
5. Shtoni numrin e orëve që flini gjumë. Flini aq sa duhet, në mënyrë që trupi juaj të ketë kohë të çlodhet dhe të riparojë veten. 

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›