E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 talebanë mund të transferohen nga Guantanamo në Katar

Zëdhënësi i presidentit afgan, Hamid Karzai, tha se pesë kryengritësit talebanë, që mbahen nga Shtetet e Bashkuara në Burgun e Guantanamos, janë pajtuar me propozimin e transferimit në Katar.

Aimal Faizi tha se militantët i janë përgjigjur pozitivisht propozimit, pas vizitës së delegacionit të udhëhequr nga ndihmësi i lartë i Karzait, Ibrahim Spinzada.

Transferimi i propozuar është pjesë e përpjekjeve të sponsorizuara nga SHBA-ja për të sjellë talebanët në tryezën e negociatave, në kohën kur trupat e huaja luftarake përgatiten të lënë Afganistanin në fund të vitit 2014.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Cathlin Hiden, tha se Shtetet e Bashkuara nuk janë pajtuar ende për transferimin “e ndonjë zyrtari taleban nga Guantanamo Bej”.

Hiden tha se “çdo vendim për transferimin e të burgosurve nga Guantanamo do të merret në përputhje me ligjin e SHBA-së dhe në konsultim me Kongresin”.

Disa anëtarë të Kongresit të Shteteve të Bashkuara kanë kundërshtuar lirimin e kryengritësve talebanë nga burgu në Kubë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›