E Shtunë, 31 Tetor 2026

5 vjet pa Kadri Roshin, In Memoriam për ikonën në teatër

Tiranë- 5 vjet pa Kadri Roshin, aktorin i cili diti të shndërrohej në të pazëvendësueshmin e skenës dhe ekranit shqiptar. E në këtë 5 vjetor të shuarjes së tij, kolegët e një jete, ata me të cilët ndau sheshin e xhirimit dhe skenën e teatrit por edhe ata që e adhuruan së largu, u bënë bashkë në një In Memoriam në Teatrin Kombëtar, aty ku salla tanimë mban emrin e tij.

Sa e lehtë aq edhe e vështirë është të ndalesh në krijimtarinë e tij, pasi Kadri Roshi ka mundur të mishërojë dhjetra e dhjetra personazhe që vijojnë të jenë prezent në ekranin shqiptar. Prej qindra roleve të tij kushdo do e kishte të vështirë të veçonte një rol, e një tjetër ta lërë në harresë.

Drejtori i Teatrit Kombëtar, Kristaq Skrami rreket të ndalet te disa prej këtyre roleve, por duke e ditur mirë që mbase ato role të cilët smundi dot ti përmendte, janë po aq të arrirë sa kujdestari te Lulëkuqe mbi mure!

Ajo ka qenë shpesh në skenë përkrah Kadri Roshit, jo vetëm në ekran por sidomos në skenën e teatrit. Në këtë ditë të shënuar, aktorja Drita Pelinku zgjedh të ndalet në një tjetër dimension të madhështisë së tij, jo atë madhështi që kushdo ja ndjen.

Interpretimi dhe rolet e tij do të duhej të ishin studiuar e të ishte bazë tanimë për studentët e Artit Skenik, sepse Kadri Roshi ka menduar përherë që fuqia e vërtetë nuk është te fjala, por te ajo që fshihet pas saj- thekson aktorja Pelinku.

Në rrëfimin e saj, aktorja thekson: Ai kishte diçka që artistëve të tjerë iu mungon. Kadri Roshi kishte durimin e pamatë për të dëgjuar kritikat e vërejtjet. Dëgjonte këdo, pa përjashtim këdo! Më pas i analizonte kritikat, ato që i duheshin, i përdorte, të tjerat thjesht nuk i konsideronte. Ai nuk ndjehej i fyer nga kritikat, siç ndjehen shpesh artistët që ju pëlqejnë vetëm elozhet.

E Kadri Roshi jo vetëm që nuk kërkonte vetëm elozhe, por as që i konsideronte ato! Gjithçka bënte, e bënte me modesti, virtyt ky vetëm i njerëzve të mëdhenj të cilët me madhështinë e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyera në kulturën e vendit.

Përpos një artisti, që bëri ta ndjente të tijin çdo shqiptar, Kadri Roshi ishte prind, por doemos i biri nuk e sheh dot vetëm si babain e tij artistin e jashtëzakonshëm të shqiptarëve. Kliti Roshi, i biri aktor i Kadri Roshit shprehet: Ai qe shoku im, mik imi, koleg e pastaj qe im at. Sot bëhen 5 vjet pa të por filmat e tij shfaqen në çdo kohë në ekran e mua më duket sikur ska shkuar kurrë. Më duket sikur e kam pranë në çdo moment dhe do diskutojmë orën se kur do të nisemi për peshkim.

Kadri Roshi jo rrallherë është cilësuar si aktori i pazëvendësueshëm. Këtë e bëson edhe i biti, Kliti Roshi i cili shprehet: Janë shumë ata si im at, artistë të pazëvendësueshëm. Po përmend Sulejman Pitarkën, ama lista është shumë e gjatë dhe mjerisht ata nuk janë më mes nesh, vetëm fizikisht ama! Them se do të duhen të kalojnë 100-vjet që ata të zëvendësohen.

Kadri Roshi u lind më 4 janar 1924, Mallakastër dhe u shua më më 6 shkurt të vitit 2007. Ai ishte vetëm 21-vjeç kur nisi të qe aktor në Teatrin Popullor të Shqipërisë së asokohe. Në karrierën e tij realizoi mëse 180 role të cilat janë pjesë e çmuar e panteonit të kinemasë dhe teatrit shqiptar, tanimë të rralluar pakëz prej shuarjes së këtyre ikonave.

Nga Anisa Ymeri

Shkrime të tjera me interes:

  1. 100-vjetori i Migjenit. Vargjet e Poetit të Mjerimit në Teatër Kombëtar Vargjet e Poetit të Mjerimit prekën skenën e Teatrit Kombëtar...
  2. In Memoriam në Lezhë për 140-vjetorin e Fishtës Lezhë- 140-vjetori i lindjes së një ndër emrave më të...
  3. Mercury “In Memoriam”, homazh në 20 vjetorin e vdekjes I shndërruar në një legjendë dekada më parë, lideri i...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›