E Shtunë, 31 Tetor 2026

50 mijë protestues, kundër uljes së pagave

Bukuresht

Dhjetëra mijëra vetë, punonjës të sektorit publik, janë grumbulluar në kryeqytetin rumun, Bukuresht, për të protestuar kundër planeve të qeverisë për shkurtimin e pagave dhe pensioneve. “Ne nuk do të largohemi derisa qeveria të japë dorëheqje”, ka deklaruar lideri i njërës prej sindikatave më të rëndësishme të vendit. Qeveria rumune ka propozuar shkurtimet e pagave në masën 25% dhe pensionet deri në masën 15%, në mënyrë që të reduktojë deficitin e madh buxhetor të vendit. Ekonomia rumune është tkurrur me mbi 7% vitin e kaluar dhe ka nevojë për një paketë shpëtimi të FMN-së, në mënyrë që të arrijë të paguajë pagat. Që të marrë prej saj transhin e ri prej 20 miliardësh, i duhet që të shkurtojë shpenzimet përmes reduktimit të pagave dhe pensioneve. Kjo masë është pritur me protesta shumë të mëdha në kryeqytet. Sipas disa burimeve, bëhet fjalë për 50 mijë vetë që kanë dalë në shesh, një pjesë e mirë e tyre kanë ardhur nga qytete e fshatra të ndryshme të vendit. Bëhet fjalë për protestën më të madhe të organizuar në Bukuresht që nga Revolucioni rumun.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›