E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha dhe Rama, dy ditë negociata në Strasburg

Telefonatat që ndërprenë grevën dhe riinstaluan tryezën politike mazhorancë-opozitë

Kriza shqiptare, për të parën herë nuk tentohet të zgjidhet në Tiranë, por në kryeqendrën e Europës parlamentare, përkatësisht në Strasburg. Një politikan francez, një gjerman dhe një çek do të negociojnë arritjen e një marrëveshjeje kompromisi mes Kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, dhe liderit të opozitës, Edi Rama. Sot në mbrëmje në Strasburg, kryetari i grupit të Partive Popullore në Parlamentin Europian, francezi Joseph Doul, dhe kreu i grupit të socialistëve dhe demokratëve europianë, gjermani Martin Schultz, do të shtrojnë një darkë të posaçme, ku do të jenë prezentë Berisha dhe Rama, por edhe Komisioneri Europian për Zgjerimin, çeku Stefan Fule. Nëse gjatë darkës do të arrihet kompromisi mes të dy liderëve, marrëveshja do të firmoset të premten në mëngjes me anë të një ceremonie të posaçme. Përveç Berishës dhe Ramës, në Strasburg do të niset dhe një grup deputetësh socialistë dhe demokratë. Nga PS do të jenë prezentë Vasilika Hysi, Damian Gjiknuri dhe Taulant Balla, ndërkaq nga PD-ja do jenë drejtori i kabinetit të Kryeministrit, Oert Bylykbashi, deputeti Rusmali dhe Fatos Beja.

Bisedimet

Përflitej prej kohësh që skema e tryezës politike do të ishte ndryshe kësaj here, por gjithçka është zgjidhur vetëm ditën e djeshme, pas dështimit të negocimit nga ana e diplomatëve të Perëndimit të akredituar në Tiranë, por edhe mossuksesit nga ana e Presidentit Topi për të thirrur një takim të dytë që mund të prodhonte kompromisin. Ambasadorët e BE-së, Montobio dhe Lohan, kanë qenë aktivë në komunikimin mes Brukselit dhe Tiranës, duke siguruar mbajtjen e fshehtë të të gjitha tentativave që janë zhvilluar me intensitet që prej dy javëve. Në orët e mesditës së sotme, kreu i grupit të PPE-së, Doul, ka telefonuar Kryeministrin Berisha dhe i ka kërkuar që të ishte prezent në negociatat me Ramën në Strasburg. Berisha mësohet se ka shprehur gatishmërinë, por ka vënë kusht ndërprerjen e grevës dhe kjo pikë ka qenë e panegociueshme. Paralelisht Schultz ka zhvilluar të njëjtën bisedë me liderin e opozitës, Edi Rama, ku është folur për darkën joformale të Strasburgut. Kryetari socialist është shprehur i gatshëm, por ka bërë të ditur se aksioni i opozitës do të vazhdonte deri në mbylljen e negociatave. Rama nuk ka rënë dakord me ndërprerjen e grevës, por ka kërkuar një sinjal nga Kryeministri, i cili nuk u ishte përgjigjur që prej disa ditësh ofertave të opozitës për nisjen e bisedimeve. Atëherë në “fushë” është futur Komisioneri Europian për Zgjerimin, Stefan Fule, i cili ka qenë i pari që ka përmendur termin “transparencë”. Në mënyrë të papritur, Kryeministri shfrytëzon një takim në Durrës për të dhënë një mesazh që është i hapur për opsionet e opozitës. Njerëzit e afërt të kreut të qeverisë dërgojnë sinjale që qëndrimi i Kryeministrit është përgjigje për dialog me Ramën. Mitingu i përditshëm i opozitës nis me vonesë dhe pas përfundimit të fjalimeve të oratorëve, podiumi i fjalimit të kryetarit Rama mbetet për më shumë se 1 orë. Lideri i opozitës zhvillon një telefonatë të gjatë me komisionerin Stefan Fule, i cili i ka kërkuar ndërprerjen e grevës së urisë, pasi kjo pikë ishte një kusht i panegociueshëm nga ana e Berishës. Rama jep “OK”, thotë “mirupafshim nesër” dhe u drejtohet mbështetësve të opozitës që prisnin lajmin e madh. Në orët e vona të darkës, Kryeministri dhe lideri i opozitës takohen me bashkëpunëtorët më të afërt për të përgatitur detajet e takimit të Strasburgut. Konsultimet janë mbyllur në orët e para të mëngjesit të sotëm, për të marrë si Berisha dhe Rama pak kohë pushim për ditën e gjatë që i pret...

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›