50 personalitetet më me influencë në sportin shqiptarNjëshi i padiskutueshëm për vetë popullaritetin dhe financat që ka Federata Shqiptare e Futbollit është presidenti i këtij institucioni, Armand Duka. Por jo vetëm kaq. Duka ka treguar se ësht

LEONARD KARAJ -Sporti shqiptar kalon nga “kokat” e tyre. Janë ata që vendosin rrjedhën e evenimenteve sportive duke nisur që nga buxhetet e akorduara e deri tek kurorëzimet në kampionate. Ca për vetë pozicionin që mbajnë. Ca për rolin që luajnë në mediat vizive dhe të shkruara por edhe për influencën që kanë pasur në zgjidhjen e ngërçeve që jo pak herë kanë zaptuar institucionet sportive në vendin tonë. Mjafton të përmendim konfliktin e stërgjatë (3 vjet) mes Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë e Sporteve dhe Federatës Shqiptare të Futbollit ku protagonistë të zgjidhjes së kësaj çështje nuk ishin vetëm zyrtarë të dy krahëve por edhe personalitete që me sportin i lidh më shumë hobi dhe dashuria sesa profesioni që ata realisht ushtrojnë. Nuk mungojnë në këtë to-listë presidentë federatash, politikanë, trajnerë, futbollistë, menaxherë, mjekë dhe avokatë të cilët me prezencën e tyre në ambiente të ndryshme sportive kanë treguar se kanë një ndikim të padiskutueshëm në marrjen e vendimeve.
Top-10
Ka arsye mëse të justifikueshme fakti që në top-10 e parë janë emrat më të lakuar dhe më me pushtet në sportin shqiptar. Njëshi i padiskutueshëm për vetë popullaritetin dhe financat që ka Federata Shqiptare e Futbollit është presidenti i këtij institucioni, Armand Duka. Por jo vetëm kaq. Duka ka treguar se është një personalitet me shumë influencë edhe në ambientet politike teksa i bëri ballë një konflikti tre-vjeçar mes MTKRS-së dhe FSHF-së. Pas tij vjen “Presidenti i presidentëve”, Njëshi në largim i sipër për përfundim të mandatit i KOKSH-it, Hysen Domi. Prej tetë vjetësh ai drejton organizimin më të rëndësishëm të sportit në Shqipëri duke dirigjuar edhe dy herë pjesëmarrjen e vendit tonë në dy Olimpiada. Pas tij, jo për postin që mban por për lidhjet e tija të ngushta që ka pasur dhe vazhdon të ketë me botën e sportit është Presidenti i Republikës, Bamir Topi. Kreu i Pallatit të Brigadave është një nga njerëzit që ndihmoi më shumë në zgjidhjen e konfliktit MTKRS-FSHF para dhe pas pezullimit të futbollit shqiptar nga FIFA dhe UEFA. Në këtë linjë qëndron edhe Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Në fakt Ylli Pango nuk lidhet më shumë me emrin e tij si njeriu më me ndikim por me detyrën e ministrit. Çdokush që do drejtonte këtë ministri do ishte një nga njerëzit më me ndikim në sport. Në pesëshen e parë futet edhe Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH, Stavri Bello i cili është i vetmi kandidat edhe në zgjedhjet e reja që pritet në të bëhen në këtë institucion. Pesëshja e dytë përbëhet nga personalitete që bota e futbollit i njeh më dhëmbë e dhëmballë. Bujar Kasmi dhe Lutfi Nuri janë përkatësisht krahu i majtë dhe i djathtë i presidentit Duka dhe jo rastësisht kanë një rol ndikues në sport. Më pas vjen një treshe krejt kuqezi, Arie Haan, Altin Lala dhe Lorik Cana, që të tre “koka dhe shtyllat” e ekipit tonë përfaqësues.
Biznes dhe sport
Zakonisht pas një sporti të suksesshëm qëndron një biznesmen i tillë. Binomi sport-biznes më shumë se kurrë ka bashkëjetuar gjatë viteve të fundit ku shumë personalitete nga bota e biznesit kanë investuar gjerësisht në sport. Fidel Ylli, Avni Ponari, Ylli Ndroqi, Muhamet Malo, Besnik Sulaj, etj, janë disa nga këta të fundit që kanë dhënë një ndihmë të çmueshme për klubet shqiptare. Dhe pikërisht investimi nga xhepat e tyre u ka dhënë atyre tagrin e ndikimit edhe në vendimet të rëndësishme që janë dashur për t’u marrë lidhur me sportin. Ndërsa nuk kanë munguar edhe politikanët si djathtas dhe majtas që kanë vënë shpesh herë veton për raste të veçanta duke treguar influencën e madhe që kanë sidomos në futboll. Rasti i Kryetarit të Bashkisë, Edi Rama me katërshen e donatorëve bardheblu, por edhe ndikimi që ka pasur deputeti i PD-së, Dash Sula te Shkumbini, ku në Peqin të paktën në dy vitet e fundit nuk ndodhin më incidente tregon për ndikimin që ata kanë në sport. Në pjesën e dytë të kësaj liste, por yshtemi të theksojmë, jo më pak e rëndësishme, janë figura që më së shumti ndikimin e tyre e kanë pasur në mediat dhe në klubet që drejtojnë. Duke filluar nga donatorët e Tiranës, Refik Halili, Shefikat Ngjela e Agron Papuli, me Njëshat e klubeve të Kavajës, Durrësit, Vlorës, Shkodrës e deri tek analistë e gazetarë sportivë gjatë këtyre viteve kanë treguar se mendimet dhe influenca e tyre vlen, vlen shumë që sporti shqiptar të ecë përpara.
TOP-LISTA
1. Armand Duka
President i Federatës Shqiptare të Futbollit
Jo vetëm në renditje, por edhe në vetë ambicjen e tij, Armand Duka është njeriu më me ndikim në sportin shqiptar. Kjo edhe për faktin se futbolli, sporti që ai drejton, ndiqet më me interes. Nga ana tjetër, përplasjet e tij me qeverinë, kanë qenë të tilla ku Duka ka treguar se është njeriu më me ndikim në futboll.
2. Hysen Domi
President i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar
Prej tetë vjetësh drejton organizimin më të rëndësishëm të sportit në Shqipëri. Ka dirigjuar dy herë pjesëmarrjen e Shqipërisë në dy Olimpiada dhe padyshim është një nga njeërzit më me mendim duke pasur parasysh edhe se komiteti që drejton ka në vartësi të gjitha federatat sportive në vend.
3. Bamir Topi
Presidenti i Republikës së Shqipërisë
Ndikimi i Bamir Topit nuk vjen vetëm nga posti që ai mban por edhe për lidhjet e tija të ngushta që ai ka pasur dhe vazhdon të ketë me botën e sportit. Ka qenë president i SK Tiranës dhe ndër njerëzit më të interesuar për zgjidhjen e konfliktit MTKRS-FSHF para dhe pas pezullimit të futbollit shqiptar nga FIFA dhe UEFA.
4. Ylli Pango
Ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve
Ylli Pango nuk lidhet më shumë me emrin e tij si njeriu më me ndikim por me detyrën e ministrit. Çdokush që do drejtonte Ministrinë e Turizmit, Kulturës Rinisë dhe Sporteve do ishte një nga njerëzit më me ndikim në sport. Kjo për faktin se ai është përfaqësuesi i qeverisë e cila përcakton politikat për sportin.
5. Stavri Bello
Sekretar i Përgjithshëm i KOKSH
Ka qenë dhe vazhdon të jetë krahu i djathtë i presidentit Hysen Domi në KOKSH. Por jo vetëm kaq. Njohja e mirë e botës së sportit e ka bërë një nga njerëzit më të besuar dhe ndikues në marrjen e vendimeve. Është i vetmi kandidat si sekretar i KOKSH edhe në zgjedhjet e reja që pritet në të bëhen në këtë institucion.
6. Bujar Kasmi
Zv/president i Federatës Shqiptare të Futbollit
Posti që mban detyrimisht e bën ndikues sidomos në botën e futbollit nga e cila vjen. E shkuara e tij goxha pozitive ka qenë gjithnjë e lidhur me këtë sport dhe kjo i ka dhënë mundësi të jetë edhe një zë kumbues dhe i qartë për çfarëdolloj problemi ose mendimi që është kërkuar ose është vënë për tu zbatuar.
7. Lutfi Nuri
Zv/president i Federatës Shqiptare të Futbollit
Njihet si një nga njerëzit më me influencë në futboll dhe një prej tifozëve më të flaktë të SK Tiranës. Në shumë raste ka qenë një pikë mbështetje dhe ekuilibri mes drejtuesëve të klubeve dhe vetë Federatës Shqiptare të Futbollit. Gëzon një popullaritet të padiskutueshëm në futbollin shqiptar sidomos në publikun bardheblu.
8. Arie Haan
Trajner i kombëtares shqiptare
Nuk kishte sesi të mungonte. Holandezi është në krye të kombëtares shqiptare prej vetëm 13 muajsh por ka ditur me seriozitetin e tij të fitojë respektin jo vetëm të futbollistëve, tifozëve, drejtuesëve të Federatës Shqiptare të Futbollit por edhe të kundërshtarëve më të ashpër të tij para marrjes së drejtimit të pankinës së ekipit kombëtar.
9. Altin Lala
Kapiteni i kombëtares shqiptare
Falë eksperiencës së tij, mesfushori shkatërrues njëkohësisht kapiten i ekipit tonë përfaqësues është bërë një nga njerëzit që dëgjohet më tepër sidomos kur në valle është emri i kuqezinjve. Mjafton të përmendin mbrojtjen që Altin Lala i bëri ekipit kombëtar pas akuzave për shitje ndeshjesh në nëntor-dhjetor 2007.
10. Lorik Cana
Zv/kapiteni i kombëtares shqiptare
Nuk ka shqiptar i lindur në Kosovë që gëzon popullaritetin e Lorik Canës. Influenca e tij në futboll e bëri atë zv/kapitenin (kapiteni i ardhshëm) i ekipit kombëtar. Madje pankina e Bariç pati lëvizur që para se vetë kroati të largohej më 2007 kur Cana pohoi se ekipi kishte nevojë për një trajner më të ri në moshë.
11. Fidel Ylli
Biznesmen. Shefi i Delegacionit në Olimpiadë
Është një nga kandidatët për të marrë postin e presidentit të Komitetit Olimpik Shqiptar, kjo si rrjedhojë e një kontributi të madh që Fidel Ylli ka dhënë në sportin shqiptar. Njihet si një nga njerëzit që ka investuar veten dhe bizneset e tija në dobi të një sporti në lartësinë e vendeve më të zhvilluara.
12. Edi Rama
Kryetar i Bashkisë, Tiranë. Kryetar i PS
Përveç faktit se është Kryetar i PS-së dhe Kryetar i Bashkisë, Edi Rama është njëkohësisht “padron” i një nga klubeve më me histori në vendin tonë KF Tirana. Mjaftoi një mbledhje në zyrën e tij para disa ditësh që katërshja e donatorëve bardheblu të linin inatet mes tyre pas dere ose të “dorëzonin çelësat” e klubit.
14. Lluka Heqimi
Mjek. Anëtar i Komitetit antidoping
Jo rastësisht është në këtë listë. Doktor Lluka Heqimi është jo vetëm një nga njerëzit që njeh më mirë sportistët shqiptarë por edhe ndër të vetmit shqiptarë, anëtar të organizatës botërore kundër anti-dopingut. Për disa kohë dr. Heqimi ka qenë edhe mjek pranë ekipin tonë përfaqësues.
13. Medin Bushati
Anëtar i Komitetit Ekzekutiv në FSHF
Të thuash që influenca e tij qëndron vetëm në faktin se është anëtar i Komitetit Ekzekutiv në Federatën Shqiptare të Futbollit është pak. Ai ka qenë Kryetar i Komitetit Shtetëror të Sportit, Kryetar i KOKSH, shef i Klubit Sportiv Dinamo si dhe Drejtor i Përgjithshëm i Impianteve Sportive të Ekipeve Kombëtare.
15. Igli Tare
Ish-kapiten i kombëtares. Drejtor Sportiv i Lacios
Asnjë shqiptar nuk ka shkuar më lart se ai. Karriera e Igli Tares ka qenë gjithnjë e në ngritje dhe falë influencës, ndikimit, karizmës dhe seriozitetit të tij mundi të marrë edhe postin e Drejtorit Sportiv në një nga klubet më të njohura në Itali, Lazio. Ka qenë për disa kohë edhe kapiten i kombëtares shqiptare.
16. Skënder Fani
Avokat
Avokati i njohur shqiptaro-austriak, Skënder Fani, është personi që përdori influencën e tij për të konvertuar pezullimin me një ndeshje të Kombëtares sonë nga Komisioni i Disiplinës, pas incidenteve me Holandën me një gjobë financiare. Ai ndihmoi edhe në ardhjen e Arie Haan në pankinën e kombëtares shqiptare.
17. Rudi Vata
Ish-kapiten i kombëtares. Menaxher i FIFA
Influenca e Rudi Vatës në sportin shqiptar është unike. Ishte ai që “plasi” debatin e shitjeve të ndeshjeve të kombëtares. Është ai që ka kritikuar pa ngurim drejtuesit e FSHF. Është po ai, që falë influencës, njohjeve dhe liçencës si menaxher i FIFA-s ka transferuar në kampionate jashtë vendit disa talente shqiptarë.
18. Dritan Shakohoxha
Kryeredaktor i Supersport
Që Supersport është kompania lider në tregun shqiptar kjo tashmë dihet. Por jo të gjithë e dinë se kryeredaktor i këtij kanali televiziv kaq shumë të ndjekuar nga shqiptarë është pikërisht Dritan Shakohoxha, një prej gazetarëve më të njohur dhe një prej komentatorëve unikë në llojin e vet jo vetëm në vendin tonë.
19. Bejkush Birçe
Drejtor Teknik i FK Partizani
Profesor Birçe nuk mund ti mungonte kësaj liste. Nuk ka emision televiziv ose gazetë ku zëri i tij nuk vjen i qartë, i ashpër me çfarëdolloj fenomeni negativ që del në sportin shqiptar. Së fundmi është ai që ka kërkuar edhe largimin e presidentit Xhani për ti hapur rrugë mos-falimentimit të klubit të “Demave të kuq”.
20. Esat Ademi
President i Federatës së Peshëngritjes
Nëse peshëngritja është ende në nivelet të larta kjo vjen edhe falë punës së Esat Ademit në krye të Federatës Shqiptare të Peshëngritjes. Në këtë ambient ai nuk njeh “rivalë”. Ndërkohë që mbetet end ende prej kandidatëve për kreun e Komitetit Ilimpik Kombëtar Shqiptar, zgjedhje që priten të zhvillohen së shpejti.
21. Avni Ponari
President i Federatës së Basketbollit dhe i kompanisë SIGAL
Avni Ponari është promovuar më së shumti pas viteve 90-të në sportin shqiptar, ndërsa ka luajtur një rol mjaft deçiziv edhe në sponsorizimin e sportit në vendin tonë me anë të kompanisë që drejton SIGAL. Aktualisht është Nr 1 i Federatës Shqiptare të Basketbollit.
22. Muhamet Malo
Biznesmen. Pronari i TV Telesport
Ndikimi i tij në sport lidhet më tepër me biznesin që ai drejton. Muhamet Malo është ndër të parët që opti për ngritjen e një televizioni tërësisht sportiv. Telesport për vite me radhë në vendin tonë ka qenë një dritare për shumë sportdashës, kjo natyrisht falë punës dhe investimit të Z. Malo.
23. Dash Sula
Deputet. Zv/president i SK Shkumbini
Nuk ka ndeshje që të luaj Shkumbini dhe ai të mos gjejë kohë për të shkuar në stadium. “Dashuria” e tij për këtë klub e bëri edhe zëvendës/president duke e afruar edhe më shumë me futbollin. Fakti që në Peqin të paktën në dy vitet e fundit nuk ndodhin më incidente është edhe për falë punës së Dash Sulës.
24. Perikli Dhales
Drejtori i stadiumit “Qemal Stafa”
Doni të luani në stadiumin kombëtar “Qemal Stafa”?, duhet të pyesni më parë këtë zotërinë këtu. Ai e ruan impiantin sikundër të ishte shtëpia e vet. Madje disa herë përplasjet me federatën e ka çuar deri në limite si e si që, të paktën sipas tij të mbronte këtë institucion.
25. Fatos Shehaj
President i federatës së Atletikës
Atletikë, “mbretëresha e sporteve” në vendin tonë drejtohet nga Fatos Shehaj. Influenca e tij është aq e madhe sa edhe vetë drejtuesit e Ministrisë së Sporteve “u dorëzuan” përpara Jo-së së presidentit Shehaj për zhvillimin e asamblesë zgjedhore në fund të muajit dhjetor 2008.
26. Skënder Anxhaku
President i Federatës së Çiklizmit
Ai është figura Nr 1 e çiklizmit shqiptar. Falë punë së tij ndër vite ky sport po rigjen vetveten duke u kther në elitën që i takon. Së fundmi falë influencës së tij, Skënder Anxhaku arriti të ngrinte edhe një klub çiklizmi në qytetin e Pukës. Është rizgjedhur para një muaji në krye të kësaj federate.
27. Viron Bezhani
Sekretar i Federatës Shqiptare të Mundjes
Qëndron në këtë federatë prej gati një dekade ndaj me hir ose me pahir ka ndikuar në mbarëvajtjen e këtij sporti në vendin tonë. Por edhe Bezhani ka pasur “armiqtë” e tij. Degjenerimi në dhunë dhe akuzat e drejtpërdrejta në asamblenë zgjedhore të fillim-vitit treguan forcën dhe ndikimin që ai ka në këtë federatë.
28. Besnik Sulaj
Biznesmen. President i KS Dinamo
Prej momentin kur në krye të presidencës së KS Dinamos u vu ai, gjërat morë veçse për mirë. Duke qenë një biznesmen i sukseshmë nuk kishte sesi Besnik Sula të mos formonte një skuadër të suksesshme. Kjo gjë u pa më në Dinamon e sezonit të kaluar e cila doli kampion dhe kjo në vazhdim, sërish pretendente për titull.
29. Kreshnik Qato
Boksier, Kampion Bote në WBF
Edhe boksi e ka një kampion shqiptar. Mjafton të kthesh në mendje atmosferën gjatë vitit të shkuar kur Kreshnik Qato përgatitej në Tiranë për titullin e Kampionit të Botës në federatën WBF për të kuptuar ndikimin që ky boksier puro shqiptar kishte në masën e madhe të sportdashësve të këtij sporti.
30. Ylli Ndroqi
Biznesmen. Pronar i Ora News
Fakti se ai është sponsori kryesor i Kampionit të Botës, Kreshnik Qato tregon për ndikimin që Ylli Ndroqi ka sportin shqiptar. Por jo vetëm kaq. Televizioni “Ora Neës”, pronar i së cilës është ai është një nga mediat që i jep më shumë përparësi sportit sidomos lajmit të parë në të gjitha evenimentet.
31. Refik Halili
Biznesmen. Donator i SK Tirana
Njihet pikë së pari si një tifoz i thekur i Tiranës. Ndrës aprej vitit 2004 është edhe një prej katër sponsorëve kryesorë të këtij klubi. Shpesh herë është vënë në qendër të vëmendjes nga mediat për deklaratat thumbuese përkundrejt drejtuesëve të FSHF-së dhe gjatë këtij sezoni edhe ndaj kolegëve të tij donatorë.
32. Ervin Skela
Futbollist i kombëtares shqiptare
Në mungesë të Altin Lalës dhe Lorik Canës do të jetë ai kapiteni i kombëtares shqiptare ndaj Maltës. Por ndikimi i vlonjatit në futbollin shqiptar shihet qartë jo vetëm në karizëmne tij në fushën e lojës por edhe si një nga elementët më pozitivë edhe në grumbullimet e ekipit kombëtar.
33. Sokol Haxhia
Menaxher futbolli
Nëse disa prej talenteve tanë si Jahmir Hyka, Erjon Bogdani, Admir Teli, Klodian Duro, etj luajnë në kampionate më elitare se Superliga shqiptare është edhe falë punës dhe njohjeve të Sokol Haxhisë. Së fundmi ai transferoi tek skuadra e Palermos në Serie A, talentin 19-vjeçar Brian Filipi nga Ravena në Serie C.
34. Fatmir Mneri
Analist sportiv
13 vjet kryeredaktor i një prej të përditshmejve sportive më elitare në Shqipëri. mjafton kaq për të kuptuar infulencën që Fatmir Mneri ka në sportin shqiptar. Së fundmi e kemi parë edhe në ekranet e disa televizioneve në rolin e një analistë symprehtë kryesisht të futbollit shqiptar.
35. Valter Fushaj
Biznesmen. President i KS Vllaznia, Shkodër
Zëvendëspresident në kohën e e Mytar Çelës, kur Vllaznia dilte kampione. President pas largimit të Agron Çelës dhe që në sezonin e parë arrin të fitojë një Kupë të Shqipërisë. Aktualisht skuadra që ai sponsorizon kryeson Superligën. Një zë kumbues edhe në ambjentet sportive gjatë pezullimit të Shqipërisë nga FIFA e UEFA.
36. Shefikat Ngjela
Biznesmene. Donatore e SK Tirana
Është një nga femrat e rralla më me influencë në botën e sportit. Biznesmene e suksesshme dhe një donatore e tillë. Sponsorizon klubin e Tiranës prej vitit 2004. ka dituar të mbajë ekuilibrat në katërshen e donatorëve edhe në momentet më të vështira (kujtojmë fund-sezonin e kaluar kur Tirana humbi edhe kupën).
37. Shpëtim Gjika
Kryebashkiak i Vlorës dhe President i KF Flamurtari
Që prej ardhjes së tij në krye të bashkisë së Vlorës edhe futbolli i këtij qyteti dhe jo vetëm, mori frymë. Është një sportdashës i rregullt por edhe një nga sponsorat kryesorë të KF Flamurtari në futboll, basketboll dhe sporte të tjera. Ka ndikuar edhe në përshpejtimin e privatizimit të klubeve.
38. Fatmir Frashëri
Ish-president i SK Tirana
Një emër-institucion në sportin shqiptar. Në fillim si sportist më pas si trajner dhe drejtues fatmir Frashëri ka ndikuar në krijimin e asaj fryme sportive që duhet të udhëheqë brezat e ardhshëm. Aktualisht është një nga personat që mund të marrë postin e presidentit honorifik te KF Tirana.
39. Ela Tase
Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH
Një nga volejbollistet më të mira në vendin tonë. Më pas profesor në akademi dhe trajnere volejbolli. Aktualisht është anëtare në Komitetit Ekzekutiv të Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar dhe kandidate edhe për një legjslaturë tjetër në këtë pozicion në zgjedhjet e ardhsme në këtë institucion.
40. Astrit Hafizi
Ish-trajner i kombëtares shqiptare
Është padyshim një nga trajnerët shqiptarë më të suksesshëm në krye të pankinës kuqezi. Por karizma e tij në botën e futbollit është vënë në pah edhe si analist në studiot e ndryshme televizive dhe gazeta. Njohës i mirë dhe person me intuitë në zgjedhjen e talenteve të rinj.
41. Edmond Hasanbelliu
President i KS Teuta Durrës
Sponsorizon Teutën e Durrësit prej shumë vitesh. Njihet si një biznesmen i suksesshëm, eksperiencë të cilën është munduar ta injektojë edhe në klubin e tij. Njihet si person i ekuilibruar çka u pa qartë edhe në përplasjet e vitit të kaluar mes Ministrisë së Sporteve dhe FSHF pas pezullimit nga FIFA.
42. Besnik Dizdari
Gazetar sporti
Është enciklopedia e gazetarisë sportive shqiptare. Për vite me radhë ka punuar në mediat tona dhe aktualisht vazhdon të jetë një analist ndikues në botën e sportit. Drejton prej shumë vitesh edhe Shoqatën e Gazetarëve Sportivë në Shqipëri. Është i vetmi shqiptar që voton për çmimin “Topi i Artë” të “France Futboll”.
43. Nexhat Bizhdili
Biznesmen. President i KS Besa, Kavajë
Drejton klubin kavajas prej më shumë se 15 vjetësh. Është një tifoz i thekuar futbollit dhe një biznesmen i suksesshëm. Njihet për karakterin e nxehtë në stadium i cili shpesh herë i ka krijuar edhe probleme me “prokurorët” e Komisionit të Disiplinës në Federatën Shqiptare të Futbollit.
44. Kreshnik Tartari
Trajner i UMB Volej, Volejboll
Një prej trajnerëve më të shquar dhe të suksesshëm në volejbollin shqiptar. Për disa vjet ka punuar edhe në Ministrinë e Sporteve ku ka ndikuar në rritjen cilësore të sportit në Shqipëri. aktualisht është trajner i një prej skuadrave më të reja në volejbollin tonë, ekipi që kryeson edhe renditjen e kampionatit.
45. Gjergj Ruli
Ish-president i Federatës së Atletikës
Ish-rekordmen në kërcim së gajti, biznesmen i njohur dhe drejtues në federate e klubi. Ka qenë President i Federatës së Atletikës, të cilën e ka drejtuar me sukses gjatë Olimpiadës së Athinës. Mendohet se do hedhë sërish kandidaturën për postin e Njëshit në Asmblenë zgjedhore të Atletiksë e cila pritet të zhvillohet së shpejti.
46. Klodiana Shala
Atlete. Anëtare e Komitetit Ekzekutiv të KOKSH
Një nga atletet tonë më të mirë të pas viteve 2000. ka marrë pjesë si në olimpiadën “Athinë 2004” dhe “Pekin 2008”. Është anëtare e Komitetit Ekzekutiv në KOKSH dhe një zë mjaft ndikues në këtë institucion çka u pa edhe në zgjedhjet e mbetura në tentativë në asamblenë zgjedhore të dhjetorit 2008.
47. Shkëlqim Muça
Analist sportiv
Futbollist i shquar, trajner dhe drejtues i suksesshëm. Drejtoi për shumë vite radhazi KF Tiranën në të dyja rolet e mësipërme. Së fundmi edhe në rolin e analistit në emisionin “Proçesi sportiv” në Top-Channel. Është anëtar i Këshillit Bashkiak në bashkinë e Tiranës.
48. Shkëlqim Hajdari
Prokuror
Shkëlqim Hajdari, një nga prokurorët më të njohur në Shqipëri por mbi të gjitha një sportdashës i thekur. Iniciator i projekt-ligjit për shitblerjet e ndeshjeve i cili tashmë ka marrë formën e ligjit dhe pritet të kalojë edhe në parlamentin shqiptar. Është kreu i Shoqatës së Prokurorëve të Shqipërisë.
49. Agron Papuli
Biznesmen. Donator i SK Tirana
Edhe emri i Agron Papulit është i lidhur me klubin bardheblu prej 2004. Që prej asaj kohe ndikimi i tij në botën e sportit u bë më i ndjeshëm. Ndonëse pati firmosur për një president-donator shumë shpejt ndërroi mendim duke prishur jo pak ekuilibrat te Tirana.
50. Tritan Kokona
Shef i Marrëdhënieve me Publikun e Mediat në FSHF
Gazetar i njohur, kryeredaktor i një sërë gazetave sportive dhe së fundmi edhe Shef i Sektorit në marrëdhëniet me Publikun dhe Mediat në Federatën Shqiptare të Futbollit. Tritan Kokona është një njohës shumë i mirë i sportit dhe një analist symprehtë i fenomeneve sportive me ndikim të madh në vendin tonë.
Burimi: Tirana Observer
E Premte, 30 Janar 2009