E Diel, 1 Nëntor 2026

50 vjet pas Koncilit II të Vatikanit, një libër shpjegon dokumentet e tij

23-09-2012 / Gazeta 55

“E ardhmja e Koncilit, dokumentet e Vatikanit II: një thesar për t’u zbuluar”. Ky është titulli i librit, që mban firmën e studiuesve më me autoritet, të cilët vënë në dukje se si, edhe pas 50 vjetësh, ajo mbledhje e të gjithë ipeshkvijve të botës mbetet aktuale. Për librin, Radio Vatikani ka intervistuar muratorin e botimit, Luka Rolandi

Si lindi kjo ide?
Lindi kryesisht nga synimi për të kërkuar, sidomos për një publik rinor e për personat, që nuk e dinë as se çfarë është Koncili, një mundësi informacioni paraparak mbi vetë dokumentet, para se të lexohen ato, duke u nisur nga analizat e ekspertëve, vatikanistëve, biblistëve dhe liturgjistëve.
Cilat janë thesaret, që rizbuluat në këto dokumente, siç shkruhet edhe në titullin e librit?
Shumë, sepse dokumentet, pavarësisht nga mosha e tyre 50-vjeçare, kanë akoma një ngarkesë e forcë profetike, një këndvështrim të thellë shpirtëror e kulturor, që mendoj se është e rëndësishme t’u ripropozohet, sidomos brezave të rinj. Në 50 vjet shoqëria është zhvilluar me shpejtësi, por kohët e Kishës janë më të ngadalshme, duhet një farë kohe për t’i metabolizuar gjërat. Prandaj, mendoj se është themelore që Papët, ipeshkvijtë, meshtarët e bashkësitë t’i referohen vazhdimisht Koncilit II të Vatikanit, për t’i kujtuar mësimet e tij, në mënyrë që ato të vihen në zbatim.
Nëse do t’ju duhej t’ia shpjegonit Koncilin një të riu besimtar, si do të vepronit?
Do të veproja në dy mënyra. Nga njëra anë, duke përdorur ndonjë mjet multimedial, pra duke i treguar ndonjë imazh nga Koncili: të shohësh 2.500 ipeshkvij nga e gjithë bota, për herë të parë pranë e pranë në Shën Pjetër, në një asamble të madhe, nuk është e paktë. Nga ana tjetër, do t’i tregoja një shembull, si fjalimin, që mbajti Papa Gjoni XXIII në mbrëmje, pas hapjes së Koncilit – të famshmin “fjalim për Hënën” – sepse e paraqet Koncilin sipas një përmase më ‘shtëpiake’, që mund t’u flasë zemrës së të gjithëve.
Komisioni “Drejtësi e Paqe, Evropa”: në Pranverën arabe të mbrohet dinjiteti dhe të drejtat e njeriut
Cili është kontributi, që duhet të japë Evropa në proceset e Pranverës arabe?
Ky ishte argumenti kryesor i Asamblesë së Komisionit “Drejtësi e Paqe, Evropa”, që përfundoi në Maltë, javën e kaluar. “Si evropianë – thuhet në deklaratën përfundimtare – duhet të respektojmë të drejtat e kombeve të tjera për ta zbatuar demokracinë sipas traditave dhe besimeve të tyre fetare, por nuk duhet të injorojmë nevojën për të mbrojtur dinjitetin dhe të drejtat e njeriut”. Element thelbësor në këtë proces është fillimi i dialogut ndërkulturor e ndërfetar. Madje edhe aktivitetet ekonomike, që hapen nga jashtë, për t’i ndihmuar vendet e Pranverës arabe, duhet të jenë me baza etike, duke njohur mire kontekstin politik, shoqëror e kulturor, përndryshe mund të prodhojnë vetëm padrejtësi të reja.
Deklarata përfundimtare tërheq vëmendjen edhe ndaj solidaritetit për refugjatët, që vijnë në Evropë nga këto zona. Normativa aktuale, që mban emrin e Dublinit, parashikon që kërkesa për strehim politik të bëhet në vendin ku mbërrijnë refugjatët, duke shkaktuar presion më të madh në to, në krahasim me pjesën tjetër të Bashkimit Evropian. Bashkëndarja është zgjidhja, sipas Komisionit “Drejtësi e Paqe”. Gjithashtu, është e nevojshme që Bashkimi Evropian, por edhe OKB-ja, të parashikojnë një formë strehimi për arsye ekonomike, ku të përfshihen të gjithë ata, që largohen nga gjendje varfërie të skajshme. Duke pasur parasysh konfliktet në zonë, sidomos atë në Siri, Komisioni përfundon me thirrjen për një traktat, që të kufizojë e të vendosë rregulla të rrepta për tregtinë e armëve, për t’u garantuar të gjithëve një botë më të sigurtë.
Marrë nga Radio Vatikani

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›