520 të rinj anëtarësohen në PS në Pogradec. Rama: Taksat po mbysin të varfrit
Çdo ditë kryetari i PS merr pjesë në takime me të rinjtë që anëtarësohen rishtas në PS. Një fushatë me mijëra anëtarësime, e cila xhelozoi kryeministrin, që u shpreh se do nisë edhe vetë diccka të ngjashme
Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ishte në Pogradec për të përshëndetur pajisjen e 520 të rinjve me kartën e anëtarësisë në PS. Në fjalën e tij para të rinjve socialistë në Pogradec, Rama akuzoi qeverinë se ka zhytur duart në batakun e firmosjes se kontratave korruptive për importin e plehrave. Rama tha se qeveria me taksat po mbyt të varfrit. Sipas Ramës, vetëm qytetarët e mirë mund ti ndalin qeveritarët. Gjatë zhvillimit të ceremonisë, në një mesazh në rrjetin social, Twitter, kreu socialiste shkruan se: Pogradeci shpërthim energjish përmes RE:FRESSH! 520 të rinj marrin kartën e anëtarësisë në PS. Efekti zinxhir vazhdon qytet pas qyteti.
Rama ka kritikuar edhe njëherë sistemin e taksave në vend. Duke vlerësuar taksën progresive përfshirë në programin e PS-së për një Rilindje Shqiptare, kreu socialist tha se taksat po mbysin të varfrit në Shqipëri. Dy ditë më parë, kreu i PS ishte në qytetin e Beratit për të marrë pjesë në ceremoninë e anëtarësimit në PS të 400 të rinjve të këtij qyteti. Në fjalën e tij para të rinjve socialist të Beratit, kreu i kësaj partie u shpreh se të rinjtë në mbarë vendin duhet të përfshihen në politike. Ai u shpreh ndër të tjera se të merresh me politikë do të thotë të kërkosh të drejtën të shërbehesh nga shteti me dinjitetin që meriton. Të merresh me politikë do të thotë që të kërkosh të shërbehesh me dinjitet nga shteti, nga institucionet dhe nga të zgjedhurit ashtu si ti mendon se e meriton dhe për ta fituar këtë shërbim nesër ju duhet të luftoni sot bashkë me ne, dhe ne duam të luftojmë bashkë me ju pa humbur kohë, që e nesërmja të mos i ngjajë të sotmes, por ti ngjajë shpresave dhe ëndrrave tuaja. Ai u shpreh në Berat edhe për kontaktet e tij me ish-të përndjekurit politikë, shtresë që kohët e fundit është bërë pjesë e debateve ndërmjet mazhorancës dhe opozitës. Në fjalën e tij para të rinjve në Berat, Rama u shpreh se kishte marrë një mesazh nga një ish-i përndjekur, i cili i thoshte se përshëndet nismën e PS-së, për përfshirjen e moshës 75 vjeç në përfitimin e dëmshpërblimit.