550 njerëz që nuk do të jenë më
Elsa Demo
Të gjithëve ua kujtojnë ushtrinë në terakotë të perandorit të parë kinez Qin Shi Huang. Por figurinat që po bëjmë fjalë nuk kanë uniformë, mjet lufte në gatishmëri kanë fijet e shkrepëseve, dhe vendosja e tyre në radhë i bën një ushtri kërcënuese në pamje të parë por që ironizojnë qëndresën. Sepse janë një turmë prej sheqeri – e vendosur në një platformë që ngrohet nën të nga disa rezistencë nën të, – që shkrin dalëngadalë e në disa ditë mendohet të zhduket. Po të vizitoni Galerinë e Universitetit të Arteve me siguri do ta gjeni drejt fundit. Ajo bëhet një njollë e kuqe në tepsinë ku ka kulluar gjaku i 550 ëndërrimtarëve të realitetit. Babai i ri dhe njëkohësisht meshtari i tyre është tridhjetëvjeçari Ilir Kaso. Ekspozita e tij Ëndërrimtarë të realitetit, e para personale me një seriozitet kërkimi dhe eksperimentimi, përmban pesë punë gjithsej në instalacion e videoprojeksion. Secila prej tyre është e mëvetësishme në trajtimin e disa motive që në qendër kanë meditimin për njeriun dhe ciklin natyror të jetës së tij.
Si është realizuar turma e njerëzve në miniaturë?
Në fillim janë hedhur konceptet. Kam kërkuar për materialin e duhur. Doja që të nxirja vendosmërinë e këtyre njerëz, 550 figurina, që pavarësisht se janë të vogla, të krijojnë emocion të fortë kur i sheh. Janë bërë prej sheqeri, janë moduluar nga unë dhe janë derdhur në tri kallëpe. Ishte punë njëmujore. Aroma e sheqerit vjen e ëmbël por ndërkohë ndodh një akt shkatërrimi.
Ata që janë rrëzuar dhe të tjerë të zvarritur në vend, janë inskenim apo kanë rënë prej nxehtësisë?
Në këtë vendosmëri të pozicionit të tyre doja ta prishja formën e tyre dhe ta rindërtoja në një proces tjetër. Deri në datën 29 mars besoj do të shkrijnë dhe do të shkojnë në një njollë e kuqe. Ky është cikël në një rrotullim infinit që përsëritet edhe te video Muri, edhe tek instalacioni Ditë-Natë. Ne gjatë gjithë kohës jemi brenda këtij cikli dhe brenda tij punojmë, filozofojmë, protestojmë.
Turma është kërcënuese dhe transformimi i asaj ironik.
Kam dashur në fakt të mos jetë e rëndë, ballkanase prandaj e kam pasur të vështirë të përdorja një material që ne e hamë dhe si pjesë e një forme që gjatë gjithë kohës është në proces. Gjatë kësaj kohe kam pasur problemin për të hapur disa porta të miat dhe për të kaluar në një dimension tjetër. Kam mbaruar Akademinë këtu, kam kaluar procesin e njohjes së vizatimit, pikturës, videoartit. Por më pas vendosa ti lë të gjitha e të merrem me studimin se sa mediumi arrin të përcjellë dhe në çmoment duhet të përcjellë mesazhin e tij. Ëndërrimtarë të realitetit merret me ndjesinë që ka krijuesi në momentin kur hidhet në krijim dhe kur shkëputet nga shoqëria; kur është në ëndrrën e vet për të krijuar dhe kur përballet me realitetin. Pyetja që shtroj është: jemi ëndërrimtarë të realitetit apo jemi ëndërrimtarë në realitet?
Kjo turmë është një shoqëri që nuk ekziston prej pjesës fizike, por prej detyrës që ne kemi në shoqëri dhe prej mesazhit që i lëmë asaj. Edhe arti mendoj që ekziston kështu.
Transformimi i materialit nëpërmjet temperaturës kërkon llogaritje të saktë të ciklit. Është e vështirë gjetja e balancës së të gjithë elementeve në instalacion?
Publiku nuk mjaftohet vetëm që të shohë vizualisht, por edhe nuhat, edhe dëgjon, edhe mendon. Ka qenë e vështirë që të arrija tek ironia që njerëzit të mos e marrin rëndë aktin e shkatërrimit të trajtës njerëzore. Më duhej sheqeri që lëshon edhe aromën e ëmbël dhe që të arrihet lëngëzimi i tij, duhej ti hyja gati një eksperimenti. Në ditën e hapjes së ekspozitës kisha emocione sepse nuk isha i sigurt nëse shkrirja do të ndodhte siç parashikoja. Ndërkohë i njëjti material është duke shkrirë poshtë dhe do doja shumë që këtë lloj cikli ta riktheja përsëri, për të rikujtuar se ekziston vendosmëria. Ne duhet të dalim nga forma, duhet të dalim nga gjërat materiale, duhet të shkojmë drejt harmonisë, të shohim ylberin në mendjen tonë. Do të isha shumë i lumtur që shoqëria të ishte kështu, që ajo aroma e sheqerit të na ngelej gjithmonë me njëri-tjetrin.
Fakti që aroma qëndron, që memoria e njeriut do qëndrojë, që historia do qëndrojë, për mua do të thotë se njeriu e ka kryer detyrën e vet, nëse e ka kapur këtë lloj cikli.
Punët e ekspozitës nuk i shfaqin zhveshur këto shqetësime, edhe të ditës qofshin apo me natyrë sociale.
Unë nuk dua që të politizohet arti siç janë politizuar shumë aspekte të jetës sonë. Ne duhet ta tejkalojmë momentin e keq ku jemi, për të rimbushur veten tonë, për të rimbushur shpirtin tonë. Dhe shpresoj që njerëzit ta kuptojnë këtë që dua të them, që një pjesë ta kuptojë e të ndërgjegjësohet se çfarë kërkon gjithë pjesa tjetër. Brenda këtij shqetësimi është instilacioni në bronz Ditë-Natë ku personazhet na lajmërojnë për ditën dhe për natën. Fundja ne në këtë proces endemi.
Përdorimi i motorit të kërkimit google për nevoja praktike të përkthimit është subjekt i videos Shiko Yllberin! Komunikimi i këtij mesazhi në gjuhët e botës, shpesh është i përmbysur, rrallë i saktë. Cili është qëllimi i kësaj pune?
Aty ka momente kur audio nuk ekziston fare, ka një censurë totale. Ka momente kur zëri del robotik, pa emocion fare. Ndodh që mesazhi përcillet saktë në italisht apo frëngjisht, në gjuhë të tjera jo. Kjo është një thirrje globale. Ideja e kësaj pune më ka lindur në Gjenevë, në shatërvanin më të lartë në botë. Shoh një ylber, pozicionohem në vendin ku ylberi dukej më mirë, gati surreal mbi liqen. Po e xhiroja, ndërkohë mbrapa meje gjithë turistët nga vende të ndryshme të botës që thoshin fjalën ylber. Të gjitha janë të incizuara.
Ndodh që njeriu të mos e kuptojë ylberin, jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht. Në drejtim të mediumit, qëllimi ka qenë përdorimi i animaciont stop motion. Ne kemi një traditë të mirë mbi animacionin. Unë jam rritur me filmat e Kinostudios.
Në vitet e fundit ke punuar shumë, në kërkim të ideve dhe formave për ti shprehur ato. Çfarë e ka motivuar këtë gjallëri krijuese?
Në fakt ka qenë një moment drastik. I lashë gjithë punët e tjera me të cilat mbijetoja dhe atë pjesë të realitetit që më trazonte. Më kishte marrë shumë realiteti, aq sa nuk shihja dot lart. Kalova dy muaj në jug ku mora një shtëpi me qira dhe u largova nga gjithçka. Kisha problem kur u riktheva, sepse ecte çdo gjë shumë shpejt. Mu desh të kuptoja këtë gjë: që të arrij të pranoj këtë lloj realiteti, më duhet të rikthehem edhe njëherë me punën time dhe me atë mund të vazhdoj i qetë. Në këtë jetë secili mban një barrë të rëndë. Duhet ta ndihmojmë njëri-tjetrin sepse ajo barrë as na lë të shfaqim identitetin tonë.
Çdo artist gjen me siguri te paraardhësit apo bashkëkohësit përgjigje për pyetjet që ai shtron. Po ti?
Në lice pëlqeja Van Gogun, për fuqinë e ngjyrave. Pastaj ndalova te impresionistët e më vonë admirova Marcel Duchamp. Evoluonte historia e artit brenda meje ashtu evoluoja dhe unë me punët. Vlerësoj shumë artist bashkëkohor belg Francis Alÿs. Më ka pëlqyer një kohë kinemaja. Më mjaftoi për aq sa kuptova disa anë teknike të vlefshme për punën time. Kam bërë dy filma të animuar.
Bio
Ilir Kaso është lindur në Përmet më 1982. Ka ndjekur Liceun Artistik në Tiranë. Në Akademinë e Arteve studioi grafikë me pedagogë Alia Osekun, Petraq Papën, Ardian Isufin. Ka marrë pjesë në ekspozita kolektive. Aktualisht është pedagog i jashtëm i Grafikës.