Libra fqinjësh
Me rastin e festës kombëtare të vendit fqinj, organizohet në Tiranë ekspozita e librit Urë e Kulturave. Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar, libri grek i përkthyer në shqip dhe libri shqip i përkthyer në greqisht, po prezantohet që prej datës 19 mars dhe vazhdon deri në 4 prill. Qëllimi i kësaj ekspozite është të theksohet përpjekja e ndërsjellë e shkëmbimit të të mirave kulturore midis të dy vendeve. Që interesimi i lexuesit të bëhet i njohur nëpërmjet librave që janë përkthyer në njërën apo tjetrën gjuhë. Ekspozita ofron për publikun një vitrinë me mbi 580 përkthime të letërsisë greke në gjuhën shqipe dhe anasjelltas.
Gjatë periudhës historike të acarimeve politike 1912-1991 kanë qarkulluar të paktën 80 përkthime, kryesisht me përmbajtje fetare. Më vonë gjatë periudhës 20-vjeçare, kanë qarkulluar rreth 500 tituj. Pjesa më e madhe e tyre ka përmbajtje letrare, historike, fetare, gjuhësore ku përfshihen dhe fjalorët, libra arti dhe revista të ndryshme. Vendi fqinj paraqitet më së shumti me veprat e antikitetit, me tragjikët si Eskili, Sofokliu, Aristofani, poetët epikë e lirikë Homeri e Safo, filozofët si Aristoteli, Platoni me historianë si Tukiditi etj..
Ndërkohë në Greqi letërsia shqipe përfaqësohet më së shumti nga veprat e Ismail Kadaresë, e me radhë të Dritro Agollit, Besnik Mustafajt, Mimoza Ahmetit. Ekspozita mundësohet nga Ambasada e Greqisë dhe Vatra e Fondacionit Grek të Kulturës në Tiranë. Qëndron hapur për publikun, gjatë paradites nga ora 10:00-12:00 dhe gjatë pasdites nga ora 17:00-19:00. / V. Deda